Silvana Muça

Pellumb Marnikollaj
Besnik Marnikollaj, djali i xhaxhit të viktimës, Pëllumb Marnikollajt tregon momentet se si e gjetën të vdekur të riun. Në një intervistë të dhënë për gazetën ‘Shqip”, ai thotë se policia greke kishte vendosur që ta varroste në fshehtësi, me pretendimin se askush nuk ishte interesuar për të.
“Ne jemi të bindur që Pëllumbin e ka vrarë policia greke por motivi mbetet mister. Trupin e pajetë e kemi çuar në morgun e Tiranës dhe nga ekspertiza paraprake thuhet se në trupin e tij ka shenja të dukshme dhune. Pavarësisht kësaj, ende nuk ka dalë shkaku zyrtar i vdekjes së Pëllumbit. Ndërkaq, familjarët e viktimës kërkojnë që shteti shqiptar të kërkojë llogari për vdekjen e të riut, i cili kishte shkuar në Greqi që në moshë të vogël, për të përballuar jetesën. Për një gabim të bërë që në moshë të re, Pëllumbi i është dashur që të kalojë shumë vite në burg, duke lëvizur sa tek njëri e deri tek tjetri.
Besnik, si u njoftuat për vdekjen e Pëllumbit?
Në dyshuam sepse Pëllumbi kishte rreth një javë që nuk na merrte në telefon. Ai ka qenë shumë i lidhur me njerëzit e tij dhe na kontaktonte pothuajse çdo ditë. Kjo zhdukje e beftë e tij, na bëri që të dyshojmë. I binim telefonit, por ai dilte i fikur. Kontaktuam avokatin, por ai u shmangej përgjigjeve tona. Kjo gjë na bëri që të dyshojmë se diçka nuk shkonte.
Çfarë bëtë për të zbardhur të vërtetën?
Vëllai i Pëllumbit shkoi në Greqi dhe takoi avokatin. Por edhe në këto momente, ai nuk pranonte të fliste. Shkuam tek policia dhe aty dyshimet tona u shtuan edhe më tej. Kjo e fundit, sërish kërkonte të fshihte të vërtetën, për të vënë në jetë planin e tyre.
Si ua fshihte të vërtetën?
Na thoshte se nuk e dimë se ku është Pëllumbi. Shkoni dhe kërkojeni në ndonjë spital. Ndërkohë që pasaporta e Pëllumbit ndodhej në rajonin e policisë.
Po për çfarë kishte shkuar Pëllumbi në polici?
Ai ka qenë i dënuar me 8 vjet burg për vjedhje. Dënimin e kishte përfunduar, por Gjykata kishte dhënë ndaj tij masën ‘Detyrim me paraqitje”. Si çdo herë, Pëllumbi shkoi që të paraqitej me 3 gusht 2016. Kjo ishte hera e katërt dhe e fundit për të. Në orën 13:00, ai ka pasur për të hedhur një firmë, që të zbatonte ligjin për paraqitje. Nuk mendonte se do të rrinte gjatë atje se ishte thjeshtë një çështje procedurale. Nga ora 12:40, e mesditës, Pëllumbi ka folur në telefon me shoferin e autobusit, duke i thënë se nuk do të vonohej. Por ndodhi e kundërta dhe shoferi e ka rimarrë në telefon. Celulari ka dalë i fikur dhe ky ka qenë kontakti i fundit me Pëllumbin.
Kishte pasur probleme herë të tjera Pëllumbi kur paraqitej në polici?
Jo, asnjë herë. Hidhte firmën dhe largohej.
Po si e gjetët trupin e pajetë?
Në kontaktuam me një avokate tjetër. Ajo na ndihmoi shumë që ta gjenim të paktën trupin e Pëllumbit. Po të ishim vonuar, zhdukja e tij do të mbetje mister. Do e kishin varrosur pa emër dhe ne do kërkonim pafundësisht gjetjen e tij. Trupi u dërgua në morgun e spitalit “Erithros Stravros” Athinë dhe më pas në frigoriferin i varrezave “Agio Anargioro”, gati për tu varrosur, duke u klasifikuar si një kufomë pa identitet. Autoritetet greke po tentonin që ta varrosnin në fshehtësi, në mënyrë që krimi të mbetej i fshehur. Po të ishim vonuar, do e kishin varrosur e ne nuk do dinim asgjë për vendndodhjen e tij.
Me farë pretendimi nuk ju kanë njoftuar?
Ata kanë dashur që trupin ta varrosin pa dalë në dritë krimi. Në letrat që kemi gjetur deri më tani thuhet se trupi duhej të varrosej sepse prej 10 ditësh askush nuk interesohej për të. Gjithashtu, trupi i pajetë është regjistruar pa emër atje. Me pretendimin se nuk dihet se kujt i përket kufoma dhe se askush nuk ka ardhur për ta marrë, ai duhet të varroset.
Arritët ta sillnit trupin në Shqipëri?
Po, trupin e sollëm në Shqipëri, në orët e para të mëngjesit të sotëm. Trupi ka ardhur rreth orës 02:00, të ditës së sotme. Përpara se ta varrosim, e çuam trupin në morgun e Tiranës, për të kuptuar se përse ka vdekur. Nga të dhënat paraprake të autopsisë, rezulton se në trupin e Pëllumbit ka shenja të dukshme dhune. Plagët i ka në fytyrë, dhe shumë në trup. Madje në kokë ka edhe krisje.
Çfarë ju tha më pas policia për vdekjen e tij?
Na tha se ai ka gjetur vdekjen ngaqë ka rënë nga kati i katërt i rajonit të policisë. Ne nuk e besojmë një gjë të tillë. Pëllumbi nuk ka pasur arsye që të arratiset. Ai e kishte shlyer dënimin e dhënë nga gjykata. Shkoi atje për të respektuar ligjin, por doli i vdekur.
Pse besoni se vdekja i ka ardhur nga dhuna?
Nga shenjat që ka në trup, ekspertët e mjekësisë ligjore thanë se plagët nuk janë shkaktuar nga rrëzimi i ndonjë lartësie. Në trupin e tij, nuk janë gjetur krisje që shkaktohen prej rënies nga lartësia. Plagët dyshohet se i janë shkaktuar nga dhuna makabre e policisë greke.
Çfarë kërkoni?
Kërkojmë që të zbardhet e vërteta dhe të dënohet ata që i morën jetën të afërmit tonë. Ne ende nuk e dimë se çfarë ka ndodhur atje dhe i gjithë krimi është mbuluar me mister. Autoritetet shqiptare, nuk duhet ta lënë në heshtje një ngjarje të tillë, sepse të tjera raste do të ketë nëse heshtin. Pëllumbi është shqiptari i dytë që ka vdekur nga dhuna barbare e gardianëve grekë. Në 2014, Ilia Kareli vdiq nga dhuna e policisë greke dhe tani radhën e pati Pëllumbi. Edhe sa viktima të tjerë do të ketë?
14 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)