PS


Kreu i opozitës, Edi Rama, i shoqëruar nga kryetarja e njësisë numër 1, Lindita Nikolli dhe Ilir Beqja, sekretar i programit “Për një Rilindje Shqiptare”, janë  bërë dëshmitarë në një minimarket në Shkozë të Tiranës, se si qytetarët marrin ushqime me listë, në një kohë kur në komisionet parlamentare është duke u diskutuar projektbuxheti i qeverisë për vitin 2013.


Gjatë bashkëbisedimit me Ramën, pronari i një minimarketi, i cili thotë se ushqimet janë duke u shkrirë në frigorifer, pasi që prej dy ditësh kjo zonë nuk ka drita tregon fletoren e borxhlinjve. Ai shpjegon mënyrën se si paguan shtetit detyrimet tatimore.


“Ata thonë se i kanë kaluar taksat, por në fakt janë më shumë. Mdërkohë unë i paguaj me borxhe taksat dhe kam ende të pashlyera”, thotë pronari. Kryesocialisti Edi Rama përballë kësaj situate dhe afrimit të festive të fundvitit, ritheksoi nevojën e heqjes së taksës për biznesin e vogël, taksë të cilën e cilësoi si një lak mbytës në qafën e biznesit.


“Ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël. Ne mendojmë që duhet urgjentisht. Kemi bërë thirrje disa herë dhe do të vazhdojmë të bëjmë thirrje që në buxhetin e vitit të ardhshëm që po kalon në Parlament, Qeveria ta heqë. Rënia e fuqisë blerëse po i mbyt bizneset e vogla, ndaj ne mendojmë se duhet hequr urgjentisht taksa e biznesit të vogël, por kjo nuk ka lidhje me politikën, por kjo ka lidhje me bukën e gojës dhe me mbijetesën e një pjese shumë të madhe të biznesit të vogël, që praktikisht po asfiksohet”, thotë Rama.