Teki Myftaraj, kryeplaku i Belishovës: Të varen pranë vendit të ngjarjes
Edmond Hoxhaj
Teki Myftaraj, vëllai i Enverit, i cili është njëherazi edhe kryeplaku i fshatit Belishovë ka qenë ai i cili kërkoi dje në emër të familjes dhe të të gjithë bashkëfshatarëve varje të autorëve në vendin e ngjarjes. Ai deklaroi për gazetën “Shqip”, se për këtë gjë janë kërkuar të gjithë banorët e zonës që ditën kur u mësua ngjarja, pa e ditur ende se kush ishin autorët. Teki Myftaraj ka përfunduar në apelin e tij, se nëse nuk zbatohej dënimi kapital, atëherë kjo do t’i detyronte t’i ktheheshin Kanunit të Lekë Dukagjinit të shekujve të mëparshëm.
Zoti Myftaraj, cili është qëndrimi juaj në ditën e tretë pas ngjarjes, kur është ndaluar edhe një person si i dyshuar?
Si vëlla që jam, m’u dogj shpirti. Qaj dhe vajtoj e kërkoj drejtësi, megjithëse shpirti do të na ngelet i plagosur përjetë, sa t’u bashkohemi atyre që ikën. Por, unë dua të flas edhe si kryeplak i fshatit Belishovë. Me kërkesë të banorëve të fshatit, jemi duke hartuar një peticion të cilin do t’ia përcjellim Kryeministrit. Në të, ne kërkojmë të gjithë njëzëri, ngritjen e trekëndëshit pikërisht pranë vendit të ngjarjes, aty ku dhanë shpirt e u dogjën vëllai e kunata ime. Aty të varen autorët. Të varen e më pas t’u vihet flaka. Vetëm kjo do t’i mbyllte hesapet në këtë fshat.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Që do të thotë, se nëse bëhet kështu, atëherë pjesa tjetër e familjes Mlakaj, mbetet familje mike me ne. Të jetojnë e të punojnë aty në fshat të qetë dhe askush s’ka për t’u thënë asnjë gjysmë fjale.
Pra edhe ju, ashtu si nipi juaj, djali i Enverit, po kërkoni dënim kapital?
Jo vetëm ne si familje. E thashë edhe më lart se është i gjithë fshati që e kërkon dënimin me vdekje për autorët. Ashtu siç bënë ata duke masakruar të dashurit tanë që ishin ndër njerëzit më të ndershëm të këtij fshati. Nuk i kishin asnjë borxh atyre. Madje ata nuk dihet sa borxh i kishin Enverit që i kishte ndihmuar për 10 vite me radhë. Pse e bënë këtë? Mirë se donin të vidhnin, le ta bënin, tekefundit edhe le t’i vrisnin nëse s’kishin mëshirë si qenie njerëzore, por ama t’i digjnin në këtë mënyrë…, kjo është shumë e rëndë. Ajo që bënë është fatale.
Atëherë, nëse autori dënohet maksimalisht me vite burgu, ju nuk do ta pranonit?
Çfarë vitesh burgu po më thoni?! -Absolutisht jo! Nëse ata dënohen me burg, këtu në fshatin Belishovë të Mallakastrës do të zbatohet Kanuni i Lekë Dukagjinit.
Për sa i përket motivit të ngjarjes, mund të thoni diçka?
Për ne është grabitje e pastër. Dua të shtoj edhe diçka. Nuk mund të ketë qenë vetëm një person që kreu atë masakër. Kasaforta që kishte në shtëpi vëllai im peshonte më shumë se katër kuintalë. Nuk kishte mundësi që një njeri i vetëm ta lëvizte nga vendi. Dhe ata kanë tentuar ta hapin e ta presin, por nuk kanë arritur dot. Për ne autorët kanë dashur të vjedhin paratë.
Autori i ngjarjes ka deklaruar në polici se kishte pasur një konfliktt një vit më parë me Enverin. Dini gjë rreth këtij konflikti?
Nuk kemi dëgjuar asnjëherë për një konflikt të tillë. Autori mund të sajojë gjithçka me qëllim që të fshehë e të mbrojë bashkëpunëtorët e tij. Por ne jemi të bindur se ai e thotë këtë gjë për të mbrojtur autorët e tjerë. Motivi për ne është grabitja e parave. Autorët kanë qenë të mirëpërgatitur. Ata kanë shkuar me armë e me benzinë për t’i djegur. Madje, fishekët e armës së gjahut i kishin bërë disa ditë më parë te dyqani i Enverit.
Motivi – Për ne është grabitja e parave. Autorët kanë qenë të mirëpërgatitur. Ata kanë shkuar me armë e me benzinë për t’i djegur
Dyshimet – Kasaforta që kishte në shtëpi vëllai im peshonte më shumë se katër kuintalë. Nuk kishte mundësi që një njeri i vetëm ta lëvizte nga vendi
Adriatik Myftaraj ngre dyshimet se për masakrimin e prindërve të tij kanë bashkëpunuar disa persona
Djali i viktimave: Shteti të dënojë me vdekje autorët
Pasi familjarët kanë kryer përkujtimoren e ditës së tretë të të ndjerëve, Enver dhe Azbie Myftaraj, ashtu si e ka zakoni, tri bijat kanë shkuar në shtëpitë e tyre. Ndërsa Adriatiku, djali i vetëm i viktimave, është kthyer në banesën e xhaxhait disa orë pas drekës ku morën pjesë qindra të afërm, bashkëfshatarë e dashamirës të tyre. I mpirë prej dhimbjes, ai qëndron i heshtur. Fillimisht e ka të vështirë t’u përgjigjet pyetjeve tona dhe shikimi i tretet larg. Por, pasi kapërdihet disa herë vendos të flasë dhe të bëjë apel për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dënimin kapital të autorit. Ai ka ngritur dyshimet e tij për sa i përket autorësisë së ngjarjes, duke theksuar se një i vetëm nuk mund ta kryente atë masakër.
Policia ka ndaluar autorin e dyshuar të ekzekutimit të prindërve tuaj. Ndiheni sadopak i ngushëlluar nga ky fakt?
Falënderojmë policinë që ka arritur të zbulojë dhe të arrestojë autorin. Por unë dua t’u bëj thirrje organeve kompetente që të gjejnë edhe autorët e tjerë të vrasjes së babit dhe mamit tim.
Ju dyshoni se me të arrestuarin kanë bashkëpunuar edhe persona të tjerë në vrasjen e prindërve të tu?
Po, unë dyshoj se ka edhe të tjerë persona që kanë bashkëpunuar në vrasjen dhe djegien e prindërve të mi.
Pse i keni krijuar këto dyshime?
Në shtëpi ishte një kasafortë që peshonte më shumë se 400 kilogramë dhe jam i bindur se asnjë njeri nuk mund ta lëvizte atë i vetëm. Kasaforta ishte lëvizur nga vendi dhe ishte transportuar disa metra më larg, diku nga mesi i dhomës.
Cili është apeli juaj drejtuar organeve të drejtësisë?
Ne duam që autorët të ekzekutohen në po të njëjtën mënyrë si u ekzekutuan prindërit e mi. Shteti t’i dënojë me vdekje dhe të ekzekutohen aty ku u vranë prindërit e mi. Vetëm nëse ata vdesin në këtë formë ne mund të jemi të qetë.
Ju kërkuat dënimin me vdekje, por në Shqipëri nuk ekziston një dënim i tillë.
Atë ta gjejë shteti ynë, institucionet tona. Të bëjnë si të duan, por ne duam drejtësi dhe për ne, drejtësia vihet në vend vetëm në këtë formë.
Nëse nuk dënohen me vdekje, ashtu si ju po apeloni, atëherë çfarë doni të nënkuptoni me këtë?
Tani nuk po them asgjë. Jemi në pritje që shteti të veprojë. Rasti ynë është shumë i rëndë. Nuk është thjesht një vrasje, por është masakër shumë e rëndë që nuk imagjinohet dot, jo më të kryhet.
Autori i arrestuar ka deklaruar në polici se ka pasur një konflikt rreth një vit më parë me babanë tuaj për një vjedhje në puset e naftës. Keni dëgjuar diçka rreth këtij konflikti?
Për këtë që po dëgjoj nuk di asgjë.

