Vendi ku u gjet trupi i 18-vjeçares Aishe Vata


Përcillet për në banesën e fundit trupi i 18-vjeçares Aishe Vata, e cila u gjet e vrarë mëngjesin e djeshëm, pranë një are me misër, në fshatin Vëllazërim. Ndërkohë që policia vijon kërkimet për gjetjen e kokës së viktimës, familjarët kanë hapur mortin dhe varrosur trupin e paplotë të së resë.


Policia ende nuk ka mundur tu japë përgjigje pikëpyetjeve të shumta që mbart krimi makabër. Deri në orët e vona të së enjtes janë shoqëruar 40 persona nga fshati, familjarë dhe të njohur të vajzës, por më pas, të gjithë janë lënë të lirë. Familjarët janë marrë në pyetje deri në orët e vona të mbrëmjes dhe më pas janë lënë të lirë të kryejnë ritet mortore. Nga ekspertiza paraprake ka rezultuar se 18-vjeçarja ishte 11 javëshe shtatzënë dhe nuk ka pasur shenja dhunë në trup. Së resë i është prerë koka me një mjet prerës, me dhëmbëza, i cili nuk është gjetur ende nga policia.


Aishe Vata, e cila sapo ishte ulur në auditoret e fakultetit të Infermierisë, është gjetur e masakruar, jo shumë larg shtëpisë së saj. Sipas dëshmive të familjarëve, vajza është larguar nga banesa pas mesnatës dhe i ati ka pikasur mungesën e saj rreth orës 02:00 të së enjtes. Ai ka dal ta kërkojë nëpër fshat, por nuk ka mundur ta gjejë. Një banor i zonës ka gjetur trupin pa kokë rreth orës 08:00 të mëngjesit dhe i alarmuar ka njoftuar policinë. Kjo e fundit ka ngritur disa pista hetimi, mes të cilave krimin e pasionit.


12 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)