Gëzim Hamiti gjendet prej javësh në QSUT pa solidaritetin, në emër të të cilit i vuri flakën vetes


Fatjona Mejdini


Gëzim Hamiti, prej javësh ndodhet në një dhomë në spitalin universitar të Tiranës, në repartin e reanimacionit, me djegie të rënda. Në dhomën ku hyn e del një infermiere, gjendet vetëm bashkëshortja e tij. I vetëdjegur përpara Bashkisë në Pogradecit në shenjë solidarizimi me grevën urisë të të përndjekurve politikë në Tiranë, rasti i Hamitit u trajtua nga mediat si një revoltë ndaj shkarkimit nga puna në sektorin e gjelbërimit të qytetit. Për shkak të keqkuptimit “fatal”, për shëndetin e tij kujdesen vetëm familjarët, ose thënë ndryshe vetëm bashkëshortja. Pjesa tjetër e familjes e ka të vështirë të udhëtojë në Tiranë, për shkak të skamjes ekonomike. Ai flet për këtë histori në një intervistë për “Shqip”.


Cili ka qenë motivi që iu shtyu t’i vinit zjarrin vetes përpara Bashkisë së Pogradecit, në mesin e muajit tetor?


Në fillim, dua të them që unë jam një i përndjekur politik dhe vonesa në kompensimin e parave që më takojnë, është arsyeja për të cilën i vura vetes flakën përpara Bashkisë së Pogradecit. Gjatë kohës së regjimit komunist, kam qenë pesë vite në internim. Në vitin 1985, bëra një tentativë për t’u arratisur nga Shqipëria përmes liqenit të Pogradecit. Fatkeqësisht policia më zbuloi dhe më dënuan me 11 vjet burg. Për pesë vite me radhë kam qenë i burgosur në Qafën e Barit dhe në Burrel. Në burg kam pasur rast të njoh Gjergj Ndrecën, Lirak Bejkon dhe shumë nga të përndjekurit që ishin pjesë e grevës së urisë që u mbajt këtu në Tiranë. Nisur nga greva e tyre, unë doja që dhe ne të përndjekurit që jetonim në Pogradec të kishim mundësi të mblidheshin për t’i mbështetur shokët tanë në Tiranë. Nisur nga kjo, pasi kisha përfunduar punën, atë ditë shkoj të takoj Ethem Fezollarin, i cili është dhe kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve në Pogradec. I kërkova të hapte dyert e selisë ku është shoqata, për të nisur dhe ne grevën, por nga ana e tij nuk gjeta miratim për këtë ide. I mërzitur dola prej andej dhe mendova se më kishte mbetur vetëm t’i vija flakën vetes. Shkova para baskisë dhe thërrita “Dua paratë e mia”, u leva me benzinë dhe i vura flakën vetes, pa menduar më asnjë…


Kur e morët vesh që mediat lokale, por dhe ato kombëtare e kishin trajtuar vetëdjegien tuaj si gjest revolte ndaj pushimit nga puna? Si u ndjetë?


Historinë se unë isha djegur për shkak të pushimit nga puna në gjelbërimin e Bashkisë së Pogradecit e mora vesh nga gruaja ime pak ditë pasi kisha ardhur për kurim intensiv në Tiranë. Nuk arrij dot ta kuptoj se pse lajmi është transformuar në këtë mënyrë dhe u ndjeva shumë keq. Aq më tepër, unë nuk kam pasur asnjë problem gjatë punës në këtë bashki. Gjej rastin të falënderoj kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, i cili më ka punësuar shtatë vite më parë, ndonëse unë jam i përndjekur dhe ai një socialist. Përpara se të filloja punë në gjelbërim, isha në një situatë shumë të vështirë ekonomike. Nisur nga statusi im si ish i përndjekur dhe votues i PD-së shkova t’i kërkoja punë kryetarit të PD-së në Pogradec, Niko Duda. Kërkesës sime për një punë, për të mbajtur familjen, ai iu përgjigj me ashpërsi se “nuk kishte një zyrë punësimi”. Pas kësaj situate, u detyrova të kërkoja punë në bashki, ku më pranuan dhe u jam vërtet shumë mirënjohës.


Sa para keni përfituar nga dëmshpërblimi për ish të përndjekurit politikë?


Në fund të vitit 2009 kam marrë vetëm këstin e parë, që ka qenë 2 milionë e gjysmë lekë (të vjetra), në një kohë kur pres të marr dhe 25 milionë lekë (të vjetra), për të cilat nuk kam asnjë ide kur duhet t’i marr. Dua të theksoj se kërkesat e mia ndaj qeverisë “Berisha” janë vetëm ekonomike, kërkoj të marr atë çfarë më takon, për të ushqyer familjen. Sikur ne të jetonim në një vend tjetër, jeta do kishte qenë më ndryshe, por këtu nuk arrijmë dot të marrim as paratë për burgun. Gjej rastin t’i kërkoj Kryeministrit Berisha që t’i japë zgjidhje sa më shpejt kësaj çështjeje. Dua që çështja për të cilën dhe u vetëdogja të shkojë deri në fund…


 


Jetesa


Gëzim Hamiti thekson se ai jeton prej shtatë vitesh me një pagë prej 150 mijë lekësh (të vjetra) duke punuar si kopshtar pranë Bashkisë së Pogradecit. Ai thekson se me këtë pagë mban dhe gruan, e cila është e papunë si dhe djalin e tyre 4-vjeçar. Hamiti thekson se jetojnë në një dhomë të shtëpisë së të vëllait, pasi ai vetë nuk ka pasur mundësi të përfitojë një të tillë.


 


Flet bashkëshortja e ish të përndjekurit


Teuta Hamiti: Gëzimi donte të vinte për grevë në Tiranë,


por nuk kishim lekë


Bashkëshortja e Gëzim Hamitit, Teuta, deklaron se është shumë e shqetësuar për gjendjen shëndetësore të tij, nisur nga fakti se djegiet janë shumë të rënda dhe situata e tij shëndetësore po përmirësohet tepër ngadalë. Teuta tregon për “Shqip” se në momentin që ka marrë vesh për aktin e të shoqit, ishte e qartë se pse ai e kishte ndërmarrë këtë gjest. “Me nisjen e grevës së urisë të të përndjekurve në Tiranë, Gëzimi më tha se do të donte të nisej atje për t’ju bashkuar shokëve të tij. Por unë i thashë që e kishim të vështirë nga ana ekonomike, për të përballuar qëndrimin e tij në Tiranë. Ai ra dakord me këtë dhe më tha se do t’i kërkonte kryetarit të Shoqatës së të Përndjekurve të zhvillonin një grevë në Pogradec. Kur mora vesh se ai i kishte vënë zjarrin vetes, e kuptova menjëherë motivin”, thekson Teuta Hamiti. Ajo flet për situatën e vështirë ekonomike që familja po përjeton, papunësinë e saj të gjatë, për djalin e vogël vetëm katër vjeç si dhe për pamundësinë për të marrë paratë që Gëzimit i takojnë nga procesi i dëmshpërblimit si ish i përndjekur politik. Sipas saj, qeveria duhet të kryejë detyrën dhe t’i dëmshpërblejë këta njerëz, në mënyrë që t’ju japë mundësinë të bëjnë një jetë normale dhe të denjë.


 


Misioni


Hamiti u vetëdogj përpara Bashkisë në Pogradecit, në shenjë solidarizimi me grevën urisë.


Keqkuptimi


Nga mediat lokale dhe ato kombëtare, rasti i Hamitit u trajtua si një revoltë ndaj shkarkimit nga puna.


Ndihma


Një nga koordinatorët e grevës së urisë, Skënder Tufa, ka kërkuar që Gëzim Hamiti të dërgohet jashtë vendit për kurim.