Shukri XheliliGjykata e Krimeve të Rënda urdhëron ndalimin e ish-kreut të Bashkisë së Dibrës, i denoncuar me zë dhe figurë duke i kërkuar favore seksuale një 20-vjeçare, në këmbim të vendit të punës


Ish-kreu i Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, është arrestuar dje me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Policia e ka ndaluar në Dibër, disa orë pas vendimit të gjykatës, e cila ka vendosur masën e arrestit burg pa afat. “Arrestimi i tij u bë mbrëmjen e së hënës, më 16 maj, rreth orës 19:45, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur për të masën e sigurisë arrest me burg për akuzën e korrupsionit pasiv në formën e kërkimit të favoreve seksuale, në këmbim të një vendi pune në strukturat e varësisë së bashkisë së Dibrës”, pohojnë burimet zyrtare nga Policia e Shtetit. Sipas tyre, ish-kreu i bashkisë pritet të dalë para gjykatës për t’iu komunikuar masa.


Arrestimit


Dje në mesditë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e arrestit burg pa afat për Xhelilin, me akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve publikë. “Drejtoria për hetimin e krimit ekonomik e financiar, nëpërmjet sektorit për hetimin e korrupsionit në ekzekutim të vendimit me numër 99, të datës 16 maj të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ekzekutoi masën e sigurisë ‘arrest ne burg’ për shtetasin Shukri Xhelili, 56 vjeç, si i dyshuar për veprën penale ‘korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë’” tha zyrtarisht policia. Sipas saj, arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr.100 të vitit 2016, regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. “Kapja dhe ndalimi i tij u bë në Tiranë nga Strukturat e Drejtorisë për Krimin Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Dibrës”,- tha policia. Më parë, ish-kreu i Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, u hetua për tri vepra penale, pas publikimit të videoskandalit, ku ai është filmuar me zë dhe figurë teksa i kërkonte favore seksuale një 20-vjeçareje, në këmbim të vendit të punës. Ish-kryebashkiaku i Dibrës, i cili u shkarkua me një vendim qarkullues të Këshillit të Ministrave, do të hetohet në gjendje të lirë. Në filmimet e transmetuara të enjten e kaluar në mbrëmje, Xhelili i kërkon favore seksuale një vajze të re për një vend pune. Pasi i firmos kontratën, Xhelili dhe vajza takohen në Tiranë dhe shkojnë në një hotel në kryeqytet, mirëpo vajza, që kishte regjistruar gjithçka me kamera, refuzon të kryejë marrëdhënie seksuale duke u larguar nga hoteli në momentet e fundit. Të gjitha veprimet procedurale janë kryer nën kryesimin e prokurorit të Rrethit Gjyqësor të Dibrës.


Mbrohet vajza


Policia ka marrë në ruajtje banesën e 20-vjeçares që denoncoi publikisht ish-kreun e Bashkisë së Dibrës se i kërkoi favore seksuale në këmbim të vendit të punës. Me kërkesë të prokurorisë, policia ka shkuar në banesën e familjes, ndërsa kjo masë vjen edhe pas publikimit në median online të vajzës. Burimet pranë Policisë së Shtetit thanë se me kërkesë të prokurorisë, janë marrë masa për ruajtjen fizike të saj, familjes dhe banesës ku jetojnë në Dibër. Kjo për të shmangur çdo përplasje mes saj, familjarëve dhe personave të tjerë të afërm apo njohur të ish-kryetarit të Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili. Sipas policisë, mësohet se kërcënime direkte ndaj vajzës apo familjarëve nuk ka pasur, por në rrjetet e ndryshme sociale fotoja e vajzës është publikuar. Vajza 20-vjeçare nga Dibra është marrë në pyetje nga prokuroria, e cila ka dëshmuar njohjen me ish-kreun e Bashkisë së Dibrës. Ajo ka pranuar se është ai që e ka punësuar dhe për këtë fakt, i kërkonte favore seksuale. E ndier nën presionin e kreut të bashkisë, ajo kishte vendosur ta filmonte duke u vetofruar në një media, e cila më pas ka kryer regjistrimin. Ndërsa ish-kreu i bashkisë ka pranuar njohjen me vajzën, por nuk ka pranuar të flasë ose komentojë videoskandalin apo akuzat e ngritura ndaj tij nga prokuroria.