Biznesmeni pranon krimin, por mohon tradhtinë e kunatës


23-vjeçari ishte goditur në organe gjenitale, ka katër brinjë të thyera dhe çarje të kafkës


E masakrova kamerierin e lokalit, pasi ai ngacmoi një femër të familjes time, e cila vinte në biznesin tonë dhe kishte filluar të shoqërohej me të. Nuk janë të vërteta fjalët që thotë babai i tij për tradhtinë e kunatës time. Për këtë, mund të pyesni edhe vetë kunatën. Kështu është shprehur para oficerit të policisë Astrit Boja, i cili ka pranuar të tregojë sesi e kishte masakruar, ekzekutuar dhe më pas varrosur rreth pesë metra në tokë, kamerierin e lokalit të tij, Fatjon Barmeta. Nga këqyrja e viktimës ka rezultuar se ai ishte goditur në mënyrë çnjerëzore në organet gjenitale, kishte katër brinjë të thyera dhe plasaritje në kafkë. Megjithatë, në trupin e tij nuk ka shenja thike apo plumbash dhe mendohet se ka ndërruar jetë nga torturat e ushtruara ndaj tij me mjete të forta, që mund të kenë qenë shkopinj bejsbolli. Ndërsa për motivin, prokuroria dhe policia priten të dalin në versionin zyrtar, pasi të merret në pyetje kunata e të arrestuarit, e cila dje kishte përfunduar në spital për shkak të tronditjes psikike pas arrestimit të Astrit Bojës.


Historia e viktimës


Fatjon Barmeta

Fatjon Barmeta


Mbrëmjen e së shtunës, Liman Barmeta u paraqit në polici, ku deklaroi se djali i tij, Fatjoni 23-vjeçar nuk ishte kthyer në shtëpi. Sipas dëshmisë së tij, ai punonte si kamerier në lokalin e familjes Boja në zonën e Matit. Duke qenë se i riu nuk ishte zhdukur asnjëherë pa treguar se ku ishte apo ku do të shkonte, policia është vënë në lëvizje, duke ngritur dyshimet se kishte të bënte me ndonjë histori pengmarrjeje. Gjatë hetimeve të kryera, duke përdorur metodat speciale, policia shoqëroi si të dyshuar për zhdukjen e të riut, pronarët e lokalit, ku ai punonte, një prej të cilëve është Astrit Boja, 28 vjeç dhe mikun e tij, Fatjon Cani, 23 vjeç, të cilët rezultojnë se janë kontingjente kriminale. Gjatë marrjes në pyetje, fillimisht ata kanë tentuar të fshehin krimin, ndërkohë që pas dhjetë orësh, Astrit Boja ka pranuar krimin e tmerrshëm, duke pretenduar se e ka kryer vetëm.


Dëshmia e autorit


“Unë e vrava Fatjonin. Nuk doja ta vrisja, por vetëm ta rrihja, pasi më ngacmonte një femër të familjes, e cila vinte në lokal. Kur e godita, ai mbeti pa jetë, kështu që vendosa ta varros”, është shprehur ai para oficerit të policisë, duke treguar edhe vendin, ku e kishte varrosur. Më pas, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur kërkimet, por i janë dashur më shumë se dhjetë orë që të gjejnë vendin, ku ishte varrosur i riu. Madje janë përdorur edhe dy fadroma, me qëllim për të hapur gropën, ku në pesë metra thellësi është gjetur trupi i pajetë. Sapo është gjetur trupi i pajetë, janë thirrur ekspertët e Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë bërë këqyrjen e kufomës. Sipas të dhënave, ai kishte vetëm dëmtime në trup, por nuk kishte shenja plumbash, apo mjetesh prerëse. Ai mendohet se është goditur me shkopinj bejsbolli, që i kanë shkaktuar dëmtime të rënda në organet gjenitale dhe në pjesë të ndryshme të trupit, që i kanë shkaktuar vdekjen. Mjeku ligjor shprehet se ai kishte kafkën të çarë, katër brinjë të thyera, si dhe shumë dëmtime të tjera në trup.


Babai dhe motivi


Krimi i rëndë, sipas prindërve të viktimës ka ndodhur për shkak të një skene tradhtie, që djali i tyre kishte parë. Babai i Fatjonit, Liman Barmeta është shprehur për “Shqip”, se për këtë, gruaja e vëllait të autorit, e kishte paguar djalin e tij me 120 mijë lekë, me qëllim që mos të tregonte gjë tek i shoqi, nga frika se ai do e vriste, ndërkohë që sqaron të gjitha peripecitë pas zhdukjes së tij. “Të shtunën e zezë, si për çdo ditë pritëm deri në orën 21.30 minuta për kthimin e djalit, por nuk erdhi. Natyrisht që u bëmë merak, pasi e kishim djalë të vetëm, dritën e syrit. Të nesërmen (të dielën), rreth orës 08:30 shkova dhe denoncova zhdukjen e djalit në polici. Tregova çfarë dija për të dhe çfarë problemi kishte. Fatjoni nuk kishte konflikte me njeri. Fatjoni nuk kishte probleme në lokalin ku punonte kohët e fundit. Ai kishte një problem në një lokal tjetër, ku kishte punuar më parë si kamerier, që është pronë e familjes Boja. Im bir është bërë dëshmitar i një marrëdhënieje intime, i një marrëdhënieje jashtëmartesore, pasi ka kapur në flagrancë bashkëshorten e pronarit (grua e martuar me dy fëmijë) me të dashurin e saj, i cili është banor i qytezës së Klosit. Madje, bashkëshortja e pronarit i ka ofruar 120 mijë lekë që ai të mos fliste për këtë ngjarje. Po ata kurrë nuk besuan se djali im do ta mbante gojën mbyllur për këtë ngjarje, ndaj edhe e masakruan”, ka deklaruar babai i viktimës.


Grupi hetimor


Nga ana tjetër, policia shprehet se këtë pistë nuk e ka përjashtuar, por paralelisht po ndiqet edhe një pistë tjetër për motivin e krimit të rëndë, pavarësisht se zyrtarisht është deklaruar se gjithçka ka ndodhur për motive të dobëta. Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Matit, dyshohet se viktima ka ngacmuar një vajzë nga fisi i autorëve, duke flirtuar në lokalin ku punonte. Prokuroria tha se vajza shkonte shpesh aty dhe kishte biseda miqësore me kamerierin. Shpeshherë, ata takoheshin edhe jashtë orarit të punës dhe bisedonin mes tyre. Madje, ky variant është pranuar edhe nga autori i krimit, ndërkohë që ai ka hedhur poshtë pistën e tradhtisë bashkëshortore të kunatës. Burimet e prokurorisë shprehen se për dyshimet e ngritura nga babai i viktimës do të merret në pyetje kunata e autorit të dyshuar të ngjarjes, i cili është arrestuar me një bashkëpunëtor të tij. Madje, grupi hetimor ka shkuar që dje për të marrë në pyetje këtë grua me qëllim për të dokumentuar sa më shpejt motivin, por ajo rezulton se është shtruar në spital, pasi ka pësuar një tronditje të rëndë psikike. Sipas të dhënave, dyshohet se telefonin e kunatës, autori ka gjetur disa mesazhe, që dërgoheshin nga një person me emrin Fatjon. Për to, autori mendohet se ka dyshuar te kamerieri, por grupi hetimor dyshon edhe tek i arrestuari tjetër, i cili ka të njëjtin emër. Red. Akt.