Policia: Bashkëpunuan me Anton Ndojin për vrasjen e Përparim Hoxhës
Vali Qyrfyçi
Një familje në pranga, shkak krimet për shkak të marrëdhënieve familjare. Pas prangosjes së burrit të shtëpisë për vrasjen e krushkut dhe plagosjen e dhëndrit dhe një kalimtareje, policia ka arrestuar edhe gruan e vajzën e tij. Një histori dashurie që përfundoi në një krim të rëndë ka shkaktuar vdekje dhe sjellë burg në dy familjet e lidhura në një krushqi të prishur. Hetimet kanë çuar në zbardhjen e ngjarjes dhe akuzat për të shtënat me çifte kanë rënë mbi nënën e vajzës së kthyer në shtëpinë e prindërve. Drejtoria e Policisë së Durrësit njoftoi se pas arrestimit të Anton Ndojit në pranga janë vënë dhe bashkëshortja e tij, Tereza Ndoj, dhe vajza e tyre, Antoneta Ndoj, studente infermierie në Universitetin e Durrësit. Tereza 45 vjeçe dhe e bija, Antoneta 21 vjeçe, së bashku me Antonin 52-vjeçar akuzohen se kanë kryer veprën penale të vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, vepër kjo e kryer në bashkëpunim. “Arrestimi i tyre u bë për arsye se të shtunën, rreth orës 14.30, në banesën e tyre, për motive të dobëta dhe në vijim të konflikteve të vazhdueshme ndërmjet shtetases Antoneta Ndoj dhe të fejuarit të saj shtetasit Xhulian Hoxha, në grindje e sipër kanë vrarë me armë të ftohtë thikë shtetasin Përparim Hoxha, babai i Xhulianit, 49 vjeç, banues në lagjen nr.17 të Durrësit, si dhe kanë plagosur rëndë djalin e tij, Xhulian Hoxha, i cili ndodhet në spitalin rajonal të Durrësit. Po kështu është plagosur lehtë në trup me armë gjahu shtetasja Nurie Shahini, 56 vjeçe, e cila ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes”, bëjnë të ditur burimet zyrtare policore lidhur me ngjarjen që tronditi në fundjavë qytetin bregdetar. Policia, në cilësinë e provës materiale, ka sekuestruar një armë gjahu teke të kalibrit 12 dhe dy thika të cilat janë përdorur në vrasjen dhe plagosjet e ndodhura gjatë sherrit mes Ndojve dhe Hoxhëve.
Pas arrestimit të Tereza dhe Antoneta Ndojt, numri i të arrestuarve për ngjarjen e së shtunës, shkak i një bashkëjetese konfliktuoze për shkak të kushtit për të jetuar pa prindërit e të fejuarit, ka shkuar në tre. Ndërkohë, në familjen Hoxha që ndodhet, ashtu si ajo e Ndojve në zonën e ish-kënetës janë hapur dyert e mortit. Një morti më se të hidhur për shkak të historisë që e solli, ndërsa në spital ndodhet në gjendje aspak të mirë shëndetësore me plagë thike e zjarri në trup dhe djali i shtëpisë, burri i nuses së kthyer. Hyrje-daljet në shtëpi nuk reshtin, ndërsa te Ndojt vendi ku ndodhi krimi ka rënë një heshtje varri. Gruaja e viktimës dhe nëna e të plagosurit thotë se e ndiente që në fillim që ajo vajzë nuk ishte për djalin e tyre dhe se kishte mjaft rezerva për fejesën e të birit me Antonetën. Pas afro 7 muajsh fejese, Xhuliano dhe Antoneta kanë vendosur të jetojnë bashkë. Kanë nisur bashkëjetesën për t’u martuar e celebruar në një tjetër moment, po nuk kanë kaluar veçse pak javë dhe gjithçka është përmbysur. Antoneta e mbështetur dhe nga prindërit e saj ka nisur t’i kërkojë Xhulianit që të jetojnë më vete, pa prindërit e tij. Ky fakt është kundërshtuar nga djali i cili kur presioni është shtuar, ai së bashku me prindërit kanë vendosur t’i japin fund lidhjes me Antonetën dhe ta kthejnë atë në shtëpinë e prindërve. Pasdrekën e së shtunës ata e kanë kthyer nusen së bashku me sendet personale në shtëpinë e saj. Kjo ka shkaktuar reagimin e ashpër të prindërve të vajzës, veçanërisht babait që ka rrëmbyer një thikë dhe ka nisur të godasë me të krushkun dhe dhëndrin. Në këtë akt kriminal janë përfshirë dhe e shoqja e Antonit me vajzën e kthyer. Dalja nga shtëpia e Ndojve është pasuar dhe me të shtëna me armë gjahu, për të cilat u akuzua fillimisht Anton Ndoj, po nga hetimet rezulton që me armë të ketë qëlluar gruaja e tij. Nga ekspertiza mjekoligjore ka rezultuar se vdekja e babait të dhëndrit është shkaktuar nga goditjet me thikë dhe hemorragjia e pësuar, ndërsa plumbat e shtëna nga çiftja teke kanë zënë Xhulianin dhe kalimtaren e rastit. Ndojt kanë përfunduar në pranga, ndërsa krushka e tyre ka humbur në një ditë burrin 49-vjeçar dhe lut Zotin që t’i mbajë në jetë të birin që dergjet në spital.