“Kam qenë me shokët e mi të ngushtë dhe do u kthenim nëpër shtëpi. Më tha zbrit nga biçikleta dhe nuk zbrita sepse kisha frikë se ma merrnin. Më pyetën për moshën, pastaj erdhën disa policë. Nuk zbrita sepse kisha frikë. Më kapën deshën të më vinin prangat. Më qëlluan. Më çuan në komisariat dhe më bënin presion”. Kjo është deklarata e djalit Sarandit, 15-vjeçarit të dhunuar nga policia, ku edhe video e shpërndarë bëri shumë bujë.
Ai thekson se “kur erdha në shtëpi isha i habitur. Nuk u ndjeva mirë fare. Më goditën edhe brenda makinë. I njëjti polic. Në rajon më bëri presion”. Ngjarja sipas tij ndodhi për faktin se ai me dy shokët e tij ngatërruan rrugën dhe dolën në zonë qorre dhe papritmas u përballën me policët, të cilët më pas lajmëruan patrullën e policisë.
Këto rrëfime, 15-vjeçari i bëri në momentin kur ish-deputetja e PD-së, Oriola Pampuri bëri një vizitë në familjen e djaloshit të dhunuar.
Ndërsa e ëma shprehet se ishte e tronditur nga kjo ngjarje dhe ka pësuar një tronditje të thellë psikologjike.
“Faleminderit. Nuk ia uroj askujt këtë sprovë por kjo është shumë e rëndë. Djali im ka një muaj që i ka bërë 15 vjeç. Kishte vetëm një javë që kishte dalë. Nuk e kuptoj pse e qëlluan, pse e morën në rajon. Nuk kam vënë gjumë në sy dje. Nuk di ku të kërkoj ndihmë psikologjike. Unë jam qytetare e këtij vendi. Kam pasur mundësi të largohesha nga ky vend, por nuk kam ikur. Po tani ndihemi të pasigurtë”, u shpreh nëna e tij.
Avokati i Popullit
Ndërsa bëhet e ditur se Avokati i Popullit ka nisur hetimet për ngjarjen e ndodhur, për goditjen e 15-vjeçarit. Në një deklaratë publike, Avokati i Popullit shprehet se “në mediat sociale është publikuar një video, ku dallohen punonjësit e policisë së shtetit duke ushtruar dhunë kundrejt një të mituri në afërsi të liqenit artificial të Tiranës. Në mbështetje të nenit 13, të ligjit nr.8454, datë 4.2.1999 “Për Avokati e Popullit, të ndryshuar, Avokati i Popullit filloi procedurën e shqyrtimit të çështjes për rastin e paprecedent të dhunës së ushtruar nga forcat e rendit publik kundrejt një minoreni”.
“Institucioni i Avokatit të Popullit u ka dërguar kërkesa për informacion institucioneve përgjegjëse dhe gjithashtu ka vendosur kontakt me prindërit e të miturit të dhunuar. Veprimet e dhunshme të kryera nga punonjësit e rendit publik janë të patolerueshme dhe AP kërkon nga organet kompetente të ndërmarrin veprimet urgjente karshi këtyre punonjësve, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet më tej në deklaratë.
Avokatit i Popullit në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, për garantimin me efektivitet të ushtrimit, respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijës, në përfundim të hetimit administrativ për rastin në fjalë do të përgatisë raportin përmbledhës me rekomandimet përkatëse.
“Lufta kundër ushtrimit të dhunës është përgjegjësi e shtetit. Ndërsa, qeveria ka ndërmarrë një sërë masash, për të garantuar shëndetin e qytetarëve nga COVID-19, autoritetet shtetërore duhet të vlerësojnë dhe të kujdesen, që këto masa mos të cedojnë e çojnë në shkeljen e të drejtave të njeriut në përgjithësi, si dhe të fëmijëve në veçanti, për të bërë të mundur mbrojtjen e qytetarëve dhe fëmijëve nga të gjitha format e dhunës, e sidomos, kur ato përdoren si mjet ndëshkimi nga punonjësit e Policisë së Shtetit. Askush nuk duhet të detyrohet të zgjedhë papajtueshmërinë me ligjin. Autoritetet duhet të garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve të tyre, sidomos të fëmijëve, qoftë nga rreziku i infektimit prej virusit, ose nga dhuna, e cila gjen strehë në këtë periudhë të kufizimit drastik të lëvizjeve”, thuhet më tej në deklaratë.
https://www.facebook.com/partiademokratike/videos/1642851699205147/