Në seancën e KPK, ONM-ja zbuloi se gjyqtari Admir Thanza ka qenë i dënuar për vjedhje në shtetin italian, të dhënë që nuk e ka deklaruar në formular.


“Admir Thanza ka qenë i dënuar nga shkalla e parë në Itali në vitin 1999 me 40 ditë burg dhe 100 mijë euro gjobë, për vjedhje në bashkëpunim me persona të tjerë”, ishte konkluzioni i lexuar nga KPK-ja.


Vetë gjyqtari Thanza është shprehur se e ka pranuar këtë ngjarje për nipin e tij.


“E pranova ngjarjen për djalin e vëllait. Nuk kuptova gjë me pas që do ishte gjobë. E bëra për familjen. Unë kurrë nuk do ta bëja dhe nuk e bëj dot. Nuk e imagjinoni ato skena të dhimbshme kur një xhaxha përjeton për djalin e vëllait të tij, nuk e deklaroj dot më shumë. Ai ishte në gjendje kritike, falë humanizmit Kristiani u mor përsipër të kurohej në Itali. Fale budallallëkut të ish-kunatës sime, pra nëse ish-kunata ime do ndahej fëmija do ngelet pa përkrahje. E mora përsipër jo për të shpëtuar kunatën, por për të mbrojtur nipin. Ai fëmijë është shpirti e jeta ime, vendsa të shkatërroja jetën time për atë fëmijë, ju sot mund të mendoni që unë e kam kryer, por po ju them që ai fëmijë është 28 vjeç. E sakrifikova jetën për të”, është përgjigjur me lot në sy Thanza.


Sipas KPK-së, të ardhurat e familjes Thanza në periudhën 1992-2003, nuk kanë qenë të mjaftueshme për të justifikuar vënien e pasurive të deklaruara.


Vetë gjyqtari shkodran, duke folur për mosjustifikimin e pasurisë, tha: “Ajo pasuri është djersa jonë, buka dhe e ardhmja e fëmijëve të mi. Kam humbur fëmijërinë e tyre, duke u përkushtuar në punë”. Trupa vendosi që vendimi do të merret më 17 korrik.


10 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)