I zënë në pritë
Dy viktimat u qëlluan pas një konflikti me të rinjtë e një fshati tjetër në Lezhë
Ardian Bushi
Sherri mes dy grupeve të rinjsh ka sjellë vrasjen e një 17-vjeçari dhe plagosjen e rëndë të një bashkëmoshatari të tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë një prite të ngritur në fshatin Blinisht të Lezhës, ndërkohë që autorët, tashmë të identifikuar, mësohet se janë pothuajse të së njëjtës moshë dhe janë shpallur në kërkim nga policia lokale. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, rreth orës 20:10 të ditës së djeshme është qëlluar me breshëri automatike dhe me pistoletë Daniel Bardhoci, 17 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe është plagosur rëndë shoku i tij, Valdo Marku, të dy nga Kallmeti i Lezhës. Ndërsa Bardhoci ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, Marku është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Lezhës e më pas është dërguar për mjekim më të specializuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Policia tha se autori kryesor i ngjarjes rezulton se është nga fshati Markatomaj i Komunës Zejmen, i cili qëndronte te shtëpia e dajës në Blinisht.
Ngjarja
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës mësohet se konflikti që solli vrasjen në mbrëmje në fshatin Blinisht të Lezhës ka nisur që paradite. Të rinjtë, të ndarë në grupe rivale mes njëri-tjetrin, sipas burimeve në vendin e ngjarjes, janë konfliktuar fillimisht në fshatin Kallmet të Lezhës, duke u rrahur me grushte dhe mjete rrethanore për motive banale. Nga burimet policore mësohet se uniformat blu të qytetit janë njoftuar për këtë konflikt, por nuk kanë ndërhyrë për identifikimin dhe shoqërimin e protagonistëve të saj dhe kjo neglizhencë duket se ka sjellë ngjarjen tragjike. Pas konfliktit të paradites, rreth orës 20:00, Daniel Bardhoci, së bashku me Valdo Markun po ktheheshin nga Lezha në banesën e tyre në Kallmet. Rrugës, ata kanë hasur në një pritë. Sipas të njëjtave burime të policisë lokale mësohet e Bardhoci dhe Marku po udhëtonin me një mjet tip “Volkswagen”, ndërkohë që përballë tyre ka ardhur një tjetër makinë tip “Mercedes Benz”. Me t’u afruar mjeti, në drejtim të dy personave të lartpërmendur është qëlluar pa paralajmërim me breshëri automatike dhe me një pistoletë. Plumbat kanë rënë mbi mjetin që udhëtonin Danjel Bardhoci dhe Valdo Marku. Policia tha se nga kjo ngjarje Bardhoci ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa bashkëmoshatari i tij, Marku vazhdon të jetë nën mbikëqyrjen e mjekëve. Megjithatë, sipas të dhënave, të armatosur kanë qenë edhe të dëmtuarit, të cilët kanë qëlluar ndaj makinës tjetër. Por, sipas informacioneve të para, pala tjetër nuk ka pasur të dëmtuar.
Hetimet
Pas ngjarjes, policia e Lezhës ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke kryer ekspertizën dhe duke kryer veprimet e para hetimore. Menjëherë janë ngritur postblloqe në të gjitha hyrje-daljet me fshatin Blinisht, ndërkohë që grupi hetimor ka bërë të mundur identifikimin e autorëve të ngjarjes së rëndë. Sipas të dhënave paraprake, autorët mendohet se janë Evarist Marashi nga fshati Markatomaj i Lezhës dhe dy persona të tjerë nga Blinishti. Marashi kishte shkuar te daja i tij, Zef Sallaku, në Blinisht, por ende nuk dihet nëse ky i fundit ka marrë pjesë në atentat, por që do të vërtetohet nga veprimet e tjera hetimore. Policia tha se të dyshuarit janë shpallur në kërkim, ndërkohë që janë ushtruar disa kontrolle banesash, por deri në orët e vona nuk është mundësuar arrestimi i tyre.