admirim sakoDëshmia: Admirim Sako, i vrarë më 22 janar të këtij viti, u thirr në gjykatë, ku tha se vajza e Ada Musarajt është e bija e Elton Deliut


Hetimet: Policia thotë se pret të sekuestrojë procesverbalet e seancave gjyqësore për të mësuar më shumë rreth dëshmisë së 40-vjeçarit në gjykatë


Pretendimi: Gjyshi dhe daja i Elton Deliut kanë pretenduar në gjykatë, se vajza nuk është fryt i bashkëjetesës mes çiftit


Konflikti i pronave, kronologjia e përplasjeve për 3 milionë euro


Silvana Muça


Dy vejushat e Admirim Sakos dhe Elton Deliut nuk kanë dhënë asnjë informacion të vlefshëm për zbulimin e autorit që qëlloi ndaj 40-vjeçarit më 22 janar, në afërsi të Gjykatës së Tiranës. Policia e Tiranës ka intensifikuar hetimet, duke thirrur për dëshmi edhe të afërmit e Elton Deliut, me të cilët viktima kishte konflikte pronësie. Grupi hetimor pohon se krahas dëshmitarëve, në fokusin e tyre janë edhe disa vendime gjyqësore, ku detajohen edhe konfliktet e pronësisë, ndërsa në ditët në vijim pritet të merren edhe procesverbalet e seancave gjyqësore, ku në njërën prej tyre ka dëshmuar edhe Sako. Ky i fundit mësohet se ka faktuar se vajza e Ada Musarajt është e bija e Elton Deliut. Kjo dëshmi duket se nuk i ka pëlqyer gjyshit dhe dajës së Deliut, i cili e ka kundërshtuar. Disa muaj pas kësaj dëshmie, pikërisht në fund të vitit të kaluar, Prokuroria e Tiranës ngriti akuzë për Sakon, i cili administronte një pjesë të pasurisë të Deliut. Ndërkohë, më 22 janar të këtij viti, ai është vrarë, pikërisht para lokalit që kishte marrë në administrim.


Pronat e Elton Deliut


Pas vrasjes së Flutura dhe Elton Deliut, familjarët e tyre nisën përpjekjet për të përvetësuar të gjithë pasurinë e viktimave. Ata janë ndeshur në kundërshtimin e Ada Musaraj dhe Admirim Sakos, ku këta dy të fundit janë bërë palë me njëri-tjetrin, për të mbrojtur “trashëgiminë” e lënë nga “bosi i drogës”. Daja dhe gjyshi i Deliut, Enver dhe Adem Çaushi, me pretendimin se janë trashëgimtarë legjitimë, pasi kanë lidhje gjaku me të ndjerët, kanë kërkuar që pasuria të kalojë në emër të tyre, por Musaraj ka shfrytëzuar shtatzëninë, për të hedhur poshtë pretendimet e tyre. Familja Çaushi është shprehur se ish-bashkëjetuesja e Deliut nuk ka mundësi që të ketë ngelur shtatzënë me Elton Deliun, pasi prej kohësh nuk jetonte më me të ndjerin dhe se në periudhën që ai është vrarë, 29-vjeçarja bashkëjetonte me një tjetër. Edhe pas konfirmimit nga analizat e ADN-së, që Eltona Deliu ishte vajza e të ndjerit, familja Çaushi nuk hoqi dorë për posedimin e pasurisë, duke u përpjekur me të gjitha mënyrat për ta përfituar. Gjithashtu, pretendimi i tyre është rrëzuar nga Admirim Sako, i cili ka dalë dëshmitar, duke thënë se Musaraj prej kohësh jetonte me Elton Deliun dhe se ishte në dijeni të shtatzënisë së 29-vjeçares me mikun e tij, ndryshe nga sa pretendonin daja dhe gjyshi i të ndjerit. Ky veprim i 40-vjeçarit acaroi marrëdhëniet me Sakon dhe familjen Çaushi, pistë për të cilën policia po heton, nëse vrasja ka lidhje me këtë konflikt të nxehtë.


Procesi gjyqësor


Gazeta “Shqip” ka bërë një renditje kronologjike të marrëdhënieve të familjes Çaushi dhe palës tjetër, Musaraj-Sako. Përplasjet janë bërë disa vite më parë, në derën e gjykatës, ku njëra palë padiste tjetrën dhe anasjelltas. Para trupit gjykues ajo është shprehur se për shkak të lidhjes afektive me të ndjerin, Elton Deliu, në vitin 1999, në kundërshtim me vullnetin e prindërve, është larguar nga banesa dhe për disa kohë është strehuar me të dashurin e saj në banesën e gjyshit të këtij të fundit, Adem Çaushi. Bashkëjetesa është ndërprerë, për shkak të arrestimit të të ndjerit dhe qëndrimit për disa muaj në paraburgim, për t’u rivendosur pas lirimit të tij. Pas kësaj, bashkëjetesa ka vijuar në banesën e të ndjerit Elton Deliu, së bashku me nënën e tij Futura Deliu dhe vëllain, Genti Deliu. Sipas saj, bashkëjetesa ka vijuar edhe pas humbjes së jetës në mënyrë aksidentale të këtij të fundit dhe ka vijuar normalisht deri më datë 27 dhjetor 2008, ditë në të cilën ajo ka gjetur të qëlluar në banesën e tyre, si bashkëjetuesin Elton Deliu ashtu edhe nënën e tij Flutura Deliu. Ceremonia mortore e tyre është zhvilluar në një ambient privat, në pronësi të dajës dhe gjyshit të viktimës, Enver Çaushi dhe Adem Çaushi, mes të cilëve edhe 29-vjeçarja. Kjo e fundit deklaroi gjithashtu se në kohën e vrasjes së bashkëjetuesit Elton Deliu, ishte në pritje të një fëmijë, fryt i bashkëjetesës disavjeçare mes tyre. Para gjykatës ajo pretendon se marrëdhëniet me të afërmit e viktimës kanë vijuar normalisht. Pas lindjes së fëmijës, ata kanë marrë pjesë në gëzimin e ardhjes në jetë të Eltona Deliut. Për të provuar që lidhja e tyre kishte qenë shumë e fortë, ajo paraqiti në gjykatë ditarin e Flutura Deliut, fotografi (album dhe CD) me të dhëna të qarta orientuese, në të cilat janë fiksuar momente të jetës se çiftit Musaraj-Deliu në familje dhe shoqëri. Me kërkesë të Ada Musarajit, Gjykata e Tiranës thirri në rolin e dëshmitarit 40-vjeçarin Admirim Sako, mik i saj dhe i të ndjerit Elton Deliu. Nëpërmjet dëshmive të tij, ai u përpoq që të konfirmonte dhe të bindte gjykatën për kronologjinë e ngjarjeve që nga viti 1999 e në vijim, bashkëjetesën e pandërprerë mes të ndjerit dhe 29-vjeçares, dijeninë mbi shtatzëninë e kësaj të fundit, deri në momentin e vrasjes së Deliut dhe nënës së tij, ardhjen në jetë të Eltona Deliut, e të tjerë. Bazuar në kërkesat e kundërta mes palëve, gjykata kërkoi kryerjen e ekspertimit të ADN-së ndërmjet kampionit të gjakut të të ndjerit Elton Deliu dhe kampionit të pështymës së të miturës Eltona Musaraj, për të përcaktuar njëanshmëri mes palëve. Nga akti i ekspertimit konkludohet se nga krahasimi i dy profileve gjenetike të përfituara nga njolla e gjakut të marrë nga kufoma e të ndjerit Elton Deliu dhe nga mostra e pështymës së të miturës Eltona Musaraj, vërtetohet lidhja biologjike baba-bijë.


Pretendimet e Çaushajve


Megjithëse u përcaktua se Elton Deliu kishte lënë një pasardhëse, gjyshi i të ndjerit tentoi sërish se Ada Musaraji gjatë periudhës së ngjizjes së fëmijës, nuk bashkëjetonte me Elton Deliun, por me një person tjetër. Burime të brendshme nga policia bëjnë me dije se familja Çaushi disa herë është përpjekur që të implikojë Admirim Sakon në vrasjen e Deliut, por për mungesë të provave, ai nuk u shoqërua kurrë. Pjesëtarë nga kjo familje janë marrë ditët e fundit në pyetje për të mësuar më shumë rreth konfliktit të pronësisë. Megjithatë, ende nuk dihet motivi i vrasjes së 40-vjeçarit dhe se po hetohet edhe në pista të tjera, përveç asaj të administrimit të pronave. Ndër të tjera, policia nuk ka mundur që të ndërtojë identikitin e vrasësit të Admirim Sakos, në sy të bashkëshortes së tij, Entelës. Dyshohet se ai ka qenë profesionist, dhe se mund të jetë vrasës me pagesë. Dëshmitarja kyçe e ngjarjes thotë se për asnjë moment nuk ka mundur që të identifikojë ndonjë tipar të vrasësit. Ajo thotë vetëm që ka qenë i veshur me të zeza, i gjatë dhe i dobët, i ri, rreth 22-25 vjeç. Përveç dhimbjes për humbjen e të shoqit, ajo trembet se mos vrasësi kthehet që të rimarrë hak. Familja Sako thotë se nuk e dinë motivin e vrasjes së 40-vjeçarit dhe se nuk dyshojnë tek asnjë person. Kërkojnë vetëm arrestimin e vrasësit dhe vënien e drejtësisë.


Familja Çaushi


Bashkëjetuesja e Deliut nuk ka mundësi që të ketë ngelur shtatzënë me Elton Deliun, pasi prej kohësh nuk jetonte më me të ndjerin dhe se në periudhën që ai është vrarë, 29-vjeçarja bashkëjetonte me një tjetër


Pretendimet e Sakos


Ai konfirmoi për kronologjinë e ngjarjeve që nga viti 1999 e në vijim, bashkëjetesën e pandërprerë, Deliu-Musaraj, dijeninë mbi shtatzëninë, momentin e vrasjes së Deliut dhe nënës së tij, ardhjen në jetë të Eltona Deliut


Dëshmitarja okulare


Dëshmitarja kyçe e ngjarjes, Entela Sako, thotë se për asnjë moment nuk ka mundur që të identifikojë ndonjë tipar të vrasësit. Thotë vetëm që ka qenë i veshur me të zeza, i gjatë dhe i dobët, i ri, rreth 22-25 vjeç