Gjetja e trupit të pajetë të Elion “Kejsi” Hysës në Nikël tronditi Policinë e Krujës, që nisi menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes, duke qenë se viktima ishte një person me precedentë penalë, i dënuar për vrasje dhe në kërkim prej 2015.


Blutë e Krujës kanë arritur të identifikojnë një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së rëndë dhe të bëjnë shoqërimin e tij.


Mësohet se në pranga ka përfunduar shtetasi Hysni Rama, ndërsa është shpallur në kërkim edhe shtetasi A.T..


“Pranë varrezave të fshatit Shelqet, Komuna Nikel është gjetur i groposur shtetasi K.H. 34 vjeç, banues në Gjormë të Rrethit Kurbin, i shpallur në kërkim ( i humbur). Grupi hetimor ka bllokuar një sërë provash materiale duke bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar ku njëri prej tyre, shtetasi H.R. është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Krujë dhe është shpallur në kërkim shtetasi A.T.”, njofton policia.


Grupi hetimor me ekspertë të fushës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë po punojnë për sqarimin e të gjithë rrethanave të ngjarjes. Për shkak të hetimeve nuk jepen më shumë detaje.


14 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)