Rama: Fjalët e kryeministrit, të neveritshme. Liraku, viktimë e pafajshme e arrogancës dhe indiferencës shtetërore


Partia Demokratike ka reaguar përmes një njoftimi për shtyp pas vdekjes së ish të përndjekurit politik, Lirak Bejko, ditën e djeshme në një spital të Barit, në Itali, ku ai po kurohej për djegie të shkallës së tretë prej më shumë se 20 ditësh. “Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes dhe ndan dhimbjen me ta. Kryeministri i vendit ka porositur të merren masa për të ndihmuar kthimin e trupit në shtëpi”, thuhet në njoftimin e PD.


PD ka akuzuar drejtpërsëdrejti liderin e PS, Edi Rama se instrumentoi dhe përdori politikisht grevën e urisë së ish të përndjekurve dhe aktin e vetëflijimit të të ndjerit Lirak Bejko për pushtetin e tij personal dhe kërkon nga organet e drejtësisë “të hetojë të gjithë organizatorët dhe përgjegjësit e akteve të cilat kishin për qëllim shndërrimin e kufomave në vota”.


“Partia Demokratike dënon organizimin dhe përdorimin politik të këtij akti dhe i thotë zotit Rama se vërtetë jeta e Lirak Bejkos ishte një dramë me disa akte, që filloi me burgosjen e tij nga ata që firmosnin burgosjet, varjet, ekzekutimet për fjalën ndryshe e mendimin ndryshe, vazhdoi me socialistët e Z.Rama që në një akt klasor armiqësor ndërprenë në 8 vitet e pushtetit të tyre dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë. Kjo dramë u finalizua sërish nga Z.Rama dhe kupola e PS me organizimin kundrejt pagesës për qëllime politike të grevës, vendosjes në krye të saj të kriminelëve dhe terroristëve si Tufa dhe Shqevi, djegies për së gjalli për qëllime politike nga Perikli Shqevi të Gjergj Ndrecës, selektimit mbi bazën e kartelës shëndetësore të të ndjerit Lirak Bejko dhe dërgimit direkt te ai me shishet e ujit të shishes së benzinës, duke besuar se flakët që do digjnin trupin e tij do shëndrroheshin në vota për karrigen e Ramës”, – thuhet në njoftimin për shtyp të PD.


Rama: Liraku, viktimë e pafajshme e arrogancës dhe indiferencës shtetërore


Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të PS, Edi Rama i cili përmes një mesazhi në Twitter i ka cilësuar të neveritshme fjalët e kryeministrit për vdekjen e Lirak Bejkos.


“Neveri për fjalët e Kryeministrit mbi vdekjen tragjike të Lirak Bejkos – viktimës së pafajshme të arrogancës dhe indiferencës shtetërore. I lehtë dheu!”- shkruan Rama.


PS: Bejko, viktima nr. 31 e qeverisë, pas viktimave të Gërdecit dhe 21 janarit


Më herët gjatë ditës së sotme, Partia Socialiste, nëpërmjet deputetes Keti Bazhdari, reagoi sërish lidhur me vdekjen e ish të përndjekurit Lirak Bejko, duke e konsideruar “Bejkon si viktimën e 31 të kësaj qeverie, pas 26 të vrarëve në Gërdec dhe katër të tjerëve në protestat e 21 janarit”.


Bazhdari citoi dy fjalë të nënës së të ndjerit, e cila gjatë marrjes së ngushëllimeve, pati thënë: “Sikur kjo qeveri, ky kryeministër t’i kishin thënë dy fjalë, le ta kishin gënjyer, por vetëm të kishin biseduar dhe t’i jepnin fund asaj greve, tani Liraku do të ishte gjallë”.

3 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)