Flet Drejtoresha e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino: Prindërit nuk mund ta përcaktojnë vetë se kur duhet t’i vaksinojnë fëmijët


Shpresa Mezini


Silva BinoVaksinimi i fëmijëve ka qenë dhe mbetet çështje delikate për shoqërinë e cilitdo shteti, por sidomos për Shqipërinë, ku informacioni është ende i mangët. Situata bëhet gjithnjë e më shumë serioze, kur në diskutim vihet shëndeti i fëmijëve, që kohët e fundit është pjesë e pothuajse të gjitha bisedave mes prindërish, gjyshërish në të gjithë botën. Kjo, sepse janë hedhur hipoteza për lidhjen që ekziston mes Autizmit dhe vaksinës MMR, e cila injektohet në moshën 1-vjeçare, ndërsa në disa shtete thuhet se bëhet fjalë për një prej vaksinave të kalendarit, ndonëse nuk dihet ende cila është. Lajme, që kanë bërë xhiron e radhës në media dhe që sigurisht kanë tronditur thellë prindërit, të cilët gjykojnë se në një situatë si kjo është më mirë të heqin dorë nga vaksinimi i fëmijëve, duke mos e ditur nëse po bëjnë ose jo zgjedhjen e duhur për fëmijët e tyre… Vendim ky që ndalohet me ligj dhe që sigurisht nuk përkrahet as nga specialistët e shëndetit publik. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Drejtoresha Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino thekson se nuk ka asnjë lidhje midis Autizmit dhe vaksinës ndaj Fruthit, Rubeolës dhe Shytave, ndërsa sqaron se vaksinat që vijnë në vendin tonë janë të sigurta, për këtë arsye prindërit nuk duhet ti refuzojnë pasi pasojat do të ishin të rënda. “Vaksinat që vijnë në vendin tonë kalojnë disa filtra të sigurisë. Do të ishte me vend që vaksinat të kryhen sipas kalendarit të vaksinimit, i cili është i përgatitur sipas kushteve të çdo vendi të lidhura me rreziqet përkatëse dhe faktet shkencore të pasqyruara në rekomandimet e OBSH-së. Prindërit nuk mund ta përcaktojnë vetë se kur duhet ti vaksinojnë fëmijët”, shpjegon doktoreshë Bino, për gazetën “Shqip”.


Pse është i nevojshëm vaksinimi i fëmijëve?


Vaksinimi i fëmijëve, por jo vetëm i tyre është i nevojshëm për të parandaluar disa sëmundje infektive të rënda dhe vdekjeprurëse dhe që shpesh shkaktojnë paaftësi. Vaksinimi krijon mbrojtje ndaj këtyre sëmundjeve në të gjitha rastet kur fëmijët apo personat e tjerë bien në kontakt me shkaktarët e tyre të rrezikshëm.


A është i detyrueshëm vaksinimi në vendin tonë?


Vaksinimi në vendin tonë në bazë të legjislacionit për sëmundjet infektive është i detyrueshëm për: Fëmijët nga 0-18 vjeç, sipas kalendarit përkatës të vaksinimit; Personat që rrezikohen dhe përbëjnë rrezik për të tjerët, për të penguar përhapjen e


sëmundjeve infektive, në zbatim të Rregullores Ndërkombëtare të


Shëndetit; Personelin shëndetësor dhe personelin që kujdeset për fëmijë, persona të moshuar, persona me aftësi të kufizuara; Studentët e shkencave mjekësore, të regjistruarit në specializime afatgjata të specialiteteve mjekësore, si edhe në specializime e praktika afatshkurtra në disiplinat mjekësore. Po ashtu kryhet edhe për sëmundje të caktuara, si për shembull te personat që udhëtojnë në vende me indikacione epidemiologjike, në varësi të situatës epidemiologjike në ato vende, apo persona të tjerë, për të cilët ka indikacion epidemiologjik apo në varësi të gjendjes shëndetësore përkatëse.


Pavarësisht asaj që parashikon legjislacioni në fuqi, prindërit kanë të drejtë të firmosin kundër vaksinimit të fëmijëve të tyre në qendrat përkatëse shëndetësore. A gjykoni se duhet ti lihet në dorë prindërve kjo zgjedhje?


Po prindërit kanë të drejtë të refuzojnë vaksinimin e fëmijëve të tyre, por duhet të marrin parasysh pasojat… Por, po ashtu ka disa mekanizma, të cilat i bëjnë prindërit të mos marrin vendime të gabuara si informacioni i detajuar, këshillimi, ofrimi në çdo kohë i vaksinimit si dhe për çdo fëmijë që hyn për herë të parë në çerdhe, kopsht, shkollë apo institucione të arsimit të lartë, është e detyrueshme pajisja e tij, nga institucionet shëndetësore, me një dokument që vërteton vaksinimin e kryer sipas kalendarit përkatës.


Dyshimet mbi lidhjen që mund të ketë Autizmi me vaksinën MMR, është një nga diskutimet më prezente në vendin tonë. Hipoteza që kanë detyruar jo pak prindër të mos vaksinojnë fëmijët. Si është e vërteta e këtyre lajmeve të shpërndara jo vetëm në territorin shqiptar, por në mbarë botën? A duhet të jemi të frikësuar?


Nuk ka asnjë lidhje midis autizmit dhe vaksinës MMR (vaksinës ndaj Fruthit, Rubeolës dhe Shytave). Hipotezat e hedhura kohë më parë u hodhën poshtë jo vetëm nga qindra studime të njëpasnjëshme, por edhe pas një hetimi të një gazetari, i cili nxori ne pah që këto nuk ishin as hipoteza të bazuara në fakte por që lidheshin me interesa të caktuara. Pikërisht kjo bëri që edhe artikulli i lidhur me këtë hipotezë të tërhiqej duke nxjerrë në dritë të tjera fakte që vërtetonin se si ishin manipuluar të dhënat pikërisht për të shmangur vaksinimin. Vaksinat janë preparate imunobiologjike, të cilat mbrojnë prandaj nuk ka asnjë arsye për tu frikësuar, përkundrazi duhet të përpiqemi ti njohim sa më mirë. Prindërit duhet të pyesin sa më shumë, të informohen, por jo të frikësohen. Bashkëpunimi i ngushtë i prindërve dhe diskutimi i tyre me personelin shëndetësor dhe njohja sa më mirë e vaksinave si dhe sëmundjeve që ato parandalojnë do ti bëjë prindërit që të mos frikësohen nga vaksinat. Zhdukja e sëmundjeve të rrezikshme infektive si Variola apo Lija e zezë si dhe eliminimi i poliomielitit ka ardhur vetëm në sajë të vaksinimit.


Thuhet se në Amerikë, prej disa kohësh, është ndaluar kategorikisht vaksinimi për shtetasit amerikan. Ndërsa për emigrantët vaksinimi në SHBA është lënë i detyruar. A nuk është ky vendim një kambanë alarmi?


Nuk është e vërtetë! Në SHBA, por edhe në vende të tjera të kontinentit amerikan vaksinimi është i detyrueshëm po ashtu si tek ne dhe njëkohësisht kërkohen kartelat e vaksinimit kur duhet të regjistrohesh në kopsht, shkollë apo universitet. Nëse ka një vend që ka ligje të forta për vaksinimin ato janë SHBA pasi kjo ka sjellë atje eliminimin e disa sëmundjeve. Por, natyrisht për emigrantët që vijnë nga vende të cilat nuk ofrojnë vaksinim të rregullt natyrisht duhet të ofrohen programe vaksinimi dhe kjo është e njëjtë edhe për ne.


E kundërta po ndodh në Itali, ku prej më shumë se 1 viti ka nisur një fushatë intensive ndërgjegjësimi pro vaksinimit, madje e shoqëruar edhe me penalitete për prindërit që nuk i përgjigjen kësaj thirrje. A do të ishte kjo një zgjidhje edhe për ndërgjegjësimin e çifteve shqiptare?


Italia kohët e fundit është përballur me probleme të sistemit të drejtësisë dhe vendime të gabuara në mospërputhje me faktet shkencore dhe kjo ka bërë që të kryhen fushata masive ndërgjegjësimi. Po ashtu Italia është përballur me shpërthime epidemike Fruthi dhe Meningiti të ardhura nga mungesa e vaksinimit gjë e cila nuk ka ndodhur tek ne. Pra, siç e shpjegova ne kemi mekanizma të tjerë dhe histori tjetër nga ajo e Italisë megjithëse jemi shumë afër saj.


Sikundër ka prindër që besojnë verbërisht gjithçka që lexojnë, pavarësisht burimit, ka edhe nga ata që janë pro vaksinave, por pro vaksinave të sigurta. Sa të sigurta janë vaksinat që vijnë në vendin tonë?


Vaksinat që vijnë në vendin tonë kalojnë disa filtra të sigurisë. Vaksinat e programit kombëtar të vaksinimit janë domosdoshmërish të parakualifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Po ashtu ka një strukturë të posaçme shtetërore që kontrollon sigurinë e tyre dhe ruhen apo shpërndahen në kushte të kontrolluara në bazë të standardeve të paracaktuara. Po ashtu çdo shenjë që shqetëson fëmijët apo prindërit pas vaksinimit monitorohet dhe kontrollohet në çdo kohë, 24/7.


Personeli që aplikon vaksinat është i trajnuar dhe tani ai do të duhet të plotësojë edhe disa standarde të tjera të përcaktuara dhe testime që do të rrisin sigurinë.


Një pjesë e mirë e prindërve i blejnë privatisht vaksinat me pretendimin se janë më cilësore por edhe sepse nuk shkaktojnë temperaturë si ato të shtetit. Pse ndodh kjo? Cili është ndryshimi?


Sa i takon cilësisë, besoj që nuk ka asnjë ndryshim. Ndërsa lidhur me faktorin temperaturë, besoj se këtu e keni fjalën për një komponent që lidhet me vaksinën ndaj kollës së mirë apo Pertusit, e cila është jo qelizore dhe si e tillë nuk shkakton temperaturë, por duhet të them njëkohësisht që nuk shkakton atë imunitet të plotë sa vaksina e cila jep pak temperaturë.


Kohët e fundit ka prindër që zgjedhin të mos ja bëjnë në kohë vaksinën fëmijëve. A ka të njëjtin efekt një vaksinë që bëhet jashtë parashikimit të kalendarit?


Do të ishte me vend që vaksinat të kryhen sipas kalendarit të vaksinimit, pasi kalendari kombëtar i vaksinimit është i përgatitur sipas kushteve të çdo vendi të lidhura me rreziqet që paraqet çdo vend, por edhe faktet shkencore të pasqyruara në rekomandimet e OBSH-së, prandaj ai duhet të respektohet patjetër. Nuk ka arsye që të mos respektohet, me përjashtim të disa rasteve të veçanta kur ai adaptohet sipas shëndetit të fëmijëve apo të rrethanave të caktuara. Pra, prindërit nuk mund ta përcaktojnë vetë se kur duhet të vaksinojnë fëmijët, por këtë duhet ta diskutojnë me mjekun e tyre, i cili duhet të rekomandojë kalendarin e përcaktuar të vaksinimit apo ta adaptojë atë sipas shëndetit të fëmijës dhe jo për arsye të tjera. Por, pavarësisht  kësaj, nuk është asnjëherë vonë për tu vaksinuar.


Nga cilat shtete furnizohet Shqipëria me vaksina?


Vaksinat vijnë nga kompani të ndryshme që janë të parakualifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe pak rëndësi ka shteti, por mund të them që vijnë nga vende të ndryshme si: Belgjika, Zvicra etj. Asnjë vaksinë që nuk është e certifikuar nga OBSH nuk mund të përdoret në programin tonë të vaksinimit e më tej.