Vdekja e vogëlushes 7-vjeçare Arsela Vladi, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, po hetohet nga Ministria e Shëndetësisë. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i dikasterit të shëndetësisë, Vangjel Tavo, i cili gjatë konferencës së fundvitit ka deklaruar se hetimet kanë nisur që ditën e djeshme, ndërkohë që për momentin janë pezulluar nga puna dy shefa repartesh dhe mjeku roje në Durrës.
“Kam urdhëruar ngritjen e dy grupeve me specialistë, një në Durrës, tjetri në QSUT. Presim një hetim të hollësishëm, pas nxjerrjes së konkluzioneve do kemi edhe vendimmarrje. Paraprakisht kam pezulluar shefin e Pediatrisë dhe Shefi i shërbimit të laboratorit në qytetin e Durrësit”, ka deklaruar Tavo. Ndërkohë në një reagim, QSUT-ja ka sqaruar se pacientja vuante nga diabeti i fshehur dhe agresiv dhe kjo ka sjellë shkatërrimin e organeve të brendshme dhe goditjen në tru.
Pipero: Parregullsi në kartelën shëndetësore të 7-vjeçares
Drejtori i Politikave Shëndetësore në MSH, Pëllumb Pipero, gjatë kontrollit në spitalin e Durrësit, për vdekjen e vajzës 7-vjeçare deklaron se kishte parregullsi në kartelën e vajzës, që humbi jetën një ditë më parë. Ashtu si edhe Tavo, Pipero konfirmoi se janë pezulluar nga detyra dy shefat si dhe mjeku roje.
“Janë pezulluar 3 persona për vdekjen e 7-vjeçares. Të pezulluar janë Shefja e Pediatrisë së Durrësit, Irena Lila, Etleva Myshketa, shefe e shërbimit të laboratorit, si dhe mjeku roje, Rasim Lusha”, ka deklaruar Pipero.
Dino Abazi: Reagimi i ministrisë, i nxituar
Për vdekjen e Arsela Vladit ka raguar edhe kreu i Urdhrit të Mjekut, Dino Abazi, i cili është shprehur se do të nisë një hetim të menjëhershëm për ngjarjen. “Do presim analizat mjekësore, do të dalim me vendim. Ne nuk mund të japim deklarata të nxituara për rastin”, tha ai. Abazi e ka cilësuar si të nxituar reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë ndaj tre mjekëve. “Vendimi i Ministrisë, shkelet prezumimi i pafajësisë”, tha ai.
Ngjarja
Vogëlushja Arsela Vladi ndërroi jetë në spitalin e Pediatrisë në kryeqytet, ndërsa më herët ishte shtruar në Poliklinikën e Durrësit, nga ku ka ardhur në gjendje të rëndë. 7-vjeçarja vuante nga diabeti, sëmundje për të cilën nuk kishin dijeni prindërit dhe mjekët nuk kanë mundur ta konstatojnë në kohë. Pas ngjarjes së rëndë, prindërit e vajzës akuzuan mjekët e Durrësit për neglizhencë.
28 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)