Vetëvritet ish-kryetari i Shoqatës së Arkitektëve dhe pedagogu në Inxhinierinë e Ndërtimit, Agron Jano. Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme kur Jano është hedhur nga kati i katërt i pallatit ku banonte, në zonën e ish-Bllokut, ndërsa ka humbur jetën në spital ditën e sotme.
Dyshohet se Jano i ka dhënë fund jetës në kushtet e një gjendjeje të rënduar psikologjike, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Agron Jano ka lindur në Fier, në vitin 1954. Është diplomuar si arkitekt në Universitetin e Tiranës në vitin 1977. Krahas aktivitetit projektues si arkitekt objektesh të rëndësishme dhe panairesh në Shqipëri, Francë, Itali, Gjermani, Zvicër, Portugali e Kosovë, ka marrë pjesë edhe në konkurse ndërkombëtare siç janë: Katedralja Ortodokse e Tiranës (2001), vlerësuar me çmimin e dytë; Studimi Urbanistik i Qendrës së Durrësit (2005), vlerësuar gjithashtu me çmimin e dytë; Parlamenti i Shqipërisë (në bashkëpunim me ark. Mario Campi dhe ark. Fabio Reinhart (2007), vlerësuar me çmimin e parë. Ka qenë kryetar i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë (2001-2008). Që nga viti 1978 ishte pedagog i jashtëm pranë Departamentit të Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës.
10 mars 2013 (gazeta-Shqip.com)