Një i moshuar rreth 80 vjeç është arrestuar nga policia si i dyshuari kryesor për vrasjen makabre të 18-vjeçares Ajshe Vata më 11 tetor në Xhafzotaj. Sipas të dhënave nga policia e Durrësit, i dyshuari kryesor për vrasjen që tronditi mbarë opinion publik është bashkëfshatar i familjes Vata dhe fqinj me ta Shaban Norja.
Në orët e para të ditës së sotme polica ka gjetur edhe kokën e 18 vjeçares, e cila ishte fshehur në një ferrë pranë vendit të ngjarjes. Nga këqyrja e kësaj pjese të trupit të viktimës rezultoi se autori fillimisht e kishte qëlluar me armë zjarri pikërisht në kokë 18-vjeçaren dhe më pas me një mjet prerës ia kishte shkëputur kokën nga trupi. Sipas policisë, paraprakisht mendohet se bëhet fjalë për një krim pasioni.
Nga kontrolli i ushtruar në shtëpinë e 80-vjeçarit Shaban Norja, i cili rezulton person me precendentë të mëparshëm penalë pasi ishte dënuar me 9 vite burg për tentativë vrasjeje, është gjetur edhe arma e krimit si dhe prova të tjera materiale, si gjak në rrobat e tij që dyshohet të jetë i 18 vjeçares të masakruar disa ditë më parë në Xhafzotaj të Durrësit, e cila u gjet pa kokë disa metra larg banesës së saj, ndërkohë policia dyshon edhe për bashkëpunëtorë të tjerë të 80 vjeçarit në kryerjen e krimit.
Nga ekspertiza mjekoligjore rezultoi se 18 vjeçarja ishte 11 javëshe shtatzënë, ndërsa dyshimet e para për një incest brenda familjes u hodhën poshtë nga disa analiza të kryera në laborator.
Pritet dëshmia e 80-vjeçarit për të hedhur dritë mbi ngjarjen makabre që tronditi mbarë opinionin publik, ndërsa sipas policisë dyshohet se i moshuari ka abuzuar seksualisht me vajzën që kur ajo ka qenë ende e mitur. Analizimi i mëtejshëm i fetusit që mbante në bark e reja do të jetë një indicie më tepër për të zbardhur misterin e këtij krimi të pazakontë dhe do të tregojë nëse fëmija që ajo priste ishte i 80-vjeçarit Shaban Norja, tashmë i vënë në pranga nga policia.
14 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)