Sistemi i shëndetësisë në vend qëndron në ballë të akuzës, që kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka hedhur mëngjesin e sotëm në drejtim të qeverisë.


Duke atakuar kryeministrin Edi Rama, ai shkruan në Facebook se shëndetësia nga “rilindja” shfrytëzohet vetëm si burim për koncesione dhe përfitime nga kioskat.


“Kur rilindja zaptoi shëndetësinë ne 2013 e filloi me kioskat, e vazhdoi me pirjen e duhanit dhe e mbylli me koncesionet. Tani filloi po i njëjti avaz i turpshëm….filloi prapë me kioska, po vazhdon me pirjen e duhanit (jo me pirjen e hashashit se atë e lejon (kryeministri) dhe pritet koncesioni (hajdutlleku) i radhës’, shprehet Vasili.


Në vijim, kreu i Grupit të LSI shton se kemi të bëjmë me shëndetësi jo humane, që me sjellje kriminale e radhit pacientin të fundit në listën e prioriteteve.


“Po i sëmuri ku është, po profilaksia? Çfarë shëndetësie është kjo? Ku ekziston kjo shëndetësi anti-humane, qe nuk ka pacientin te parin? Është për çdo kioske e koncesion kjo shëndetësia e rilindjes, vetëm për te sëmurin jo, ai është i fundit. Ky është krim. Për shëndetësinë kryeministri është bere si Shvejku qe thoshte ‘Ç’më duhet mua se çfarë them unë’”, thekson ai.


7 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)