romana-vlahutinAmbasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, gjatë një deklarate për mediat, tha se e ardhmja e vendit varet nga reforma në drejtësi. Sipas saj, të gjitha reformat e tjera janë të lidhura me atë të drejtësisë.  “Parlamenti duhet të miratojnë para verës një reformë drejtësie shumë të plotë dhe të thellë. Nëse do të ketë shenja të zbatimit të sistemit të ri, Shqipëria do të mund të marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni dhe Shtetet Anëtare mund të konsiderojnë nëse duhen hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë. Drejtësia dhe korrupsioni e përjashtojnë njëri-tjetrin. Kjo, shpresojmë, të rikthejë ose krijojë besimin tek institucionet, që është një parakusht për funksionimin normal të një shoqërie.  Një tjetër përfitim është ai ekonomik, si kriteri kryesor për të cilin interesohen kompanitë e huaja në një vend kur u duhet të marrin një vendim nëse do të investojnë ose jo është zbatimi real i shtetit ligjor.


Dhe përfitimi i tretë, sipas saj, është përmbushja e kritereve dhe standardeve për integrim të plotë në BE. Për këtë, reforma e thellë e gjyqësorit është domosdoshmëri, dhe mendoj se kjo tani është e qartë për të gjithë. Të gjitha reformat e tjera janë drejtpërsëdrejti të varura nga reforma e sistemit të drejtësisë, dhe ndihma financiare shkon gjithashtu në këtë drejtim.  Viti 2016 mund të jetë një vit shumë, shumë i mirë për Shqipërinë. Sigurohuni që të mos e humbisni këtë mundësi. Shqiptarët meritojnë ta jetojnë jetën e tyre si të gjithë qytetarët e Evropës. Duhet të kërkoni atë që meritoni. Për sa i përket çështjes së fluksit të refugjatëve, ambasadorja thotë se Shqipëria nuk pritet të bëjë asgjë më shumë apo më pak se gjithë vendet e tjera në rajon. Kriza është një çështje e përbashkët dhe mund të zgjidhet vetëm nëse të gjithë së bashku punojmë drejt një zgjidhjeje”, tha Vlahutin.


11 prill 2016 (gazeta-Shqip.com)