Është 35 vjeç, por historia e jetës së Faton Hajrizit i përngjan filmave aksion dhe atyre ku luajnë aktorë me përvojë dhe shumë vite mbi supe. 35-vjeçari nga Skënderaj i Kosovës është arratisur plot 7 herë nga Burgu i Dubravës, por në shtator të këtij viti do të kthehet sërish aty, e këtë herë me dëshirën e tij.


Ai është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e një ushtari rus në Kosovë dhe vepra të tjera, ndërsa më në fund i është aprovuar kërkesa për shkollim. Hajrizi do të transferohet nga Burgu i Sigurisë së Lartë në atë të Dubravës, për të ndjekur mësimet nga shtatori i këtij viti.


Së paku kështu deklaron nga Shërbimin Korrektues të Kosovës zëdhënësi Jeton Kabashi, i cili vlerëson maksimalisht dëshirën e 35-vjeçarit për t’u shkolluar dhe thotë se i gjithë procesi mund të bëhet vetëm nëse sjelljet e tij janë në përputhje me rregullat e burgut dhe nëse nuk paraqet rrezik për të tjerët.


“Ne ju informojmë që shkollimi i personit në fjalë është lejuar dhe do të mund të filloj në shtator të këtij viti gjithmonë nëse sjelljet e tij janë në përputhje me rregullat e burgut dhe nëse nuk paraqet rrezik për të tjerët, pasi qe ky person ende paraqet rrezikshmëri”, tha Kabashi.


Faton Hajrizi është i dënuar për vrasje. Vetëm kur ishte vetëm 15 vjeç vrau një ushtar rus në Kosovë, pasi i mori armën atij dhe më pas e qëlloi. Vrasjen ka thënë se e ka kryer pasi që ishte ofenduar nga ushtari rus, teksa e dëgjoi duke folur në gjuhën serbe, kur kishte shkuar që ta falënderonte me idenë se ishte ushtar amerikan.


“Unë shkova duke menduar që është ushtar amerikan dhe thash të shkoj ta falënderoj për kontributin në Kosovë. Ai ia nisi me fol serbisht dhe u shtymë me llafe dhe ia mora armën dhe e vrava”, ka rrëfyer i dënuari Hajrizi.


Hajrizi u arratis nga burgu për herë të parë në vitin 2000 dhe veprimin e përsëriti gjashtë herë të tjera më vonë.


7 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)