Dy ditë pas vrasjes së çiftit Myftari nga fshati Belishovë e Mallakastrës, policia e Fierit ka deklaruar se ka ndaluar autorin e dyshuar të ngjarjes. Sipas policisë ai është Xhevit Malkaj 20 vjeç,  fqinj me viktimat,ndërkohë që blutë kanë arrestuar dhe babain e tij, Bajram Malkaj, për pengim të hetimeve.


Në një dalje publike për mediat drejtori i policisë së Fierit, Arjan Bozhaj, tha se i riu Malkaj ka pranuar se kishte shkuar në banesën e çiftit Myftari me synimin për t’i vrarë ata e më pas të kryente grabitjen e një kasaforte.


“Ky shtetas ka shkuar në banesën e shtetasit Enver Myftari i pajisur me armë gjahu, e cila i përkiste babait të tij, me paramendim për të vrarë bashkëshortët. Sapo ka shkuar në banesë, ka vrarë Enverin e më pas bashkëshorten. Ka tentuar të hapë kasafortën që ndodhej në banesën e tyre si dhe ka spërkatur ambjentet e brendshme dhe viktimat me lëndë djegëse dhe më pas i ka vënë zjarrin”, kanë bërë  burime policore.


Policia ka deklaruar se ka sekuestruar armën e krimit si dhe një motor të cilin 19- vjeçari e kishte përdorur për t’u larguar. Vrasja dhe më pas djegia e bashkëshortëve Enver dhe Azbie Myftari, përkatësisht 59 dhe 56 vjeç, ndodhi në orët e vona të së enjtes. Pas krimit të dyfishtë autori i kishte vënë flakën shtëpisë si edhe lokalit që ata kishin ngjitur me banesën, ndërsa babai i tij edhe pse e dinte për ngjarjen e rëndë nuk tregonte në polici.


28 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)