Autorët – Dyshohet që të jenë katër persona ende të paidentifikuar, të cilët janë konfliktuar me faturinon për pagesën e biletës


Arratia – Katër personat janë larguar nga vendi i ngjarjes, për t’iu shmangur policisë, me një mjet të parkuar aty pranë


Dëshmitarja – Policia ka shoqëruar në rajon pasagjeren e vetme të furgonit. Ajo ka parë të gjithë ngjarjen, por dje ka qenë në gjendje tepër të rënduar


17-vjeçari debaton me 4 pasagjerë për çmimin e biletës për në Durrës


Faturinoja është qëlluar për vdekje me thikë, nga një prej pasagjerëve në moshë të re


Silvana Muça


Vritet me thikë në zemër nga një i ri, faturinoja i furgonit të linjës Tiranë-Durrës, për një biletë 150 lekëshe. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës, pranë vendit të quajtur “Zogu i Zi”, përballë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, ku 17-vjeçari Julian Çuni ka mbetur i vdekur, pas një sherri banal me katër pasagjerë. Burime nga policia bëjnë me dije se 17-vjeçari është dërguar urgjentisht në Spitalin Ushtarak, por pavarësisht kësaj, nuk ka mundur që t’u mbijetojë plagëve të rënda. Ai ka mbërritur në gjendje shumë të rëndë dhe mjekët, ndonëse kanë bërë të pamundurën për ta shpëtuar, ka ndërruar jetë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se faturinoja është qëlluar katër herë me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda në shpatull, zemër, bark dhe këmbë. Ndërsa zyrtarisht konfirmohet se viktima është qëlluar vetëm një herë dhe se thika në zemër ka qenë ajo që i ka shkaktuar vdekjen të riut.


 


Autorët


Sipas burimeve të uniformave blu, si autorë të ngjarjes dyshohet që të jenë katër persona ende të paidentifikuar, të cilët janë konfliktuar me faturinon për pagesën e biletës. Rreth orës 14:00, pranë Stacionit të Trenit, në furgonin me targa të Durrësit, kanë hipur katër pasagjerë, dy të rinj dhe dy të tjerët mendohet se janë rreth të 50-ave. Mjeti, pasi ka ecur në një distancë të shkurtër kohore, pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, një prej pasagjerëve ka kërkuar të zbresë. Pasi furgoni është ndalur, faturinoja i ka kërkuar 150 lekë të reja, gjë që është kundërshtuar nga pasagjeri, sepse çmimi i është dukur shumë i lartë. Kjo lloj bilete jepet vetëm për personat që shkojnë nga Tirana drejt Durrësit. Andaj dhe pasagjerit i është dukur abuzive kërkesa nga ana e të riut, e për pasojë ka kundërshtuar që ta paguajë. Debati është dëgjuar edhe nga tre pasagjerët e tjerë, të cilët janë shprehur kundër çmimit të kripur të biletës së udhëtimit. Gjendja është acaruar mes palëve dhe në ambientet e furgonit kanë nisur përleshjet fizike mes Julian Çunit, shoferit dhe katër pasagjerëve. Sipas versionit zyrtar, 17–vjeçari është qëlluar për vdekje me thikë nga një prej pasagjerëve në moshë të re, menjëherë pasi viktima ka zbritur nga furgoni. Ende nuk bëhen me dije emrat e personave që dyshohet se janë përfshirë në debat mes palëve, një debat i cili degjeneroi deri në vdekje.


 


Arratia


Pas kësaj, katër personat janë larguar nga vendi i ngjarjes për t’iu shmangur policisë, me një mjet të parkuar pranë vendit të ngjarjes në drejtim të paditur. Burimet e policisë thonë se është identifikuar mjeti me të cilin janë larguar katër të dyshuarit. Pronari i makinës është shpallur në kërkim, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë krim. Ky i fundit do të bënte të mundur gjetjen e saktë të strehimit të katër personave të kërkuar nga uniformat blu. Ndërkaq, policia ka shoqëruar në rajon pasagjeren e vetme që ka mbetur në furgon. Ajo ka parë të gjithë ngjarjen, por nuk ka mundur që ta përshkruajë me detaje, sepse ka qenë tepër e shokuar. Në kushte të tilla, policia nuk është ndihmuar shumë nga vajza që udhëtonte drejt Durrësit.


 


Dëshmitari 1 – Personi kyç që mund të zbardhë vrasjen është shoferi i furgonit, i cili ka parë të gjithë sherrin, nga sharjet e deri te thika


Dëshmitari 2 – Në furgon, krahas katër autorëve, viktimës dhe shoferit, ka qenë edhe një vajzë, e cila është shoqëruar pasditen e djeshme në polici


Provat – Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, të instaluara pranë rrethrrotullimit të “Zogut të Zi” për qarkullimin rrugor


Dyshimet – Policia ka dyshime për automjetin që ka larguar nga vendi i ngjarjes autorët, nëse ka lidhje në vrasje apo jo


Mjekoligjorët – Trupi i pajetë i 17-vjeçarit është dërguar pasditen e djeshme në morgun pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, ku do i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore nga ekspertët. Kjo e fundit do të përcaktojë edhe shkaqet e vdekjes së të riut, ndërsa një tjetër enigmë është edhe ku i ka marrë plagët, pasi ka qenë i mbuluar me gjak dhe dëshmitarët nuk kanë parë detaje.


 


 


Hetimet


Sekuestrohen filmimet e kamerave të sigurisë pranë vendngjarjes


Dëshmia e shoferit zbardh identikitet e autorëve 


Drejtuesi i furgonit ku ndodhi përleshja midis faturinos dhe pasagjerëve është shoqëruar dje pasdite në polici, menjëherë sapo dërgoi në spital 17-vjeçarin, i cili ishte i mbuluar me gjak. Sipas burimeve nga polica, ai ka bërë përshkrimin e 4 personave, të përfshirë në konfliktin me pasojë vdekje. Nga deklaratat e tij, policia është munduar që të krijojë identikitet e tyre, duke u shpjeguar moshën, veshjet dhe shenjat dalluese.


Shoferi është personi kyç që mund të zbardhë të gjithë ngjarjen, pasi ka qenë vetëm disa metra larg dhe ka mundur të shohë autorët. I njëjti dëshmitar, sipas uniformave blu, ka mundur të identifikojë edhe viktimën, pasi drejtuesi i mjetit, i cili edhe e kishte punësuar, ende nuk ia kishte mësuar mbiemrin.


I riu me banim në rrugën “Njazi Meka” në Tiranë, kishte vetëm katër ditë që punonte si faturino i linjës Tiranë-Durrës, ndërsa shoferi i tha policisë të gjithë itinerarin që kishin bërë nga Stacioni i Trenit drejt “Zogut të Zi”. Ai ka shpjeguar të gjitha debatet në furgon mes viktimës dhe autorëve, të cilat kanë qenë tepër të nxehta.


 


Kamerat e sigurisë


Menjëherë pas krimit, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku përveç deklaratave të dy dëshmitarëve okularë, ka mbledhur edhe prova materiale. Gjithsesi ende nuk dihet identiteti i personave që kryen krimin makabër për një biletë udhëtimi. Në vendin e ngjarjes janë gjetur disa njolla gjaku, të cilat dyshohet se janë të viktimës. Pas verifikimeve paraprake të zonës, rezultoi se ishin të instaluara dy kamera të sigurisë, të cilat kanë filmuar të gjithë ngjarjen. Policia ka sekuestruar pamjet e tyre. Këto të fundit mund të bëjnë të mundur identifikimin e autorëve. Kamerat kanë qenë vetëm 2-3 metra larg vendit të krimit, çka pritet që filmimet të jenë të qarta. Gjithashtu, zona ku është ndalur furgoni nuk është shumë e populluar, sidomos pasditeve, që do të thotë se ngjarja nuk është parë nga shumë njerëz. Gjithashtu, furgoni me targa të Durrësit është sekuestruar nga policia, për t’iu nënshtruar ekspertimit nga grupi hetimor.


 


 


Morti


Nëna e viktimës në spital: Juliani na mbante me bukë


Nëna e viktimës është shprehur se në familjen e saj, vetëm i riu punonte dhe se ai prej vitesh i ushqente me bukë. Menjëherë sapo është lajmëruar për ngjarjen, ajo është nisur në Spitalin Ushtarak, ku dhe ka mësuar fatin tragjik të të birit, i cili punonte si faturino i linjave të furgonëve Tiranë-Durrës. Këtë punë, 17-vjeçari e bënte prej disa muajsh, ndërsa së fundi punonte në furgonin ku edhe ndodhi masakra për familjen Çuni. Nëna e pikëlluar u ka thënë punonjësve të policisë se Juliani ishte i vetmi person që punonte, ndërsa familja nuk kishte asnjë të ardhur tjetër. Gjendja e tyre ekonomike është shumë e vështirë, çka i ka detyruar të nxjerrin në rrugë për të punuar fëmijët minorenë për mbijetesë.