“I forti i Fierit”
Fatmir Emini ndërroi jetë në spital nga hemorragjia cerebrale
Emini u dënua për vrasjen e nënës së Lul Cakës, Loshit të Karbunarës dhe një biznesmeni në Fier
Fatmir Emini, i njohur si i forti i Fierit dhe që thirrej me nofkën “Mile Çami” ka ndërruar jetë në burg. 57-vjeçari i arrestuar që në vitin 2006 dhe i dënuar për tri vrasje, vdiq si pasojë e një hemorragjie cerebrale në spitalin “Nënë Tereza”, ku ishte transferuar me urgjencë nga burgu i Peqinit. Ai njihej si personi që u përplas ashpër me disa eksponentë të rrezikshëm të krimit në Lushnjë dhe në Berat. Madje, për këto përplasje, Mile Çami njihet si vrasësi i të ashtuquajturit “Loshi i Karbunarës”, nënës së Lul Cakës dhe biznesmenit të ndërtimeve, Gjergji Halo. Për dy prej krimeve, a ishte dënuar me vendim të formës së prerë, ndërkohë që pritej vendim për krimin e tretë, por që ka ndërruar jetë në spital.
Sëmundja dhe vdekja
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi zyrtarisht se dy ditë më parë, rreth orës 16:30, i dënuari Fatmir Emini ka ndërruar jetë në Spitalin e Tiranës, si pasojë e një hemorragjie cerebrale. Sipas
Drejtorisë së Burgjeve, Emini ishte i datëlindjes 14.04.1956, lindur dhe banues në Fier dhe ishte dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë me vendimin e datës 03 qershor 2008 për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, me 22 vite heqje lirie, ndërsa aktualisht kishte kaluar në statusin e të paraburgosurit. “Ai vuante dënimin në Burgun e Peqinit që prej datës 8 dhjetor 2012, pas një transferimi nga Burgu i Krujës, ku ishte vendosur që pas vitit 2006”, deklaruan burgjet. Sipas të dhënave, Emini ka pësuar edhe më parë një goditje tjetër cerebrale. Në momentin që ka ndodhur goditja e dytë, të dënuarit i është ofruar menjëherë ndihma mjekësore pranë QSUT të Tiranës. “I janë bërë ekzaminime urgjent dhe konsulta nga mjekët neurologë dhe reanimatorë sapo është shtruar dhe është trajtuar intensivisht që nga momenti i paraqitjes në spitalin civil. Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve janë marrë masat në koordinimin e punës me Qendrën Spitalore Universitare Tereza, si edhe për sigurinë e tij, ku i dënuari u shtrua me procedurë të përshpejtuar, nisur nga gjendja shëndetësore e paraqitur”, u tha nga DPB-ja.
Dinamika e ngjarjes
Ndërkaq, nga dosja e tij mësohet se Fatmir Emini ishte transferuar nga Burgu i Peqinit që prej datës 7 dhjetor, i cili është dërguar në spitalin e burgut. Atje është paraqitur me diagnozën: Krizë hipertensive, St. post AVC Ishemik, diabet mielitus tip II, me numër regjistri 1072. Sipas kartelës, në momentin e mbërritjes, pacienti kishte humbje të vetëdijes, në gjendje të rënduar. Në këto kushte, pacienti është dërguar urgjent në QSUT “Nënë Tereza” për konsultë kardiologu dhe konsultë neurologu. Atje, pacientit i realizohet konsulta e kardiologut dhe konsulta me mjekun neurolog, i cili i rekomandon skaner koke urgjent. Pacientit i është realizuar menjëherë edhe skaneri i kokës, nga i cili ka rezultuar se ai kishte hemorragji cerebrale. Në këto kushte është kërkuar konsultë me mjekun neurokirurg të QSUT “Nënë Tereza”, por pas konsultës nuk është vendosur ndërhyrje kirurgjikale. Po ashtu i është kërkuar konsultë reanimatorit, ku pas konsultës për arsye të gjendjes shëndetësore të rënduar, është vendosur hospitalizimi në reanimacion. Më datë 9 dhjetor 2013, rreth orës 17:20, është deklaruar vdekja e pacientit.
Mile Çami në burg
Fatmir Emini, i njohur me nofkën “Mile Çami”, u arrestua në Fier më 10 nëntor 2006, për vrasje të dyfishtë. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në dhjetor të vitit 1997, në fshatin Karbunarë të Lushnjës, ku mbeti i vrarë Bujar Sulaj, i njohur me emrin ‘Loshi’ i Karbunarës dhe shoku i këtij të fundit, Eduart Dyrmishi. Për këtë ngjarje, Fatmir Emini është dënuar me 22 vjet burg. Më pas, Mile Çami u dënua dhe me 25 vjet burg për vrasjen e inxhinierit të ndërtimit Gjergji Halo, ngjarje e ndodhur në vitin 1998. Ndërkohë, në prill të këtij viti, ai u dënua nga gjykata e shkallës së parë për vrasjen e nënës së Lul Cakës, Xhevrije Caka, ngjarje e ndodhur në vitin 1999. Por, ky dënim ishte apeluar nga Mile Çami dhe ende nuk ishte marrë vendim i formës së prerë. Red. Akt.
Historia
Tri krimet që rëndonin mbi Eminin, vrasja e dy vëllezërve dhe tentativa e vrasjes së të birit
Seriali i gjakmarrjes me Cakën dhe përndjekja e familjes së Mile Çamit
Historia e përplasjes së të fortit të Fierit, Fatmir Emini, me Lul Cakën dhe me Loshin e Karbunarës zënë fill që në vitin 1997, kur u vra vëllai i tij, Pëllumb Emini. Pas kësaj vrasjeje, Fatmir Emini u bashkua me familjen Yzeiri kundër Lulzim Cakës, duke vrarë nënën e këtij të fundit dhe më pas djalin e tezes së tij, Bujar Sulën, i cili njihej edhe si Loshi i Karbunarës. Nga ana tjetër, familja Yzeiri ishte në hasmëri me familjen Çala në Berat, por Caka kishte miqësi me këtë familje, kështu që Yzeirët ishin në hasmëri edhe me të. Duke pasur të njëjtin kundërshtar, Emini u bashkua me Yzeirët.
Vrasja e vëllait
Për t’iu kthyer vargut të vrasjeve të atyre viteve, sipas dosjes së prokurorisë, rezulton se më datë 21 korrik 1997, në qytetin e Lushnjës, në lavazhin “Sadiku”, është vrarë me armë zjarri Pëllumb Emini, vëllai i Fatmir Eminit. Për këtë vrasje, Gjykata e Fierit ka deklaruar fajtor të dënuarin Lulzim Caka, duke e dënuar me 25 vjet burgim. Por, në këtë vrasje dyshohet se ka marrë pjesë edhe Bujar Sula, i njohur si Loshi i Karbunarës dhe që ishte djali i tezes së Cakës. Duke u nisur nga kjo vrasje, Mile Çami vendosi të hakmerret, duke u bashkuar me Yzeirët.
Loshi i Karbunarës
Pak muaj më vonë, pikërisht më 31 dhjetor të vitit 1997, Mile Çami bie në gjurmë e Loshit të Karbunarës, i cili mendohet se ka qenë ekzekutuesi i vëllait të tij. Në këto kushte, Çami vret Loshin dhe shokun e tij, Eduart Dyrmishi. Pas këtij krimi, më datë 23 mars 2000, është vrarë me armë zjarri në rrugën kryesore për në Kutalli të Beratit i ndjeri Shkëlqim Çala, mik i Cakës, i cili në atë kohë punonte si kryetar komune. Për këtë vrasje Gjykata e Beratit, ka deklaruar fajtor të pandehurin Artan Yzeiri duke e dënuar me 15 vjet burgim.
Nëna e Lul Cakës
Por, hakmarrja e Mile Çamit duket se nuk kishte përfunduar. Kështu, nga hetimet ka rezultuar se në vitin 1999, i dënuari Lulzim Caka, ka qenë i arrestuar dhe qëndronte në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Fier. Më datë 1 korrik 1999, të dënuarin Lulzim Caka, ka shkuar ta takojë e ëma, Xhevrije Caka dhe kunatin i tij. Paraditen e po kësaj date, pranë Komisariatit të Policisë Fier, kanë qenë duke lëvizur me një autoveturë tip Benz Artan Yzeiri dhe Bledar Yzeiri e disa persona të tjerë të dyshuar. Në momentin që e ndjera Xhevrije Caka është afruar pranë komisariatit të policisë, në vendin e takimit me të paraburgosurit, është afruar aty edhe automjeti i Artan e Bledar Yzeirit, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me persona të tjerë kanë rrëmbyer të ndjerën Xhevrije Caka dhe e kanë futur me forcë në automjetin e tyre. Menjëherë automjeti i të dyshuarve, i shoqëruar nga makina të tjera, është larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës së “Zogut të Zi” të qytetit të Fierit. Ndërsa kunati i Lulëzim Cakës që shoqëronte vjehrrën është trembur dhe kur është kthyer në shtëpi, pasi ka biseduar me bashkëshorten, ka vendosur të shkojë ta denoncojë këtë fakt në Policinë e Fierit. Të nesërmen, në vendin e quajtur Stani i Durajve, në perëndim të fshatit Seman i Ri Fier, është gjetur e vrarë me armë zjarri e moshuara Xhevrije Caka. Për këtë vrasje, në prill të këtij viti, Mile Çami është dënuar me 25 vite burg.
Vrasja e ndërtuesit
Ndërkohë, më 12 korrik të vitit 2000 u vra në qendër të qytetit të Fierit, biznesmeni i ndërtimit, Gjergji Halo. Edhe pse kishte informacione që Mile Çami ishte personi më i dyshuar për kryerjen e këtij atentati, policia dhe prokuroria nuk mundën të siguronin prova për vënien e tij nën akuzë deri në vitin 2006, pasi ai u arrestua për vrasjen e Loshit të Karbunarës. Në atë kohë u vërtetua se Mile Çami kishte marrë pjesë në vrasjen e Halos për shkak të Yzeirëve. Vrasja ishte kryer për motive pronësie, për shkak të një sipërfaqeje toke në lagjen “29 nëntori”, të cilën Gjergji Halo e kishte blerë për të ndërtuar një pallat, por që kishte hasur pengesë nga familja Yzeiri, e cila mbështetej nga Emini.
Përndjekja e Eminit
Por, historia e Fatmir Eminit nuk u mbyll me kaq, pasi kur ishte i arrestuar, atij i kërcënuan djalin dhe i vranë vëllain. Më 10 korrik 2010, djali i tij, Ilir Emini u tentua të vritej nga dy persona me thikë, të cilët ishin me një motor dhe të maskuar. Policia nuk mundi të zbardhte ngjarjen dhe as të zbulonte autorët e kësaj përpjekjeje të dështuar për vrasje. Ndërkohë, më 2 dhjetor të vitit 2011, vëllai i Fatmirit, Ismet Emini, 46 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri pranë banesës së tij, në lagjen “29 Nëntori” fare pranë qendrës. Ai u gjet i hedhur në gropën e një lavazhi që ishte në pronësi të tij. Për këto dy ngjarje, deri më sot nuk ka asnjë autor, ndërkohë që pas tyre, Emini kërkoi që të rritet siguria për të në burg, pasi kishte frikë nga ekzekutimi. Madje, autoritetet e burgjeve vendosën ta mbajnë për disa kohë në një burg të miturish, me qëllim që mos të realizohej ndonjë atentat ndaj tij, ndërkohë që vetëm dy ditë më parë vdiq në spital nga hemorragjia cerebrale, duke i dhënë fund një epoke hakmarrjeje.