Policia ka dhënë detaje të tjera për ngjarjen e rëndë me tre viktima që erdhi për shkak të xhelozisë


Polica e Korçës ka zbardhur vrasjen e trefishtë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Podgorie të Korçës. Sipas policisë, ngjarja e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme, rreth orës 19:30, kur 52-vjeçari Viktor Rozani ka qëlluar për vdekje të dashurën e tij dhe partnerin e saj, dhe pasi ka telefonuar policinë për krimin e kryer, ka vrarë edhe veten.


Sipas të dhënave më të fundit të policisë, të siguruar nga zbardhja e ngjarjes së rëndë, 52 vjeçari Rozani, i verbuar nga xhelozia pasi ka mësuar se e dashura e tij, Eliverta Çoçka, 35 vjeçe kishte ikur me taksinë me targa KO 514 A, në pronësi të 49-vjeçarit Floridon Bollguri, me të cilin kishte një lidhje të dyfishtë, ka marrë një automatik dhe është drejtuar në vendin ku ishin dy viktimat, një rrugë dytësore mes malesh, ku ishte parkuar edhe taksia në fjalë.


Sipas policisë, 52 vjeçari ka qëlluar fillimisht mbi 49 vjeçarin Bollguri dhe më pas mbi të dashurën e tij, Eliverta Çoçka duke i lënë të vdekur në vend. Pas kësaj ka telefonuar policinë të cilës mësohet t’i ketë rrëfyer se ka vrarë dy persona dhe ka dhënë informacioneve edhe për vendin ku ndodheshin. Pas kësaj 52-vjeçari ka vrarë edhe veten.


Policia ka bërë transportimin e kufomave në morgun e qytetit, ku mësohet se bashkëshorti i 35- vjeçares Çoçka nuk ka pranuar ta tërheqë trupin e gruas së tij, nënë e dy fëmijëve, kufoma e të cilës është tërhequr më pas nga prindërit e saj për të kryer përcjelljen e fundit.

1 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)