Detaje
Akuza – Prokurori tha se Bajraktari akuzohet për armëmbajtje pa leje, ndërsa shtoi se veprimet e tjera hetimore do zbardhin pjesëmarrjen e tij në vrasje
Bajraktari – Bajraktari mohoi në mënyrë kategorike të ketë lidhje me ngjarjen. Ai pretendon se kur është zgjuar në mëngjes, ka parë makinën në oborrin e shtëpisë
Arma – Sipas të arrestuarit, edhe arma që i është gjetur në shtëpi nuk ka lidhje me asnjë vepër penale. Ekspertiza do të përcaktojë nëse kallashnikovi kreu vrasjen
Kuliçaj – Në seancën e djeshme gjyqësore, prokuroria nuk kërkoi asnjë masë sigurimi për Artur Kuliçajn, megjithëse policia e akuzon se është autori i vrasjes.
Gjykata
Nuk ka prova për ngjarjen e 6 prillit. Bajraktari: Arma? S’ka lidhje me vepra penale
Bashkëpunimi
Pritet të verifikohet lidhja e Bajraktarit me personin që vrau më 6 prill Sonila Tafën
Të dhëna
Masat – Gjykata caktoi masën e sigurisë arrest me burg me afat 15-ditor për Bajraktarin, ndërkohë që ka shpallur në kërkim 34-vjeçarin Artur Kuliçaj i akuzuar si autori i ngjarjes. Bajraktari akuzohet se ka larguar nga vendi i krimit autorin Kuliçaj
Vrasja – Sonila Tafa humbi jetën mëngjesin e së shtunës pas një sherri në një diskotekë, ku ajo ishte e ftuar nga disa koleget e saj për të kaluar mbrëmjen. Kuliçaj dyshohet se qëlloi me armë sapo balerina dhe miqtë e saj kanë dalë nga diskoteka
Drejtësia është e pafuqishme për të zbardhur vrasjet e personave të pafajshëm, të cilët kanë pasur fatin e keq që janë ndodhur në vendin dhe momentin e gabuar. Rasti i balerinës Sonila Tafa nuk është i vetmi në Tiranë, pasi kohë më parë, dy vajza janë vrarë aksidentalisht pas hapjes së zjarrit nga elementët kriminalë. Deri më tani, ende nuk është zbardhur vrasja e laborantes Megi Jokiçi dhe e një vajze tjetër, të cilat ishin rastësisht në skenat e krimit, ku persona të papërgjegjshëm hapin zjarr kundër “hasmëve” në vende publike dhe të populluara.
Dje, katër ditë pas vrasjes së balerinës, prokuroria dhe policia regjistruan dështimin e parë. Në gjykatë nuk u paraqitën prova bindëse ndaj Endon Bajraktarit për implikimin e tij në ngjarjen e 6 prillit, ndërkohë që policia thotë se nuk ka mundur të arrestojë Artur Kuliçajn, për të cilin thotë se po negocion me familjarët që të vetëdorëzohet.
Provat e akuzës
Prokuroria kërkoi masën e arrestit me burg pa afat për Endon Bajraktarin, një nga personat që kishte lidhje me vrasjen e balerinës Sonila Tafa, mëngjesin e së shtunës në periferi të Tiranës. Bajraktari akuzohej se kishte larguar nga vendi i ngjarjes autorin e krimit, 34-vjeçarin Artur Kuliçaj, madje e kishte shoqëruar me një automjet tip BMW. Ky automjet i është sekuestruar poshtë banesës nga policia, ndërsa si provë është një filmim i kamerave të sigurisë së diskotekës “Dream City”. Gjatë kontrollit të banesës, këtij personi i është sekuestruar edhe një armë automatike kallashnikov, që dyshohet se është arma e krimit. Prokuroria ka dyshime se Kuliçaj ka qëlluar ndaj turmës rreth pesë herë dhe një prej plumbave ka kapur balerinën Sonila Tafa. Dje në gjykatë, prokurori Blerim Tominaj tha se Bajraktari akuzohet për armëmbajtje pa leje, ndërsa shtoi se veprimet e tjera hetimore do të mund të zbardhin pjesëmarrjen e tij në vrasje. Pas parashtrimit të akuzës, gjykata ka pyetur të arrestuarin, në lidhje me automjetin që është gjetur poshtë banesës së tij dhe të armës. Bajraktari mohoi në mënyrë kategorike të ketë lidhje me ngjarjen. Ai pretendon se kur është zgjuar në mëngjes ka parë makinën në oborrin e shtëpisë. Ndërsa sipas të akuzuarit, edhe arma që i është gjetur në shtëpi nuk ka lidhje me asnjë vepër penale.
Masat e gjykatës
Në seancën e djeshme gjyqësore, prokuroria nuk kërkoi asnjë masë sigurimi për Artur Kuliçajn, megjithëse policia e akuzon se është autori i vrasjes. Në një komunikatë për mediat, policia tha se autori është A.K, pa dhënë identitetin e tij të plotë. Ndërkohë, akuza ka preferuar dje që të presë arrestimin dhe më pas të kërkojë një masë për këtë të pandehur. Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka vendosur 15 ditë burg për Endon Bajraktarin, vetëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Sipas hetuesve, kjo është vetëm akuza e parë, ndërsa pritet të verifikohet lidhja e Bajraktarit me personin që vrau më 6 prill Sonila Tafën, në një lokal nate. s.ç
Policia
Kërkimet në terren, të vakëta, shpresohet vetëm në ndërhyrjen e familjes Kuliçaj
Vijojnë negociatat për vetëdorëzimin e vrasësit
Aksidentale – Ngjarja konsiderohet aksidentale, pasi edhe predha që është gjetur në trupin e viktimës ka qenë e deformuar
Precedenti – Tashmë, i akuzuari mund të përdorë precedentin e 21 janarit për rikoshetin, ndërsa akuza ka si provë edhe pamjet filmike
Policia vazhdon t’i lutet familjes Kuliçaj për të vëtëdorëzuar Arturin, pasi dyshohet se është autori i vrasjes së Sonila Tafës, mëngjesin e së shtunës në periferi të Tiranës. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës pohojnë për gazetën “Shqip” se kanë marrë kontakte me familjen e tij, e cila këmbëngul se 34-vjeçari duhet të vetëdorëzohet. Nga ana tjetër, familjarët duket se kanë pasur kontakt me Arturin, pasi policia thotë se edhe dëshira e tyre është që ai të vihet para drejtësisë. Por, deri dje në darkë, kjo nuk ka ndodhur, duke sjellë dështimin e negociatave që kanë filluar paraditen e së shtunës, në momentin që u zbardh vrasja. Nga ana tjetër, kërkimet për arrestimin e Artur Kuliçajt janë të vakëta, dhe deri më tani është ndaluar vetëm bashkëpunëtori i tij, Endon Bajraktari, i cili u kap në “flagrancë” në banesë. Ky i fundit pretendoi se ishte në gjumë kur i kishte ardhur policia, ndërsa tha se nuk ka lidhje në këtë vrasje. Megjithatë, policia ka vepruar me shpejtësi për Bajraktarin, ndërsa ende nuk ka asnjë informacion nëse kërkime të tilla janë bërë edhe për Artur Kuliçajn, i cili vazhdon të jetë i lirë. “Strukturat operacionale po punojnë në terren për kapjen e Artur Kuliçajt, ndërsa paralelisht zyrtarët e policisë po negociojnë me familjarët e tij për vetëdorëzimin. Të afërmit e të kërkuarit kanë qenë dakord që 34-vjeçari të vihet para drejtësisë dhe të mbrohet sipas ligjit”, pohojnë burimet nga policia. Deri më tani, ngjarja është klasifikuar si aksidentale, megjithëse nga të dhënat ajo mund të cilësohet si me paramendim. Autori, fillimisht ka debatuar me disa presona brenda diskotekës dhe më pas ka përdorur duart dhe sende të forta. Nga sherri kanë mbetur të lënduar disa persona dhe personeli i diskotekës i ka nxjerrë jashtë. Më pas, palët janë konfliktuar sërish dhe të dëmtuarit janë rifutur në diskotekë. Autori dyshohet se e ka paramenduar krimin, pasi është larguar nga vendi i ngjarjes. Ai ka shkuar diku dhe ka marrë armën. Me kallashnikov në duar ai ka qëlluar në momentin që disa persona po dilnin nga diskoteka, ku Sonila Tafa humbi jetën. Më pas, sërish me paramendim, është larguar nga vendi i ngjarjes për t’iu fshehur drejtësisë. Nga hetimet ka rezultuar se ngjarja konsiderohet si aksidentale, pasi edhe predha që është gjetur në trupin e viktimës ka qenë e deformuar. Tashmë, i akuzuari mund të përdorë precedentin e 21 janarit për rikoshetin, ndërsa akuza ka si provë edhe pamjet filmike. Sërish, drejtësia shqiptare nuk ka pranuar si provë filmimet, aq më tepër që ato janë private. Ngelet për t’u parë se çfarë prove do të paraqesë prokuroria për këta persona, të cilët akuzohen për vrasjen e një të pafajshme. s.ç