Islam Duçkollari, babai i oficerit të vrarë, Saimir Duçkollari


Vetëvritet me armë gjahu babai i oficerit të policisë të vrarë nga Dritan Dajti. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme, në zonën e Selvisë në kryeqytet, ku Islam Duçkollari është gjetur i pajetë në banesë nga familjarët e tij. Islam Duçkollari ishte babai i oficerit të policisë Sajmir Duçkollari, i cili mbeti i vrarë më 7 gusht 2009 nga Dritan Dajti gjatë një aksioni për kapjen e tij, ku humbën jetën edhe 3 efektivë të tjerë policie.


Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e saj, ndërsa paraprakisht mendohet se Duçkollari i ka dhënë fund jetës në kushtet e një depresioni të thellë.


Dritan Dajti, një i shumëkërkuar nga policia, që kishte arritur të arratisej në mënyrë spektakolare nga gjykata, u prangos më 7 gusht 2009, pas një operacioni të organizuar për kapjen e tij në zonën e plazhit të Durrësit, ku mbetën të vrarë prej tij 4 oficerë policie: Sajmir Duçkollari, Fatos Xhani, Sajmir Feskaj dhe Altin Dizdari. Ndërkohë, edhe tre vjet pas ngjarjes së rëndë, procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit ende nuk është mbyllur në Gjykatën e Tiranës.

15 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)