Floran Kondi dërgohet pa jetë në spital, dyshohet overdoza 


Mariglen Mullai


Dr Flori (2)Këngëtari i mirënjohur i muzikës shqiptare “Doktor Flori”, 35-vjeçari Floran Kondi, vdiq mëngjesin e kësaj të hëne në shtëpinë e tij, si pasojë e konsumimit të një sasie të madhe kokaine, çka i ka sjellë pushimin e zemrës. Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00 të ditës së djeshme, në apartamentin e tij, në lulishten “1 Maji”, përballë “Ish-Ekspozitës”, kur bashkëshortja, Blerina, e kishte gjetur në gjendje të pakontrolluar dhe me vështirësi në frymëmarrje. Më tej, ajo lajmëroi me telefon vëllain e “Doktor Florit”, Albanin, dhe të dy fillimisht e dërguan në ambulancë, ku iu injektua adrenalinë. Gjatë transportit për në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, ai ndërroi jetë dhe mbërriti i vdekur në spital, rreth orës 10.20. Policia nisi hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e vdekjes, ndërsa trupi i pajetë iu nënshtrua ekspertizës mjekoligjore. Mësohet se një problem i rëndë shëndetësor i djalit të Floran Kondit, kohët e fundit, kishte sjellë rëndim të gjendjes emocionale dhe psikologjike të këngëtarit, teksa për ta ndihmuar ai kishte vendosur të shiste shtëpinë.


 


Hetimet e policisë


Ekspertët e Komisariatit nr. 2 të Tiranës kanë administruar dëshminë e bashkëshortes 29-vjeçare, vëllait, mjekut që i injektoi fillimisht insulinën, mjekëve të spitalit “Nënë Tereza”, si dhe po presin përfundimet e autopsisë, të cilën Mjekësia Ligjore, pritet ta ketë në dorë në 3-4 ditët e ardhshme, për të dalë më pas në një përfundim paraprak rreth shkaqeve të vdekjes, të cilat për momentin mbeten ato të atakut kardiak dhe për t’u qartësuar përfundimisht duan mbi 10 ditë kohë. Miqtë dhe familjarët kanë lajmëruar se ceremonia mortore do të zhvillohet sot në orën 11.00, në Kombinat, ndërsa trupi i pajetë do të përcillet për në banesën e fundit, në Varrezat e Sharrës. Ai ishte baba i dy fëmijëve, djalit pak javësh dhe vajzës, Kaltrina. Për vdekjen e tij ka pasur reagime të shumta që nisin që nga artistët, miqtë e të njohurit, deri te politikanët. Policia e Tiranës nuk ka ende ndonjë version zyrtar për ngjarjen, pasi paraprakisht vdekja është cilësuar nga shkaqe natyrale dhe priten rezultatet e plota të analizës toksikologjike nga Mjekësia Ligjore, për ta klasifikuar zyrtarisht. Megjithatë, nga dëshmitë e bashkëshortes së këngëtarit, Blerinës dhe të vëllait të tij Albanit, janë mësuar rrethanat në të cilat është gjetur në gjendje të rënduar shëndetësore “Doktor Flori” dhe është plotësuar dosja me provat dhe dëshmitë. Nga burime të policisë dhe nga të afërm e të njohur të Floran Kondit, mësohet se problemet shëndetësore të djalit të tij vetëm pak javësh kanë ndikuar në rëndimin e gjendjes psikologjike, gjë e cila e ka shtyrë të shesë shtëpinë, ndërsa mësohet se kishte borxhe. Këto janë të dhëna jozyrtare, që vijnë nga rrethet shoqërore që kishin pasur kontakte me këngëtarin dhe nuk ka një përfundim të saktë për të formuluar shkaqet e vërteta. Ndërkaq, Policia e Tiranës, ka administruar të gjitha dokumentet spitalore, si atë të poliklinikës ku u dërgua fillimisht këngëtari dhe iu injektua insulinë, ashtu edhe raportin e mjekëve të qendrës spitalore “Nënë Tereza”, të cilët kishin konstatuar vdekjen e 35-vjeçarit. Për shkak se në trupin e pajetë të tij nuk ishin gjetur shenja dhune, policia mësohet se nuk do të nisë hetim penal.


 


Kokaina në trup


Pas mesditës së djeshme, trupi i pajetë i Floran Kondit u dërgua në morgun e Tiranës, pasi familjarët ishin dakord që Mjekësia Ligjore të kryente autopsinë. Kështu, trupi i pajetë i “Doktor Florit”, u mor në dorëzim nga ekspertët mjekoligjorë, të cilët kryen ekspertizën. Burime të sigurta brenda Mjekësisë Ligjore, Tiranë, konfirmuan për gazetën “Shqip” se nga rezultatet e para të ekspertizës rezultoi se vdekja kishte ardhur si pasojë e atakut kardiak, pra pushimit të rrahjeve të zemrës. “Më tej, për të përcaktuar shkakun e këtij ataku kardiak, bëmë një test paraprak, nga i cili konstatuam se në trupin e personit për të cilin interesoheni, kishte shenja të kokainës. Mund të konfirmoj se nuk kishte ndonjë shenjë dhune”, -thanë burimet për gazetën. Pra, dyshimi i vetëm paraprak i Mjekësisë Ligjore mbetet ai se konsumimi i tepërt i drogës së llojit kokainë, ose ndryshe overdoza, ka ndikuar në atakun kardiak. Gjithsesi, për të dalë në përfundime të sakta dhe zyrtare, ekspertët do të presin rezultatet e analizave toksikologjike, të cilat minimalisht duan tre deri në katër ditë kohë për të dhënë informacione paraprake dhe më shumë se dhjetë ditë për të konfirmuar rezultatin e plotë. Nga eksperiencat e mëparshme për rastet kur janë kryer teste paraprake dhe janë gjetur shenja droge në trupat e pajetë që kanë mbërritur në morgun e Tiranës, edhe në rezultatet përfundimtare të 10 ditëve më vonë kanë qenë të njëjtat me ato paraprake.