Policia e Tiranës ende nuk ka motiv konkret apo autor të dyshuar për vrasjen e 52-vjeçarit Petrit Kurti, i cili u vra mbrëmjen e djeshme në minimarketrin e tij në Yzberisht. Mesditën e sotme, zëdhënësia e policisë kryeqytetase, Alma Katragjini, dha disa detaje të ngjarjes së mbrëmshme, për zbardhjen e së cilës policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve, duke ofruar një shpërblim prej 10 mijë eurosh për personat që do të japin informacione të vlefshme për vrasësin. Zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini bëri me dije se janë shoqëruar disa persona dhe dëshmitarë për zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që po punohet në disa pista hetimi, por kryesisht në konfliktet e mundshme midis viktimës dhe autorit, motiveve të pronësisë apo vjedhjes me dhunë.
“Mbrëmë rreth orës 22:00’ në qendër Yzberisht, Tiranë, është plagosur dhe më pas ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak Tiranë shtetasi Petrit Kurti (Nela) 53 vjeç, lindur në Selitë Mal e banues në Yzberisht Tiranë. Në vendin e ngjarjes u kryen veprimet procedurale, si këqyrja e vendit të ngjarjes duke mbledhur dhe administruar provat. Paraprakisht nga grupi hetimor, po punohet në disa pista hetimi, por kryesisht në konfliktet e mëparshme midis viktimës dhe autorit, motive pronësie apo vjedhje me dhunë. Policia e Kryeqytetit, vendos shpërblimin prej 10 mijë eurosh për çdo person që jep informacion të vlefshëm, duke ruajtur në çdo rast anonimatin’,- njoftoi zëdhënësja e policisë.
52-vjeçari Petrit Kurti, pronar i një minimarketi në Yzberisht, është qëlluar dy herë me armë zjarri nga një person ende i paidentifikuar nga policia. Sipas dëshmitarëve okularë, vrasësi i Petrit Kurti nuk ka qenë i maskuar. Ai është futur në dyqanin e vogël të lagjes dhe ka nisur të debatojë me 52-vjeçarin Kurti, e më pas e ka qëlluar dy herë me pistoletë. Megjithë përpjekjet e mjekëve, Kurti ka ndërruer jetë një orë më vonë.
24 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)