“Letra e Brahos? Kërcënim nga shteti, duan që të tërhiqemi nga Arbitrazhi. Më kanë kërcënuar edhe në rrugë 


Bashkëshortja e Kastriot Ismailajt: Deputetin e kam takuar para pak ditësh te ‘Sheraton’


Takimi – “Para disa ditësh e kam takuar Doshin te ‘Sheraton’. Mund të ketë qenë e martë ose e mërkurë. Kemi biseduar në vija të përgjithshme. Bisedë e lirë, kishim kohë pa u takuar dhe thjesht po diskutonim në vija të përgjithshme”


Kërcënimet – “Kur kam qenë duke ecur në rrugët e Bllokut kanë qenë personazhe që s’i kam parë dhe janë hedhur shashka të tipit ‘thuaj burrit të tërhiqet nga arbitrazhi, ose…’. Letra e Brahos? Një presion nga shteti shqiptar”


Zonja Ismailaj – Unë nuk di të jem kërcënuar nga askush, as nga zoti Doshi, as nga zoti Prifti


Vojsava IsmailajBashkëshortja e Kastriot Ismailajt, i arrestuar me akuzën e mashtrimit dhe pastrimit të parave, ka reaguar dje pas bërjes publike të letrës së kreut të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, drejtuar krerëve të institucioneve, sipas së cilit, familja e biznesmenit është kërcënuar nga Tom Doshi dhe Dritan Prifti. Në një intervistë për Top Channel, Vojsava Ismailaj tha se Doshin e njeh prej 15 vitesh dhe e ka takuar para disa ditësh te ‘Sheraton’, ku kanë diskutuar ndër të tjera edhe për çështjen e burrit të saj. Ajo thotë se e kanë prekur përciptas këtë çështje, ndërsa ka sqaruar se nuk është kërcënuar nga emrat e përmendur në letrën e Brahos. Vojsava pohon se ka pirë vetëm një kafe me Doshin, por kurrsesi të jetë kërcënuar prej tij, apo nga Dritan Prifti. Për këtë të fundit deklaron se nuk e njeh dhe nuk e ka takuar kurrë. Gruaja e biznesmenit Kastriot Ismailaj, çështja e të cilit ka trazuar ujërat e politikës shqiptare, tregon se ka pasur kërcënime që i kanë ardhur si shashka. “Më kanë thënë që Kastrioti të tërhiqet nga arbitrazhi që të lirohet. Ky është kërcënimi që ka ardhur në mënyrë indirekte”, thotë ajo, ndërsa shton se këto kërcënime i kanë ardhur duke ecur në rrugët e Bllokut, nga persona që s’i ka njohur. Zonja Ismailaj ka dhënë përshtypje për letrën e Brahos, për të cilën thotë se “Një presion nga shteti shqiptar. Një mesazh, një kërcënim nga shteti shqiptar”.



Si quheni?


Vojsava Ismailaj, nënë e një djali dhe martuar me Kastriot Ismailaj prej 17 vjetësh.


Sot (dje) është publikuar një letër ku thuhet se jeni kërcënuar, a jeni kërcënuar dhe nga kush?


Është publikuar një letër nga zoti Braho. Unë nuk di të jem kërcënuar nga askush, as nga zoti Doshi, as nga zoti Prifti. Doshin e njoh që para 15 vitesh, e kam takuar, kam pirë kafe dhe asgjë më shumë.


Kur e keni takuar për herë të fundit Doshin?


Para disa ditësh. Mund të ketë qenë e martë ose e mërkurë.


Ku?


Te “Sheraton”.


Për çfarë keni diskutuar?


Në vija të përgjithshme. Bisedë e lirë, kishim kohë pa u takuar dhe thjesht po diskutonim në vija të përgjithshme.


Sa kohë kishit pa e takuar?


Nuk e mbaj mend me saktësi. E kam takuar, jemi përshëndetur, por s’e mbaj mend me saktësi.


Keni diskutuar ndonjëherë për këtë çështje?


Absolutisht fare.


E kam fjalën për çështjen e bashkëshortit tuaj…


Ka qenë një moment që ai më pyeti çfarë bëhet me Kastriotin. I thashë se është në paraburgim dhe kaq, nuk vazhdoi më tej.


E njihni Dritan Priftin?


Jo.


E keni takuar?


Absolutisht jo.


Keni komunikuar ndonjëherë me të?


Absolutisht jo.


A jeni kërcënuar ndonjëherë gjatë këtyre muajve nga persona të tjerë?


Ka pasur indirekt dhe kërcënimet kanë qenë si shashka. Që do të thotë: Kastrioti të tërhiqet nga arbitrazhi që të lirohet. Ky është kërcënimi që ka ardhur në mënyrë indirekte.


Indirekte nga cilët persona?


Nga persona të panjohur për mua. Anonimë.


Me mesazh?


Qoftë edhe në rrugë.


Si ka ndodhur?


Kur kam qenë duke ecur në rrugët e Bllokut kanë qenë personazhe që s’i kam parë dhe janë hedhur shashka të tipit ‘thuaj burrit të tërhiqet nga arbitrazhi, ose…’.


Si e konsideroni këtë letër?


Një presion nga shteti shqiptar. Një mesazh, një kërcënim nga shteti shqiptar.


Për ç’arsye?


Që të heshtim. Të heshtë Kastrioti.


Për ç’arsye duhet të heshtni?


E vërteta e kompanisë DIA, ose e vërteta e Arbitrazhit për kompaninë DIA që i takon Kastriot Ismailajt.