Një telefonatë tremb pavijonin e okulistikës: Kjo gjë nuk duhet të dalë! Ndërhyrja, me konsultë të përgjithshme


Silvana Muça / Lorina Mixha


11-vjeçari Denis Alimadhi


Vdekja e 11-vjeçarit Denis Alimadhi, i cili humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale në qepallat e syve, në Spitalin Francez, ende vazhdon të mbetet e paqartë. Askush prej personelit mjekësor, në pavijonin e okulistikës, nuk denjon të flasë. Të gjithë ngrenë supet. Një prej mjekëve tenton që të japë shpjegime, duke kërkuar anonimatin, por një telefonatë e ardhur nga ministria e linjës e “tremb”. Zëri përtej telefonit e sqaron rreth ngjarjes dhe ky i fundit i përgjigjet se “kjo gjë nuk duhet të dalë”. Menjëherë pas kësaj, mjeku në mënyrë arrogante kërkon largimin nga spitali, duke thënë që s’ka asnjë të drejtë që të japë informacion dhe këtë gjë duhet ta marrë te zyra e shtypit. Mirësjellja kthehet në agresivitet, duke mohuar të drejtën e informacionit. Ajo që bëhet me dije, nga burime të sigurta, është fakti se në spital ka munguar një medikament, i cili mund të rriste mundësinë për të jetuar të vogëlushit 11-vjeçar. Personeli që ka qenë në sallën e operacionit, në mënyrë urgjente, i është drejtuar farmacisë së Spitalit Amerikan 2, për të gjetur medikamentin, por pa rezultat. Burime nga farmacia thonë se ilaçi që është kërkuar nga mjekët e Spitalit Francez, për rastin në fjalë, sigurohet nga mjekët kirurgë para ndërhyrjes dhe nuk gjendet në farmaci.


 


Kërkesat e familjarëve


Nga ana tjetër, në mënyrë emergjente, prindërit kërkojnë nga organet e drejtësisë që të zbardhet shkaku i vdekjes së vogëlushit të tyre, pasi pretendojnë se ngjarja e rëndë po fshihet dhe manipulohet nga stafi mjekësor. Ata kanë ende shpresë nga dalja e përgjigjes së ekspertizës mjekoligjore, e cila do u japë sqarime për atë që ka ndodhur. Daja i babait të viktimës, Maliq Hasmuça, ka akuzuar kryetarin e Shoqatës së Anestezistëve Shqiptarë, Tritan Shehu, duke thënë se ky i fundit po tenton të fshehë shkaqet e vërteta të vdekjes së stërnipit të tij. “Deklarata e Tritan Shehut është mjaft e dyshimtë. Ai po tenton që të manipulojë situatën. I gjithë stafi mjekësor po kërkon që të fshehë diçka, kërkojnë të gjejnë një rrugëdalje. Në një deklaratë, anestezisti Shehu thotë se kjo lloj vdekje ndodh një në 100 000 raste dhe në një deklaratë tjetër thotë se ndodh një në 1 000 000 raste. Ai thotë gjithashtu se shkaqet e vdekjes së pacientit janë si pasojë e hipertermisë malinje dhe se kjo lloj sëmundje nuk dallohet në momentin që personi është i gjallë, por dallohet vetëm kur vdes. Çdo të thotë kjo deklaratë? Besoj se ai kërkon që t’u shmanget përgjegjësive profesionale, institucionale dhe kërkon që të shpëtojë dikë”, citon Hasmuça, i afërmi i viktimës. Ndër të tjera, ai thotë se mjekët duhet të njoftonin prindërit për rreziqet që mbart operacioni dhe komplikacionet që mund të shfaqen gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. Madje, mjekët duhet të vinin në dijeni të atin e fëmijës për mungesën e ilaçit, apo çmimin e tij, në mënyrë që ai ta përballonte nga xhepi i vet. Sipas Hasmuçës, vdekja e vogëlushit po mbulohet nga i gjithë stafi mjekësor dhe se ata po tentojnë që të largohen nga përgjegjësia. “Nëse Denisi do të kishte pasur komplikacione si pasojë e hipertermisë malinje, gjatë kohës që është injektuar anestezia, ai do të kishte vdekur në operacionin e parë, para 5 vjetësh. Diçka nuk ka shkuar në atë operacion dhe mjekët po e fshehin. Ndoshta mjekët irlandezë nuk kanë qenë profesionistë, se askush nuk do që të vdesë njeri, shteti duhej që të ishte më vigjilent. Edhe kjo anë është shumë e dyshimtë”, ka vijuar akuzuat ai.


 


Asnjë emër të mjekëve shqiptarë


Ndërhyrja që i solli vdekjen pacientit 11-vjeçar në spitalin “Nënë Tereza” u vendos me shumicë votash nga mjekët okulistë të këtij shërbimi. Grupi i mjekëve që bëri edhe konsultën e përgjithshme, janë marrë me çështjen shëndetësore të pacientit që në vitin 2006. Por emrat dhe stafi i mjekëve që ka qëndruar në asistencë të mjekëve irlandezë dhe që kanë bërë konsultën e përgjithshme nuk bëhet publik as nga shërbimi ORL dhe as nga administrata e spitalit “Nënë Tereza”. Por ajo që sqarohet nga spitali lidhur me ndërhyrjen, është se iniciativa për një operacion të tillë është pranuar edhe nga familjarët.


Atyre u është sqaruar se operacioni ishte i vështirë dhe i rrallë, kjo ishte edhe arsyeja pse është pritur që ndërhyrja të kryhej nga mjekët irlandezë, të cilët prej 7 vitesh operojnë në spitalin tonë. Vogëlushi 11-vjeçar është futur në sallën e operimit pa asnjë komplikacion, por për shkak të një temperature ka humbur jetën në një ndërhyrje që zgjati për rreth 5 orë e gjysmë. Çdo gjë ka nisur mirë, por në mes të operacionit temperatura e lartë 43 gradë Celsius ka sjellë shqetësim të stafit të mjekëve, të cilët janë mbledhur sërish në ekspertizë. Emrat e specialistëve okulistë ende nuk janë zbardhur, por dje kanë reaguar për ngjarjen përfaqësues të shëndetësisë.


Familjarët rrëfejnë se vdekja ka ardhur për shkak të mungesës së një medikamenti që spitali nuk e kishte dhe që mund të mbante në jetë pacientin e vogël. Ndërkohë që mjekët sqarojnë se vdekja ka ardhur për shkak të temperaturës së lartë pothuajse të pakontrollueshme edhe pas dhënies së medikamenteve. “Nuk ka medikament magjik, baza janë masat reanimatore. Së dyti, këtu nuk pret koha të vijë medikamenti nga Italia apo ndonjë vend tjetër. Dantroleni nuk ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri, lidokaina, është specifik dhe është në Shqipëri, por nuk ka siguri 100% që shpëton jetë. Mendoj që të ndjekim deklarata shkencore dhe mos të ecim me hamendje, sepse ju siguroj se ndërhyrja ishte e madhe nga reanimatorët më të mirë, por nuk pati rezultat, temperatura ishte tepër e lartë”, ka deklaruar Tritan Shehu në cilësinë e kreut të reanimatorëve shqiptarë. Megjithëse kanë kaluar mbi 48 orë nga vdekja e vogëlushit në sallën e operacionit, mjekët shqiptarë “lajnë duart”, duke e cilësuar këtë ngjarje si aksidentale.


 


Reagime


Mjeku irlandez: Një shok për grupin tonë – “Në vitin 2008 unë pyeta një kolegun tim, i cili është i specializuar për kapakët e syrit, pasi Denisi kishte një problem të tillë. Ai nuk erdhi dhe ne na u kërkua që ta operonim dhe të tregonim procedurat e operacionit, ndaj dhe ne këtë bëmë. Ky ishte një lloj shoku për ne, ishte shkatërrues për grupin tonë, por edhe për familjen. U munduam për 5 orë e 30 minuta që ta shpëtonim, por thjesht nuk funksionoi”, deklaroi mjeku irlandez, John MC Cain. I njëjti fakt është pohuar edhe nga nëndrejtori i QSUT-së.


 


QSUT: Familjarët morën përsipër rrezikun – “Nga ana jonë janë plotësuar të gjitha dokumentacionet e nevojshme që kanë lidhje me të sëmurin, ku përfshihet kartela klinike, e cila është firmosur nga familjarët e fëmijës, që marrin përsipër të gjitha rreziqet që ndodhin gjatë dhe pas operacionit. Pasi fëmijës i janë kryer ekzaminimet e duhura mjekësore është futur në sallën e operacionit dhe ka filluar normalisht ndërhyrja kirurgjikale. Pothuajse nga mesi i ndërhyrjes fëmija ka pasur një ndërlikim, i cili mendohet se erdhi si pasojë e lëndëve anestezike të përdorura, duke sjellë një hipertermi malinje”, ka sqaruar Boçi.


 


 


Ministri Tavo: Hetim dypalësh – Ministria e Shëndetësisë ka dërguar ekspertë për të hetuar për rastin e 11-vjeçarit që humbi jetën në QSUT. “Ne si Ministri Shëndetësie kemi dërguar ekipin tonë për t’u informuar me rastin dhe për ta hetuar këtë rast, pjesa tjetër u përket organeve të drejtësisë”, tha ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo.


Sipas tij, është një ndërhyrje kirurgjikale që u realizua nga mjekë dhe një ekip vullnetar shumë i specializuar nga Irlanda.


 


 


Fatmir Alimadhi


Babai i 11-vjeçarit: Mungesa e ilaçit, shkaku i vdekjes


Babai i viktimës, Fatmir Alimadhi, tregon gjithçka që ka ndodhur gjatë kohës që vogëlushi është futur në sallën e operacionit. Ai thotë se mungesa e ilaçit është një ndër shkaqet që ka çuar në vdekjen e djalit të tij, duke kërkuar një përgjigje prej mjekëve.


Si e morët vendimin për ndërhyrjen kirurgjikale?


Denisi kishte probleme me qepallat e syve. Atij nuk i hapeshin shumë mirë dhe kështu, me anë të Shoqatës së Mjekëve Irlandezë, të cilët operojnë në Shqipëri prej disa vitesh, kërkova një ndërhyrje kirurgjikale. Ata pranuan që ta merrnin përsipër operacionin e djalit tim, duke më dhënë garanci të plotë për jetën e Denisit.


Ç’ndodhi më pas?


Vendosëm që djalin ta operonim, thjesht për çështje estetike, sepse ai shikonte edhe më mirë se unë. Djali është futur mesditën e së mërkurës në sallën e operacionit me këmbët e veta. Gëzonte shëndet të plotë, pavarësisht se kishte problemin e qepallave, të cilat nuk i hapeshin mirë. Kjo e pengonte pak, prandaj dhe ne si prindër vendosëm që ta operonim. Në sallë ka qëndruar 5-6 orë. U shqetësuam se mjekët na kishin thënë se do të ishte i lehtë. Deri në këtë kohë, asnjë prej mjekëve nuk doli nga salla për të na dhënë informacione të sakta. I mora në telefon dhe më thanë se do të vonoheshin edhe pak. Pas 10 minutash, doli njëri prej mjekëve dhe na komunikoi gjendjen e rëndë shëndetësore.


Çfarë ju tha?


Më tha se gjatë operacionit, Denisi ishte përballur me komplikacione dhe se gjendja e tij ishte rënduar gjatë mesit të operacionit. Tentuan që ta dërgonin te Spitali Amerikan, por nuk më dhanë garanci, nëse ai do ta përballonte transportin. Gjithashtu thanë se po kërkonin një ilaç, të cilin nuk po e gjenin. Kishin nisur kërkimet në Kosovë, Greqi dhe Itali. Madje pritej që një mjek shqiptar të sillte ilaçin nga Italia. Ai mbërrinte në Shqipëri rreth orës 11:00 të darkës. Por ishte shumë vonë, sepse djali im ishte ndarë nga jeta.


Çfarë ilaçi kërkohej?


Nuk e di, sepse nuk ma thanë emrin e ilaçit. U thashë që të ma jepnin, në mënyrë që të kërkonim edhe neve, për të mos humbur kohë, por nuk më kthyen përgjigje. Ndërkaq, përkthyesja e mjekëve irlandezë doli urgjentisht me taksi për të kërkuar ilaçin në farmaci, por asgjë.


A kishte mjekë shqiptarë në operacion?


Unë njihja vetëm një pjesë të stafit irlandez, të cilët ishin 2 anestezistë dhe një okulist. Mbaj mend që ishte edhe një mjeke shqiptare, e cila ishte anesteziste. Emrin e kishte Lindita, por mbiemrin nuk e mbaj mend.


Kush ju lidhi me Shoqatën e Mjekëve Irlandezë?


I kam kontaktuar unë personalisht. Isha në dijeni që operonte një shoqatë bamirësie dhe kërkova ndihmë. M’u përgjigjën pozitivisht për problemin e djalit. E njëjta shoqatë, por jo i njëjti staf, e kanë operuar para 5 vjetësh po te sytë. Nuk pati probleme shëndetësore, vetëm se nuk ishte rezultativ nga ana estetike. Vendosëm që ta operonim për të dytën herë.


Kishit garanci për jetën e djalit?


Mjekët më thanë që operacioni ishte i lehtë dhe më dhanë garanci për jetën e djalit e si pasojë e kësaj vendosa që Denisi t’i operonte të dy sytë.


Çfarë kërkoni?


Djali im iku dhe nuk kthehet më në jetë. Më humbi drita e syve. Kërkoj të di vetëm përse vdiq Denisi. U lutem organeve të drejtësisë që të zbardhë shkaqet e vdekjes së tij, në mënyrë të tillë që edhe ndërgjegjja ime të bjerë paksa në qetësi!


 


 


Profili


Kush është shoqata që ka marrë përsipër operacionin?


Në faqen e saj në rrjetin social “Facebook”, thuhet: “Miqtë Irlandezë të Shqipërisë” është një organizatë bamirëse e regjistruar, e cila ka për qëllim të ofrojë mbështetje mjekësore dhe humanitare për popullin e Shqipërisë. Mbi 60 kirurgë irlandezë, anestezistë, mjekë, infermierë, inxhinierë dhe bio-s CSSD kanë dalë vullnetarë për të shkuar në Shqipëri. Aty thuhet se lidhjet me Shqipërinë i kanë nisur që në vitin 2002, kur vullnetarët irlandezë kanë transportuar nga Spitali “Nëna Tereza” një vajzë të quajtur Alba, drejt Irlandës, për një ndërhyrje kirurgjikale, si pasojë e plagëve që ajo kishte nga djegiet e rënda. Në vitin 2005, pas një vizite të shkurtër në Tiranë, kanë filluar që të dërgojnë ekipe të plota kirurgjikale, për të punuar së bashku me stafin e spitalit “Nënë Tereza”. Në këtë kohë kanë ardhur nga Irlanda 6 ekipe mjekësore, të specializuara në kirurgji plastike dhe maxillo-faciale. Në faqen zyrtare të tyre, thuhet se kanë kryer me qindra operacione, kanë sjellë pajisje mjekësore, si dhe kanë bërë trajnime akademike për mjekët shqiptarë.