EDMOND HOXHAJ
Dy të rinjtë të cilët u gjetën në vrarë mesditën e sotme në afërsi të fshatit Shënpjetër në Bashkinë e Fierit dyshohet se kanë pasur një lidhje jashtëmartesore me njëri-tjetrin. Kjo, pasi nga verifikimet paraprake të policisë rezulton se Drini Derveni 32 dhe Ermira Arapi 29 vjeçe, kanë qenë të martuar me të tjerë persona. Madje, 32-vjeçari mësohet të ketë qenë babai i dy fëmijëve, ndërsa 29-vjeçarja Ermira Arapi nga Gurrëza e Lushnjës ishte nëna e një vajze 5-vjeçare. Burime të “Shqip” pohuan se nga verifikimet paraprake ka rezultuar se lushnjarja 29-vjeçare Ermira Arapi ka qenë e martuar në Fermë-Çlirim të Fierit dhe se bashkëshorti i saj jetonte dhe punonte prej vitesh në Greqi për të mundësuar të mira financiare për familjen e tij. Paraditen e djeshme dyshohet se ajo ka dalë nga shtëpia dhe në shoqërinë e Drinit kanë udhëtuar drejt Darëzezës. Por, rreth orës 11:40 makina e ndalur në aksin rrugor Fier-Hoxharë në afërsi të fshatit Shënpjetër dhe trupat e pajetë të të rinjve janë konstatuar nga perosna të tjerë që udhëtonin aty, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Pas mbërritjes në vendngjarje, forcat policore kanë konstatuar se 32-vjeçari i pajetë kishte në dorë një pistoletë tip T.T. .
Hetimet
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe trupave të pajetë të dy të rinjve, policia ka ngritur dyshimet se ka qenë 32-vjeçari ai i cili ka vrarë fillimisht mikeshën e tij duke e qëlluar në kokë, e më pas veten. Kjo, pasi pistoleta me të cilën është kryer krimi është gjetur në dorën e të riut dhe se goditja në kokën e tij është bërë me puthitje. Për shkak se dy viktimat mendohet se kanë pasur lidhje të fshehtë me njëri-tjetrin, hetuesit e kanë pasur të vështirë të zbulojnë arsyet përse 32-vjeçari mund ta ketë kryer këtë krim të dyfishtë. Kjo, pasi nuk ka pasur dëshmitarë okularë dhe nuk dihen shkaqet që kanë çuar në konfliktin mes dy të rinjve.
Pistat

Ermira Arapi
Ndërkohë, veç pistës paraprake që polcia ka ngritur bazuar në këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe të trupave të pajetë të dy viktimave, nuk është përjashtuar edhe pista e ndonjë vrasjeje të mundshme. Burime të “Shqip” pohuan se do të kryhen gjithë ekzaminimet përkatëse për të konkluduar zyrtarisht nëse ka qenë 32-vjeçari Drini Derveni, ai i cili ka shtënë me pistoletë ndaj mikeshës së tij e më pas të ketë vrarë veten. Pritet që ekspertët kriminalistikë të verifikojnë nëse në duart dhe parakrahët e të riut ndodhen ose jo grimca të barutit që mbeten aty pas shkrepjes së armës. Nëse në dorën e 32-vjeçarit ku u gjet arma e krimit do të gjenden edhe grimca të barutit që duhet të mbeteshin aty pasi të kishte shtënë me pistoletë, atëherë do të konkludohet përfundimisht në pistën e parë. Në të kundërt, mund të ngrihen dyshimet për ndonjë vrasje të mundshme, pohojnë burimet.
10 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)