Zgjedhjet
PD, bileta avioni falas nga Trento në Shqipëri
Ndonëse PS e ka akuzuar qeverinë “Berisha” se i ka braktisur emigrantët, PD duket se po synon të marrë më 23 qershor vota prej tyre, duke i joshur me bileta vajtje-ardhje nga vendet ku punojnë drejt Shqipërisë. Këto bileta ofrohen me një afat treditor, ku ardhja në Shqipëri duhet të bëhet një datë para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, ndërsa largimi një ditë më pas. Një student i Universitetit të Trentos në Itali e ka denoncuar këtë fakt pranë gazetës “Shqip”. Në “Facebook” është hapur një profil me emërtimin “Partia Demokratike Trento Albania” me qëllim ofrimin e këtyre biletave në këmbim të votës për PD.
Takimet
Kreu i PS takoi dje një përfaqësi të ardhur nga e gjithë Europa: Ju, vendimtarë për rezultatin në disa qarqe
Fatjona Mejdini
Votat e emigrantëve shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, po rivlerësohen si shumë e rëndësishme nga partitë e mëdha. Në një kohë kur vetëm dy muaj na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, partitë, jo vetëm po rrisin numrin e takimeve me emigrantët jashtë vendit, por po vendosin në punë strukturën organizative të krijuar prej vitesh për aktivizimin e votës së tyre më 23 qershor. Pavarësisht se as për zgjedhjet e këtij viti emigrantët nuk do të kenë mundësinë të votojnë nga vendi ku jetojnë, palët po bëjnë përpjekjet maksimale për t’i sjellë ata te qendrat e votimit, pa llogaritur kostot që mund të ketë ky proces. Më shumë përpjekje publike për të marrë votën e emigrantëve po tregon PS dhe aleatët e saj në koalicionin e majtë, por interesi nuk mungon as në kampin e djathtë. Dje, PS ka mbledhur në Tiranë një përfaqësi të emigrantëve nga pothuajse të gjitha vendet e Europës, ku merrnin pjesë dhe drejtuesit e degëve kryesore të kësaj partie jashtë vendit. Në këtë takim, Edi Rama nuk nguroi të zbulojë se socialistët prej dy vitesh kishin nisur përgatitjet për organizimin e emigrantëve për zgjedhje, duke theksuar se asnjë herë më parë, PS nuk kishte arritur të ngrinte një strukturë të tillë dhe se vota e tyre do të ishte përcaktuese në zgjedhje. Po dje, Ilir Meta zhvilloi një takim në Athinë, me emigrantë të cilët jetojnë dhe punojnë në shtetin helen. Përveçse prezantoi programin e kësaj partie, Meta i ftoi emigrantët që më 23 qershor të votojnë në Shqipëri. Ndërsa PD, këtë vit, është përqendruar më shumë tek organizimi i emigrantëve që punojnë dhe jetojnë në Itali. Përfaqësues të kësaj partie kanë zhvilluar javët e fundit takime në qytete të ndryshme të vendit fqinjë. Vetë Berisha ka hedhur rreth dy muaj më parë idenë e përfshirjes së emigrantëve në votime nga ambasadat shqiptare në vendet ku jetojnë. Kërkesa është refuzuar në mënyrë kategorike nga PS, e para për shkaqe të sigurisë dhe e dyta për shkak të kohës së pakët që mbetet në dispozicion në realizimin e këtij projekti.
E majta
Kreu i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje në një takim me emigrantët se vota e tyre mund të jetë vendimtare në disa qarqe në zgjedhjet e 23 qershorit. Në takimin e zhvilluar dje në Tiranë merrnin pjesë përfaqësi emigrantësh nga e gjithë Europa dhe dy kryetarët e degëve më të rëndësishme të socialistëve në emigracion, Artjan Qirici në Greqi dhe Edmond Kumaraku në Itali. Në fjalën e tij, Rama theksoi se organizimi i mirë i strukturave të PS-së në emigracion gjatë dy viteve të fundit, do të sjellë dhe një rezultat shumë të kënaqshëm për PS pas 23 qershorit. “Shpresoj shumë që gjithë kjo përpjekje e bërë për më shumë se dy vjet për të organizuar gjithë këtë rrjet njerëzish në funksion të zgjedhjeve do të na japë një vlerë të shtuar në rezultatin e 23 qershorit. Kam shumë besim që angazhimi juaj dhe përvoja e shumë prej jush që kanë kohë që merren me këtë punë, do të na mundësojë që votat e emigrantëve këtë herë të jenë realisht vendimtare sidomos në qarqet ku mund të luajë një rol shumë të madh”, deklaroi Rama. Po dje, Ilir Meta nga Athina theksoi se Shqipëria ka nevojë për kontributin e emigrantëve për zhvillimin e vendit, duke ndarë me ata dhe arsyet që e çuan në një koalicion me PS-në.
E djathta
Grupe të veçanta deputetësh të PD-së kanë zhvilluar javët e fundit takime me emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali. Në këto takime, emigrantëve ju është kërkuar që më 23 qershor të jenë në Shqipëri për të votuar. Sigurisht që këto kërkesa shoqërohen dhe me një faturë të lartë financiare, të cilën partitë politike duket se nuk e kanë problem të paguajnë në këmbim të votës së tyre.