Të shoqëruarit kanë mohuar se kanë urdhëruar ekzekutimin: I kemi mbyllur hasmëritë
Silvana Muça
Vrasja e Baki Xhabaftit, me anë të eksplozivit ka bërë që policia të mos gjejë asnjë provë në vendin e ngjarjes. Ditën e vrasjes, ekspertë të shumtë kanë shkuar në skenën e krimit për të faktuar prova materiale, por rezultati nuk ka qenë i kënaqshëm. Për vetë mënyrën se si është realizuar krimi, shpërthimi me C4 dhe djegia tërësisht e trupit dhe automjetit, ka bërë që provat materiale të zhduken. Burimet thonë se deri në orët e vona të 27 shkurtit, policia ka bërë këqyrjen e vendit ku shpërtheu automjeti me të cilin po lëvizte viktima. Më pas ata kanë kërkuar që skena e krimit të ruhet me forca policie, për të mos dëmtuar provat që mund të gjendeshin në automjetin e viktimës. Për të gjetur qoftë dhe një provë të vetme, grupi hetimor është rikthyer në vendin e ngjarjes edhe pas 24 orëve, por ka qenë e kotë. Ndërkaq, për vrasjen e Baki Xhabaftit, policia nuk ka mundur që të sigurojë dëshmitarë okularë, të cilët mund të kenë parë ndonjë gjë të dyshimtë, përpara apo pas shpërthimit. Nga ana tjetër, dëshmitë e familjarëve të fisit Ymeraj, nuk kanë qenë rezultative për grupin hetimor. Ata janë pyetur me detaje për konfliktet e mbartura gjatë këtyre dy dekadave. Gjithashtu, policia nuk ka lënë jashtë vëmendjes as pjesëtarët e fisit Avdillari, me të cilin familja Xhabafti ka hesape të hapura. Mësohet se të dyja fiset e lartpërmendura kanë ruajtur të njëjtën linjë, duke mohuar përfshirjen në vrasjen mafioze të 40-vjeçarit. Pistat e hetimit janë ende në pikën fillestare. Çdo gjë mbetet në kuadrin e dyshimeve, sepse policia nuk ka asnjë të dhënë që do të bënte të mundur orientimin e hetimeve në një drejtim të caktuar. Si pasojë e kësaj, policia ka ngritur disa pista hetimi, hakmarrja, përfshirja në rrjetin e trafikimit të lëndëve narkotike në disa shtete dhe problemet personale që Baki Xhabafti mund të ketë pasur në të shkuarën e tij. Dyshohet se vrasja mund të jetë porositur nga burgu, ku një anëtar i fisit Ymeraj është dënuar me burgim të përjetshëm për disa vrasje të anëtarëve të fisit Xhabafti. Gjithashtu, vrasja mund të jetë porositur edhe nga jashtë, ku sipas policisë Baki Xhabafti prej vitesh jeton në Gjermani. Ai është i përfshirë në një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të lëndëve narkotike. Ka dyshime që 40-vjeçarin mund ta kenë ndjekur nga Gjermania drejt Shqipërisë, për ta varë. Kjo bëhet në mënyrë që policia të mos krijojë dyshime për përfshirjen e këtyre të fundit dhe vrasja t’i faturohet fisit Ymeraj dhe Avdillari. Por as në këtë pikë, policia nuk ka ndonjë të dhënë. Gjithçka mbetet në kuadër të dyshimeve, për vetë faktin që Baki Xhabafti njihet si person me precedentë të theksuar penalë, siç është edhe përfshirja në rrjetin ndërkombëtar të drogës, Gjermani-Belgjikë-Holandë. E vetmja gjë që dihet deri më tani, është fakti se vrasësit kanë qenë profesionistë në realizimin e shpërthimit. Dyshohet se ata kanë ndjekur lëvizjet me makinë të 40-vjeçarit. Në momentin që pranë automjetit nuk ka pasur asnjë kalimtar, ata kanë vepruar duke bërë shpërthimin e telekomanduar. I ndjeri kishte pak orë që ishte kthyer nga Gjermania. Rreth orës 17:00, të 27 shkurtit të 2014, Xhabafti ka qenë duke lëvizur me makinën e tij tip Renault me targa AA 154 AZ. Sapo ka marrë kthesën për te rruga “Bashkia”, automjeti ka shpërthyer dhe më pas është përfshirë nga flakët. Pjesët e makinës janë shpërndarë në një rreze perimetri prej 10 metrash. Prej zhurmës së madhe, banorët e zonës janë afruar drejt vendit të ngjarjes dhe për disa minuta ata kanë parë trupin e 40-vjeçarit që digjej brenda në makinë. Askush nuk ka guxuar që të ndërhyjë, sepse situata paraqitej e rrezikshme. Pas normalizimit të situatës, ata janë përpjekur që të shuajnë flakët. Nuk kanë mundur që të nxjerrin trupin nga makina, sepse çdo gjë kishte mbaruar. Ka qenë zjarrfikësja dhe policia, ajo që e ka çuar kufomën e karbonizuar në morg.