Një student ka denoncuar universitetin e tij se është detyruar që të paguajë  4 mijë lekë të vjetra për çdo kredit. Në total shuma e paguar për kreditet shkon në 140 mijë lekë, ndërkohë që qeveria thotë se e ka anuluar vendimin. Lajmi është publikuar nga deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi nëpërmjet një postimi në Facebook.


Postimi i plotë


Rama vazhdon turin e tij të mashtrimeve me studentët nga Korça, duke i tundur para syve paktin-indulgjencë e duke i hedhur si “kockë” persekucionin akademik, që “prokurorët” e tij politikë, do bëjnë me pedagogët. Ndërkohë kërkesat e studentëve mbeten në ajër.


Tarifat gjoja të përgjysmuara të “Bachelorit” që i jepen studentëve me dorën e djathtë, u rrëmbehen në shuma akoma të mëdha me dorën e majtë, me tarifë tjetër, atë të krediteve që me demek u anulua. Rasti në foto e tregon. Studenti poshtë në foto, është i detyruar dhe ka paguar 4 mijë lekë për çdo kredit. Për 35 kredite ka paguar 140 mijë lekë. Nga tarifa prej 250 mijë lekësh e “Bachelorit”, ka përfituar gjoja 125 mijë lekë.


Në fund të ditës ai dhe familja e tij kanë paguar në total 15 mijë lekë më shumë. Zhvatje epike në mes të ditës, e shitur, akoma më keq, si falje. Kësaj i thonë: edhe hajdut me çizme edhe mashtrues me çizme!


Gazeta Shqip