Nënkryetari i LSI-së
Përfaqësues të OSBE-së kanë zhvilluar dje një takim në qytetin e Fierit me nënkryetarin e LSI-së, Petrit Vasili. Në këtë takim u diskutua mbi situatën parazgjedhore, ku nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, vendosi theksin në numërimin elektronik që do të kryhet në Qarkun e Fierit. Ai kërkoi që provat e numërimit të votave të kryhen në Fier dhe jo në Tiranë. Më tej Vasili shprehu shqetësimin e së majtës për Komisionin Qendror Zgjedhor. “Ajo që ne do të sugjeronim është që provat për procesin e numërimit në mënyrë elektronike të bëhen në qytetin e Fierit dhe jo në kryeqytet. Por, po ashtu, dua të shpreh shqetësimin e së majtës se Komisioni Qendror Zgjedhor, tashmë nuk garanton më besim për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, pohoi Vasili. Ndërkaq, ai u ndal edhe në konstituimin dhe rikonfigurimin e Këshillit të Qarkut të Fierit. “Lëvizja Socialiste për Integrim vendosi të jetë në të njëjtin koalicion parazgjedhor me Partinë Socialiste edhe në qeverisjen vendore. Ne tashmë kemi zyrtarizuar bashkimin e votave të këshilltarëve të LSI-së në Këshillin Bashkiak të Fierit me ata të PS-së, çka pritet të sjellë një konfiguracion të ri në nivele lokale”, përfundoi Vasili.
E. H.