KiE, Leidekker: Komisioni nuk është arbitër, thjesht jep këshilla


Fatmir XhafajBrenda dhjetorit, Komisioni i Venecias do të ketë gati raportin (opinionin) e tij mbi sugjerimet që do i përcillen Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, si përgjigje ndaj kërkesës së palës shqiptare për ekspertizën e draft-propozimeve për ndryshimet në Kushtetutë. Ekspertë të së drejtës pranë Partisë Demokratike shpjegojnë edhe procedurën që mund të zgjasë nga dy deri në tre muaj që ndjek Komisioni i Venecias deri në hartimin e draftit të plotë me rekomandimet përkatëse, i cili do u vihet më pas në dispozicion ekspertëve dhe deputetëve shqiptarë për implementimin e tyre në paketën ligjore që do hartohet më pas. Ekspertët bëjnë me dije se ky afat lidhet me procedurën normale që ndjek Komisioni i Venecias, i cili është vënë në lëvizje një ditë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë. Kjo, pasi paraditen e djeshme mësohet se Komisioni Parlamentar për Reformën në Drejtësi i është drejtuar Venecias përmes një email-i, ku i ka përcjellë një material paraprak, në të cilën paraqiten mendimet e palëve për ndërhyrjet e mundshme në ligjin themeltar të shtetit. Ky njoftim do i shërbejë Komisionit të Venecias që të rezervojë një datë të përshtatshme për organizimin e një seance të posaçme, që do të diskutojë mbi nismën e politikës shqiptare, ku do të përcaktojë dhe grupin e ekspertëve, i cili do të analizojë draftet e plota që mazhoranca dhe opozita do i dërgojnë këtë të premte komisionit. Të njëjtin shpjegim dha edhe kreu i zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Marco Leidekker, në një intervistë për “Top Channel”. “Ajo që pritet të ndodhë sapo Komisioni i Venecias të marrë propozimet e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, është caktimi i disa ekspertëve ligjorë të nivelit të lartë dhe me shumë përvojë në nivel ndërkombëtar, të cilët do të vlerësojnë propozimin përkundrejt ligjeve, standardeve ndërkombëtare dhe praktikave më të mira. Ata do të draftojnë një analizë ligjore që në gjuhën e komisionit quhet opinion. Më pas, kjo analizë do t’i dërgohet komisionit të posaçëm dhe Kuvendit për miratim. Pra, ajo që do të marrë Shqipëria nga Komisioni i Venecias është këshillim ligjor bazuar mbi propozimet e dërguara. Më lejoni të theksoj se Komisioni i Venecias që përbëhet nga ekspertë me autoritet, nuk është arbitër. Nuk është një organizëm që do të përcaktojë kush ka të drejtë e kush e ka gabim. Prandaj, ata nuk do të zëvendësojnë aspak proceset politike vendase. Në fund është gjithmonë vendimi i Shqipërisë dhe i politikanëve shqiptarë se çfarë është e përshtatshme apo jo për vendin”, shpjegoi Marco Leidekker. Por ndryshe nga mendimi i opozitës, përfaqësuesi i KiE-së thekson se opinioni i Venecias mund të jetë gati brenda 6-7 javësh. Ndërkaq, deri të premten, PS-ja dhe LSI-ja pritet të përfundojnë shqyrtimin e amendimeve të sjella dy ditë më parë nga LSI-ja, lidhur projektligjin për ndryshimet në Kushtetutë, të depozituar pranë Komisionit nga GENL-ja, në mënyrë që ato të përmblidhen në draftin e plotë të mazhorancës. Gjithashtu, edhe opozitës i është lënë kohë deri të premten që të hartojë propozimet e saj konkrete për reformën kushtetuese, të cilat do u dërgohen për shqyrtim ekspertëve të Komisionit të Venecias.