Shtatë persona, mes të cilëve dhe një efektiv policie, kanë përfunduar në pranga me akuzën e kontrabandës së naftës në qytetin e Vlorës. Në sajë të operacionit policor të koduar “Deti i pastër” u sekuestrua në portin e Vlorës anija ‘Valbona’, brenda të cilës u gjetën dhe sekuestruan 20 mijë litra naftë, që dyshohet se ka hyrë kontrabandë në vendin tonë nga Greqia dhe Italia. Përmes një njoftimi zyrtar, policia njofton se, pas një hetimi 6-mujor finalizoi me sukses operacionit e koduar “Deti i pastër” lidhur me “akuzën e kontrabandës së naftës
se importuar me anije nga Greqia dhe Italia, kryer kryesisht nga anijet që përdoreshin për gjuetinë e peshkimit, duke e shituar sasinë e naftës së importuar në kundërshtim me procedurat doganore, dhe aktet e tjera normative në fuqi, ku për pasojë kanë sjellë dëme të konsiderueshme monetare interesave të shtetit”. “Në lidhje me sa sipër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
• Muhamet Ismet Hunda, 50 vjeç, pronari i anijes ” Maria Pija”.
• Trifon Bardha Lluçaj, 20 vjeç, me detyrë administrator i anijes “Valbona”.
• Erion Fatbardh Bode, 20 vjeç, punonjës, ekuipazh i anijes “Valbona”- Vlorë.
• Armando Avni Hoxha, 27 vjeç, punonjës-ekuipazhi i anijes “Valbona”- Vlorë.
• Petrit Muharrem, mekanik në anijen “Valbona”.
• Eduart Kujtim Mehillaj, 26 vjeç, me profesion tregtar;
Gjithashtu, nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bahri Jahaj, me detyrë punonjës i Policisë për Kufirin dhe Migracion në Stacionin Triport të Drejtorisë se Kufirit dhe Migracionit Vlorë, i cili u arrestua për veprën penale “Kontrabanda me mallrat që paguhet akcizë” dhe Shpërdorimi i detyrës”, njofton policia e Vlorës.
30 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)