Ngjarja
Dëshmitarët: Adrian Levanti ishte administratori i pallatit, u zu para një muaji me disa djem që pinin hashash
Silvana Muça
Vrasja e ish-boksierit Adrian Levanti, mbrëmjen e së enjtes në Tiranë, ka qenë e paralajmëruar. Viktima, me precedentë të shumtë penalë për vjedhje dhe goditje për shkak të detyrës, ka denoncuar në policinë e Tiranës kërcënimet që ka pasur nga vëllezërit Pjetër dhe Zef Gjini, ky i fundit dyshohet se është edhe autori i krimit. Familjarët e 28-vjeçarit akuzojnë strukturat e policisë për neglizhencë, ndërsa deri më tani, policia thotë se ka një autor dhe motiv. Sipas tyre, konflikti mes familjes Levanti dhe Gjini ka nisur në muajin mars të vitit 2013. Mësohet se Adrian Levanti, së bashku me vëllanë e tij, Marjanin, kanë plagosur me thikë Zef Gjinin, i cili u ka shpëtuar plagëve të marra në trup. Menjëherë pas plagosjes, policia ka bërë shoqërimin e viktimës dhe arrestimin e vëllait, Marjanit që dyshohet së është autori i krimit. Pavarësisht kësaj, vëllezërit Gjini nuk janë kënaqur me arrestimin, duke kërkuar që t’i çojnë gjërat në fund, ashtu siç ua do “zakoni”. Rreth orës 23:30 të së enjtes, Levanti ka qenë duke u kthyer në shtëpi, pas një kafeje që kishte pirë me miqtë. Në hyrje të pallatit 28-vjeçari ka parë dy persona që e prisnin. Sapo ai i ka pikasur autorët e krimit, është larguar me shpejtësi në drejtim të hyrjes, për t’u futur brenda në banesën e tij, që ndodhej në katin e tetë. Në këtë moment agresorët e kanë ndjekur, duke mos i dhënë kohë që ai të trokiste në derë. Autori ka ngjitur shkallët deri në katin e shtatë të pallatit, me shpresën se do të gjente një derë hapur, për t’u strehuar. Plani i dështoi dhe e vetmja mënyrë, ishte që t’u vërsulej. Ka qenë e kotë, pasi ata ishin të armatosur. Nuk patën kohë për të bërë fjalë. Agresorët kanë qëlluar në drejtim të tij rreth 7 herë.
Dëshmitarët
Krismat e armëve kanë terrorizuar banorët e pallatit, të cilët nuk kanë pasur as guximin për të njoftuar policinë. Teksa i pyet se çfarë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, pjesa më e madhe e tyre thonë se nuk kanë dëgjuar gjë. Madje disa prej banorëve nuk guxojnë që të hapin derën, pasi kanë parë tmerr me sy dhe nuk duan të përfshihen në problemet e familjes Levanti. Gjithsesi disa prej tyre pranojnë të thonë disa gjëra për gazetën, duke u lutur për anonimatin. “Jam mjaft i terrorizuar dhe sa herë që më trokasin në derë, nuk kam guxim ta hap. Ka qenë vonë, nuk e mbaj mend mirë. Tek shkallët dëgjova disa hapa të shpejtë. Ishte e dukshme që dikush po tentonte të fshihej. Këto lloj gjërash janë pothuajse të përnatshme tek pallati ynë dhe nuk u bëra kureshtar që të dilja për të parë. Këtu pihet shumë hashash dhe djemtë zihen me njëri-tjetrin. Pas disa sekondash dëgjova disa krisma. Nuk di të them se sa të shtëna dëgjova, sepse në ato momente deri në tre dija të numëroja. U bllokova. Instinktivisht dola dhe përgjova nga syri magjik i derës. Pashë dy persona, njëri prej të cilëve ishte me pistoletë në dorë. Ai kishte veshur xhup me zinxhirë dhe në kokë mbante një kapele. Xhinset ishin ngjyrë blu. Personin tjetër nuk e mbaj mend se çfarë kishte veshur. Fytyrat e tyre më kujtohen si mjegullnajë. Po t’i shoh tani në rrugë, kam përshtypjen që nuk do t’i njihja. Ata ikën me shpejtësi nga shkallët e pallatit, nuk pritën që të merrnin ashensorin”, shprehet dëshmitari i pallatit. Ai thotë se nuk ka arritur të dëgjojë nëse personat janë zënë verbalisht me njëri-tjetrin.
Zënka për hashashin
Sipas banorëve, Adrian Levanti ka qenë administratori i pallatit 8-katësh. Zona në fjalë është mjaft problematike nga përdoruesit e drogës. “Në mbrëmje nuk rrihet në ballkon, pasi vjen era hashash. Mjaft të rinj mblidhen te hyrja e pallatit prej errësirës. Kur ishte Adriani administratori i pallatit, ai nuk i lejonte drogaxhinjtë që të rrinin aty. Si pasojë e kësaj, ka pasur edhe shumë konflikte. Para një muaji, unë kam parë një përleshje mes Adrianit dhe këtyre personave. Ata donin që të pinin hashash këtu dhe administratori nuk i la. Kam përshtypjen që ky ka qenë motivi i sherrit. Pas kësaj përleshjeje, ai nuk donte që të punonte më si përgjegjës i pallatit. Pas ikjes së tij nga detyra, situata u bë shumë e keqe”, thotë banori i pallatit për kronologjinë e ngjarjes së nisur rreth një muaj më parë. Ndërkaq, një zonjë e moshuar tregon momentet pa jetë të Adrianit. Është shumë e rezervuar nga ato që thotë. “Këmba e Adrianit ishte para derës së shtëpisë. Unë isha shtrirë pasi jam e sëmurë si njeri. Nuk kam dëgjuar asnjë zhurmë apo zënkë, para se të ndodhte vrasja. Kur papritmas dëgjova të shtënat. Fillimisht mendova se ishin fishekzjarrë, por më pas u binda që ishte një vrasje në pallat. U tmerrova. Nuk dija se çfarë të bëja. Shkova dhe u fsheha në banjë. Mora vajzën në telefon se u tremba. Ajo nuk ishte në shtëpi, sepse kishte dalë me miqtë e saj për darkë. Kur erdhi, e gjeti Adrianin të shtrirë për tokë. Disa minuta pas vrasjes, në derën time trokiti policia. Nuk e hapa por i fola nga përtej derës. Më thanë që ishte policia dhe se kishin nevojë për ndihmën time. Në momentin që hapa derën, pashë këmbët e Adrianit para derës së shtëpisë. Sytë më panë edhe disa gëzhoja plumbash, të cilët i mori policia. Nuk pata guxim që të dilja, kështu që i ftova policët brenda. Ata më kërkuan një çarçaf për të mbuluar viktimën. Gjithashtu më morën në pyetje. U thashë ato që dija dhe ikën. E para që erdhi lart, ishte mamaja e Adrianit. Pastaj erdhi bashkëshortja e tij. Ato momente kanë qenë një tmerr i vërtetë”, tregon e moshuara.
Intervista
Aliu tregon ëndrrën me Adrianin: E putha disa herë në faqe, u bëra shumë keq
Vjehrri i viktimës: Nëse policia
do ndërhynte, s’do kishte vrasje
Vjehrri i viktimës, Aliu, ka treguar për telefonatën e fundit që ka pasur me Adrianin disa orë para vrasjes. Ai thotë se 28-vjeçari nuk ka qenë person problematik. Gjithashtu Aliu akuzon policinë për papërgjegjshmëri dhe neglizhencë. Sipas tij, sot për Adrianin duhej të ishte një ditë feste dhe jo zije.
Kur keni folur për herë të fundit me Adrianin?
Disa orë para vrasjes më mori në telefon dhe më kërkoi që të vija për t’iu bashkuar festës. Sot (dje) djali i tij ka ditëlindjen dhe mbush një vjeç. Do organizonte një festë familjare dhe ishte i gëzuar për këtë.
Ishit në dijeni për problemet që kishte dhëndëri juaj?
Po isha në dijeni të një konflikti, por që nuk e dija me saktësi se çfarë kishte ndodhur. Nuk u kisha hyrë kaq thellë këtyre gjërave. Unë jetoj në Durrës dhe fakti i të qenët larg, nuk më lejonte që të merrja vesh shumë gjëra.
Ka pasur kërcënime Adriani në lidhje me problemet që ka pasur?
Po ka pasur në mënyrë sistematike. Madje para disa ditësh, disa persona i dolën në rrugë dhe e kërcënuan me jetë. Ai nuk reagoi në mënyrë të dhunshme, ashtu siç e donin ata që e vranë, por e denoncoi rastin në polici. Priti që ajo të merrte masat, por asgjë. Ata që e vranë, janë njerëz mali. Nuk dinë t’i zgjidhin gjërat në rrugë ligjore, por duan të bëjnë vetëgjyqësi. Ia morën jetën tjetrit, për hiç gjë. Po të kishte qenë më e gatshme policia, nuk do kishte ndodhur vrasja. Fëmijët i ngelën rrugëve. Ata do bëjnë hall, por mjerë ai që iku.
Çfarë tipi ka qenë Adriani?
Shumë i sjellshëm. Nuk ngatërrohej me njeri ai. Ishte tip kavalier dhe të gjithëve donte t’u bënte mirë.
Kush ju mori në telefon?
Vajza ime. Ishte ora 12:00 e natës. Kërkoi që të shkoja me urgjencë tek ajo, sepse kishin vrarë Adrianin. Nuk po e besoja një herë. E pyeta sërish se çfarë kishte ndodhur, si ishte vrarë se u bllokova. Ajo sërish duke qarë me të madhe më tha se Adrianit i kishin bërë atentat. U ngrita me shpejtësi, mora një taksi dhe u nisa nga Durrësi drejt Tiranës. Erdha pas një ore. Policia kishte bllokuar të gjithë zonën. Ishte bërë mizëri me policë. Faktikisht e dija që diçka e keqe do të ndodhte. Mbrëmë kur rashë në gjumë, pashë një ëndërr të keqe. Në mesnatë, u zgjova dhe gruaja më pyeti se çfarë kishte ngjarë. I tregova për ëndrrën që kisha parë me Adrianin. Unë e putha disa herë në faqe. Ajo ëndrra më bëri të ndihem keq, nuk po më merrte gjumi. Kur fiks në 12:00 të natës, më bie telefoni, për të marrë lajmin e kaq. S.Muça
