Majko: Studio e TV, “materniteti” i Erionit
Fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, duket se do të rikthejnë pas 15 vitesh debatin e munguar publik mes kandidatëve që garojnë për kryetarë të Bashkisë së Tiranës. Një ditë pasi kandidati i opozitës, Halim Kosova, u shpreh i gatshëm për një debat televiziv me rivalin e mazhorancës, ky i fundit, Erion Veliaj, reagoi dje, duke thënë se e mirëpret përballjen. Veliaj u shpreh se ai është gati që kjo përballje të ndodhë prej sot në mbrëmje në televizionin më të madh në vend, ku Veliaj është i ftuar në emisionin “Top Story”. Dhe kur duket që dy kandidatët kanë rënë parimisht dakord që debati të zhvillohet, pritet që vetëm stafet e tyre të përcaktojnë ditën dhe studion televizive ku do të dalin përpara publikut me projektet e tyre për Tiranën. Burime nga stafi i kandidatit të PD-së, Halim Kosova, bëjnë me dije se deri tani çështja është një diskutim vetëm përmes deklaratave publike në distancë mes kandidatëve, dhe se ende nuk kanë nisur diskutimet mes stafeve për ta konkretizuar këtë debat. Por kandidati i PD-së, nuk ka mbajtur qëndrim të qartë, por në një postim në “Facebook” shkruan se “sa më shumë qytetarë takoj, aq më shumë bindem se është koha për punë e jo për llafe. Është koha për të marrë përgjegjësi e për të ofruar zgjidhje, jo për të fajësuar të tjerët e për t’u marrë me politikë boshe”. Ndërsa deputeti socialist, Pandeli Majko, është përfshirë në idenë e një përballje publike të dy kandidatëve të Tiranës, të cilën e vlerësoi këtë si një hap që i jep fund një kulture gri politike, që ka thelluar hendekun midis politikës dhe publikut në vend. Por Majko ka edhe një porosi për Halim Kosovën. Ndërkohë, debati i parë dhe i fundit televiziv i kandidatëve për Bashkinë e Tiranës, ka qenë ai mes Edi Ramës dhe Besnik Mustafajt në zgjedhjet e vitit 2000.