Kreu i grupit të PPE-ve në Asamblenë Parlamentare të KiE-së


Reagon Rama: Eksponentë të dorës së dytë të së djathtës europiane po bëhen pjesë denigrimit ndaj opozitës


Kreu i qeverisë e ka ndarë dje shqetësimin e çështjes së imunitetit me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Luca Volonte. Në një takim që Berisha dhe Volonte kanë pasur në Kryeministri, çështja e imunitetit ka qenë në qendër të bisedës. Sipas Berishës, marrëveshja e nëntorit mes forcave politike ka ecur mirë deri në momentin kur PS-ja po refuzon të votojë variantin që vetë kishte zgjedhur për çështjen e imunitetit. Nga ana tjetër, sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, Volonte e mbështeti Berishën në pretendimin se kjo situatë rrezikonte vendin për statusin e vendit kandidat.


“Kryetari i grupit parlamentar të PPE-së në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, zoti Luca Volonte, u shpreh se ky bllokim nga zoti Rama i procesit të statusit është tejet i dëmshëm për shqiptarët dhe Shqipërinë”, citon Kryeministri, drejtuesin e grupit të PPE-ve në Strasburg.


Po kështu Volonte theksoi se Rama në KiE ishte ankuar përsa i përket mos heqjes së imunitetit nga ana e mazhorancës dhe tashmë këtë gjë po e bënë vetë. Pas këtyre deklaratave i menjëhershëm ishte qëndrimi i vetë Edi Ramës. Sipas tij, nuk është hera e parë që eksponentë të dorës së dytë të së djathtës europiane bëhen pjesë e fushatave denigruese ndaj opozitës shqiptare, krah për krah me Sali Berishën. “Përrallën e bllokimit të statusit nga opozita meqë socialistët kanë deklaruar se nuk votojnë në datën 6 gusht, zotërinjtë Berisha dhe Volonte mund t’ia tregojnë njëri-tjetrit apo atyre që u besojnë verbërisht, po asnjë shqiptari që shikon e që dëgjon me sytë e me veshët e tij”, deklaron Rama përmes një deklarate.