Vendimi


Ata nuk janë paguar për ekspertizën e kryer për Gjykatën e Lartë


Vlera


Sipas faturave të paraqitura, bëhet fjalë për një shumë prej 36.6 milionë lekësh, që tashmë buxheti i shtetit duhet t’u japë tre ekspertëve, Artur Rrahmani, Ermal Beqiri dhe Ardian Pollo


Detyrimi


Herë pas here, ekspertët e kanë kërkuar shumën financiare te Drejtoria e Financës në Gjykatën e Lartë, por nuk kanë mundur të zgjidhin gjë, pasi ajo ia ka ngarkuar Prokurorisë së Përgjithshme


Urdhri


Përmbaruesja Enirjeta Zisi i ka dërguar një kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave, që brenda dhjetë ditëve të paguajnë shumën prej 36.6 milionë lekë të vjetra


video-meta-priftiTre ekspertët privatë që u thirrën nga Gjykata e Lartë për videon Meta-Prifti, për të cilën deklaruan se nuk ishte origjinale, nuk janë paguar nga shteti shqiptar. Për këtë arsye, ata i janë drejtuar gjykatës me një kërkesë që Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Financave të japin lekët e kryerjes së ekspertimit në studion e tyre. Bëhet fjalë për një shumë prej 36.6 milionë lekësh, që tashmë buxheti i shtetit duhet t’u japë tre ekspertëve Artur Rrahmani, Ermal Beqiri dhe Ardian Pollo, të cilët dy vite më parë u caktuan nga Gjykata e Lartë, si ekspertë për të thënë fjalën e fundit rreth origjinalitetit të video-përgjimit mes Dritan Priftit dhe Ilir Metës. Madje, për marrjen e parave është vënë në lëvizje edhe zyra përmbarimore, pasi ka marrë në dorë urdhrin e ekzekutimit.


Sipas të dhënave, pas dhënies së konkluzioneve të tre ekspertëve rreth video-përgjimit, ata i paraqitën edhe një faturë financiare Gjykatës së Lartë. Për shkak se kjo e fundit nuk ka pasur mundësi të paguajë gjatë kohës kur zhvillohej procesi gjyqësor, në fund të këtij procesi Gjykata e Lartë ia ka faturuar këtë shumë financiare palës humbëse në proces, që në këtë rast ishte Prokuroria e Përgjithshme. Tashmë çështja është marrë në dorë nga përmbarimi, ku përmbaruesja Enirjeta Zisi i ka kërkuar Ministrisë së Financave dhe Prokurorisë së Përgjithshme të ekzekutojnë vullnetarisht vendimin, duke paguar shumën prej 36.6 milionë lekësh. Në kushtet e një detyrimi financiar, tre ekspertët Artur Rrahmani, Ermal Beqiri dhe Ardian Pollo, i kanë paraqitur Gjykatës së Lartë dhjetëra fatura që tregojnë çmimet që janë blerë, programet kompjuterike për ekspertimin e videos Meta-Prifti, si dhe disa pajisje të tjera kompjuterike. Në total, kjo shumë kap shifrën e 36.6 milionë lekëve të vjetra. Herë pas here, tre ekspertët e kanë kërkuar shumën financiare te Drejtoria e Financës në Gjykatën e Lartë, por nuk kanë mundur të zgjidhin gjë. Më pas, ata kanë ndërmarrë një nismë tjetër, duke kërkuar nga Gjykata e Lartë, nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit të vendimit penal, që nxirrte të pafajshëm Ilir Metën dhe zbatimin e këtij vendimi në pikën që flet për shpenzimet gjyqësore. Në fakt, kjo kërkesë është marrë në shqyrtim nga Gjykata e Lartë, por nuk është miratuar. Në këto kushte, tre ekspertët i janë drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, si palë humbëse në gjyq, duke i kërkuar nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit të vendimit dhe pagimin e shumës. Pak ditë pas kërkesës, në muajin mars të këtij viti, një prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme ka miratuar kërkesën e tre ekspertëve, duke i hapur rrugën zyrës shtetërore të përmbarimit për ekzekutimin e vendimit penal.


Pak ditë para nxjerrjes së urdhrit të ekzekutimit, përmbaruesja Enirjeta Zisi i ka dërguar një kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave, që brenda 10 ditëve këto dy institucione të paguajnë shumën prej 36.6 milionë lekësh të vjetra. Kjo shumë, sipas përmbarueses, rrjedh si zbatim i vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila shpenzimet procedurale dhe ato gjyqësore ia kalonte në një pikë të vendimit palës humbëse, që është Prokuroria e Përgjithshme. Nuk ka vonuar shumë dhe kanë mbërritur përgjigjet e dy institucioneve, ku Ministria e Financave e ka shmangur totalisht veten nga ky detyrim, duke saktësuar se ky institucion nuk ka qenë palë në procesin penal, ku i pandehur ishte ish-kryeministri, njëherësh lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Me këtë përgjigje, ministria duket se nuk pranon të japë asnjë qindarkë në llogarinë bankare të tre ekspertëve, ndërkohë që, nga ana tjetër, Prokuroria e Përgjithshme duket se nuk ka fondet e mjaftueshme për të paguar një shumë të tillë. Në këto kushte, tre ekspertët i janë drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, si palë humbëse në gjyq, duke i kërkuar nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit të vendimit dhe pagimin e shumës prej 36.6 milionë lekësh. Ble. Gi.


 


Vendimi


Konkluzioni i ekspertëve: Video nuk është origjinale


Video-përgjimi Meta-Prifti është cilësuar si jo origjinale nga tre ekspertët. Konkluzionet janë dhënë gjatë seancës së 31 tetorit 2011 në Gjykatën e Lartë, ku ekspertët Ardian Pollo, Ermal Beqiri dhe Artur Rrahmani thanë se në orën e dorëzuar nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të video-përgjimit origjinal. Tre specialistët theksuan se mundësia për ndërhyrje në videon e bisedës është e madhe. Materiali, sipas tyre, ka shumë zhurma dhe në disa pjesë fjalët nuk kuptohen. Niveli i zërit është nën standardin normal, pra është i paqartë. Sipas tyre, ekziston mundësia e ndërhyrjes në bisedë, pasi hapësirat teknike për një veprim të tillë janë të mëdha. Ekspertët nënvizuan edhe faktin se ora dhe data e xhirimit nuk kuptohen, pasi nuk kanë përputhshmëri, për pasojë, nuk mund të thuhet nëse është ora ajo që është përdorur për këtë regjistrim. Pas paraqitjes së konkluzioneve, prokuroria kërkoi 10 ditë kohë në atë kohë për të verifikuar programet me të cilat punuan tre ekspertët, për të verifikuar cilësinë e tyre. Por sërish në atë kohë avokatët e Metës thanë se vetëm një javë është plotësisht e mjaftueshme, pasi programet janë cilësuar më herët nga ekspertët në gjykatë dhe janë të licencuara. Raporti erdhi në kohën kur video-përgjimi i është nënshtruar më parë verifikimit nga një ekspert i huaj, i kontaktuar nga organi i akuzës, por i panjohur nga Gjykata e Lartë.