Bujar dhe Lime Dedej ishin ndarë, por burri vazhdonte të ishte xheloz
Vali Qyrfyçi
Krimi mund të ishte parandaluar, familjarët drejtojnë gishtin mbi policinë. Motra e Lime Dedejt fajëson policinë për fundin e përgjakshëm të gruas, e cila u vra barbarisht me çekiç nga i shoqi dhe la pas dy fëmijë të vegjël, që frekuentonin shkollën fillore. Ndërsa fqinjët pranë shtëpisë Dedej jetojnë akoma klithmat e fëmijëve të llahtarisur nga ajo që po i ndodhte mamasë së tyre, që nuk reagonte më pas goditjeve të marra në kokë dhe trup. Vrasja kishte ndodhur. Teksa gjendej në spital, pak çaste pasi fqinjët e kishin telefonuar se diçka e rëndë po ndodhte në shtëpinë e Bujarit, kunatit të saj, motra e gruas 41-vjeçare të vrarë nga bashkëshorti, e dëshpëruar për fundin e parakohshëm, klithte se është faji i policisë që nuk e parandaloi krimin. Ajo ka treguar edhe momentet e para të krimit.
Si e mësuat vrasjen e Limes?
Ah, e mjera unë për fatin e saj. Më mori komshia në telefon dhe më tha: Hajde se fëmijët bërtasin te Bujari. Erdha me vrap. Gjeta policinë. Fëmijët i kishin çuar te fqinjët. Shkova në spital dhe atje e mora vesh që mbaroi. Në fillim më thanë se e ka goditur po do bëhet mirë. Ku është shteti, ku?
Po Bujari ishte aty, në shtëpi?
Jo nuk ishte. Kishte ikur menjëherë.
Çfarë mendoni se ka ndodhur mes tyre?
Grindeshin shpesh. Policia e dinte, po pse nuk e mbrojti?! Ah çfarë fati pati. Po fëmijët?!
Historia e çiftit
Policia kishte ndërhyrë në disa raste për të ndaluar keqtrajtimin e saj nga i shoqi xheloz, i cili, sipas burimeve nga të afërm të familjes, kishte lënë pas dy divorce të tjera për shkak të dhunës që ushtronte mbi gratë e tij. Prej pak kohësh ishte ndarë edhe me viktimën. Edhe fqinjët e çiftit Dedej tregojnë për grindjet e shpeshta mes bashkëshortëve që ishin drejt ndarjes. Policia ishte në dijeni të rastit, po nuk mundi ta shmangë krimin. Bashkëshorti dhunues ‘pendohej’ sa herë që e dhunonte keqazi gruan dhe jeta rridhte po njësoj në shtëpinë-barake të hidraulikut të ujësjellësit, 48-vjeçarit Bujar Dedej, i arrestuar tashmë për veprën penale të vrasjes me dashje. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit deklaroi se krimi në shtëpinë e familjes Dedej ndodhi pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, xhelozi dhe tha se vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen e rëndë, që i mori jetën 41-vjeçares, një tjetër viktimë e dhunës familjare.
Fqinjët e familjes
“Ishte një xhelozi krejtësisht e sëmurë, pa baza. Ishte aq xheloz sa me gjithë nevojat që kishin, nuk e linte as të punonte Limen e shkretë. E mbyllte në shtëpi. Gjithnjë i thoshte: Mos shko këtu! Mos shko atje! Nuk e di si nuk plaste e shkreta. Të gjithë kemi sherre në familje, por ajo e shkreta rrihej keq. Ndonjëherë e mbyllte në shtëpi që të mos dilte as në prag të derës”, tregon një nga fqinjët me sytë plot lot dhe zërin që i dridhet. Kanë qenë pikërisht fqinjët që kanë njoftuar policinë, ndërkohë që dhe Bujar Dedej ka marrë rrugën drejt saj, duke pohuar dhe vrasjen makabër: “Kam vrarë gruan. Është atje në shtëpi”. Autori mësohet se nuk ka qenë aspak në gjendje të dehur natën e vrasjes. Ka nisur të bëjë sherr me të shoqen dhe insistimi i saj për t’i dhënë fund sherrit e të ndaheshin e ka acaruar më tej burrin që ka marrë një çekiç nga veglat e tij të punës dhe ka nisur të godasë mbi kokën e së shoqes, pasi më parë e ka gjuajtur me grushte e shqelma.
I jepet lamtumira
Limja ishte viktimë e dhunës së vazhdueshme në familje dhe ditën e djeshme, rreth orës 15:30, të afërmit e kanë përcjellë për në banesën e fundit. Fqinjët tregojnë se arkivoli ishte i mbyllur për shkak të deformimit të kafkës nga goditjet me mjetin e fortë. Të gjitha gratë, që e njihnin vajtojnë për fatin e keq të gruas që vinte nga Rrethi i Burrelit dhe ishte martuar jo me një burrë, po një dhunues që “nuk e linte as të merrte frymë”. “Ishte i fiksuar pas tradhtive të paqena, e akuzonte vazhdimisht dhe e mbante mbyllur”, tregon një tjetër grua në lagje. Limja i shmangej të folurit për fatin e saj, me shpresën se për hir të fëmijëve një ditë ai, njeriu që i mori jetën, do të ndryshonte. “Nuk hapej me këdo, pasi ai nuk e linte të fliste as me gratë. Jo më me burra. Ishte i sëmurë dhe pse me ne në lagje tregohej i sjellshëm dhe i gjindshëm. Nuk ishte pijanec”, shton fqinja.
Xhelozi pas ndarjes
Fëmijët e një nëne në vështirësi për të jetuar e për t’i rritur paqësisht larg ish-burrit, një nëne viktimë e dhunës së vazhdueshme familjare, ende po i gëzoheshin fundjavës së gjatë, kur dhuna e babait të tyre këtë herë shkaktoi gjak, vdekje, një traumë të pashlyeshme. Ajo ishte nënë e dy fëmijëve dhe shtëpiake. Limja vinte nga fshatrat e Burrelit dhe pas martesës u vendos në Durrës. Pranë saj jetonte dhe një nga motrat. I shoqi, sipas atyre që e njohin, nuk e linte të punonte për shkak të xhelozisë së sëmurë. Dy vjet më parë mësohet se viktima ka qenë e punësuar sezonale në ndërmarrjen komunale, punë e ushtruar për afro dy muaj. Më pas ajo ka qëndruar në shtëpi dhe kujdesej për fëmijët e vegjël. Drejtues të Policisë së Durrësit nxituan të thonë se vrasja ndodhi për motive xhelozie, pa u thelluar më tej se për ç’xhelozi mund të flitet ende kur çifti ishte i divorcuar. Limja ishte e ndarë nga i shoqi, pikërisht për t’i dhënë fund sherrit, jetës nën dhunë dhe rritjes së qetë të fëmijëve. Edhe pse i ndarë prej 41-vjeçares prej pak kohësh, ai e konsideroi atë si pronë, një gjë së cilës mund t’i merrte dhe frymën e fundit, ashtu siç bëri. Policia ishte në dijeni për dhunën që ushtrohej në familjen Dedej, pasi shpesh kishte ndërhyrë për të qetësuar gjakrat, sipas fqinjëve, por nuk arriti të parandalojë një krim. Ndërkohë dukuria që dhemb e vret çdo ditë jetë njerëzish të pafajshëm e lë mijëra fëmijë jetimë në të gjithë vendin, po vazhdon të shihet nga shumica e njerëzve si një problem privat, që i përket familjes jo shoqërisë.
Krimi
Policia: Lime Dedej u vra nga bashkëshorti
Një krim i paralajmëruar brenda familjes ka tronditur natën e së premtes qytetin bregdetar të Durrësit. Një 48-vjeçar i ka shkaktuar vdekjen nënës së dy fëmijëve të tij, duke e goditur me një çekiç, gjatë një konflikti të ashpër me të në familje. “Ishte sherri i radhës”, tregojnë familjarët me keqardhje për fatin e gruas 41-vjeçare dhe dy fëmijëve ende të vegjël të çiftit. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 8 të qytetit, pranë shkollës 9-vjeçare “Demokracia”. Lime Dedej është dërguar në gjendje të rëndë nga policia në spitalin e Durrësit, po nuk ka mundur të mbijetojë, ndërsa autori i dyshuar, bashkëshorti i saj, Bujar Dedej është kapur dhe arrestuar nga shërbimet e policisë së Durrësit. Nga veprimet e para hetimore dhe deklarimet e autorit të dyshuar, policia deklaron se vrasja është kryer për motive të dobëta, xhelozi.
Dëshmitë
Të gjithë mendojnë se policia mund të kishte ndërhyrë për të shuar konfliktin
Kolegët e të arrestuarit Dedej: Ai dhunohej nga familja e gruas
Bujar Dedej, autori i krimit të ndodhur dy net më parë, punonte si hidraulik në repartin e mirëmbajtjes së Ujësjellësit në Durrës. Kolegët e tij japin opinion komplet të ndryshëm nga fqinjët dhe familjarët e gruas së vrarë, pavarësisht se bashkohen në pikën që “policia duhet të parandalonte krimin”. “Ishte një njeri shumë punëtor, përpiqej me mish e shpirt për të siguruar të ardhura. Përveç punës në ujësjellës, punonte dhe si roje nate në një kopsht publik në lagjen 18, ndërsa fitonte para dhe duke bërë punë private. Ankohej gjithnjë për gruan e tij, pasi shprehej se e keqtrajtonte. Para ca kohësh në ndërmarrje tha se kishte marrë dhe një urdhër-mbrojtjeje nga gjykata dhe me të shoqen di që ka pak që është ndarë. Unë nuk kisha ndonjë komunikim me të dhe pse jetonim në një lagje. Madje natën e ngjarjes u shkëmbyem, diku rreth orës gjashtë e gjysmë të mbrëmjes kur po kthehej për në shtëpi. Ishte me biçikletë”, tregon Edmondi, një punonjës i Ujësjellësit. Edhe një tjetër e njohur e autorit të vrasjes, Zamira thotë se Bujar Dedej ishte njeri punëtor dhe i dhunuar nga njerëzit e gruas, vëllezërit e saj që ishin nga Burreli dhe ai disa herë i kishte denoncuar në polici. “Bënte dy punë, një tek Ujësjellësi dhe natën punonte roje për të mbajtur fëmijët. Këtë ua them me siguri se punonte në një vend me burrin tim dhe i gjithë ujësjellësi flet me respekt për këtë njeri. Varfëria të çon në këto veprime makabër. Është rrahur disa herë nga vëllezërit e gruas dhe pas denoncimit në polici, ata i ishin betuar që do ta vrisnin nëse nuk ia linte shtëpinë gruas pas divorcit”, shprehet Zamira. Edhe të tjerë në Ujësjellës flasin mirë për të arrestuarin, që gjithsesi kuptohet qartë se u ankohej të gjithëve për gruan e tij dhe keqtrajtimin që i bënte. Pas divorcit me gruan para saj, nga e cila ka dy fëmijë të tjerë, Bujari është martuar me shkesë me Limen, me të cilën lindi dy fëmijë të tjerë. Të njohur tregojnë se jo rrallëherë shokët e kishin ndihmuar me ushqime dhe veshje, ndërkohë që e tipizojnë me fjalët “herë dukej si tip dede, siç kishte mbiemrin, veçanërisht kur thoshte që dhunohej nga gruaja dhe herë tip skuthi”. “Nuk di ç’të them, po nuk besoj se gruaja e tij ishte nga ato që e dhunonte vazhdimisht. Ajo, ndonjëherë i lyente atij dhe flokët me bojën që i ngelte pas lyerjes së flokëve të veta. Kështu thoshte të paktën Bujari, kur vinte në punë me flokë të errësuara”, shton një koleg i tij. Drejtori i Ujësjellësit, Doklead Ademi, i pyetur për vartësin e tij thotë se përveç faktit që është hidraulik dhe pa probleme në lidhje me punën, e dinte si të divorcuar, pasi nga paga, atij i mbahej kuota mujore si detyrim për ushqimin e fëmijëve nga divorci. Pavarësisht dy versioneve të ndryshme që vijnë e përplasen mbi dhunuesin dhe të dhunuarën, si familjarët e viktimës, si fqinjët e familjes, ashtu dhe në Ujësjellës ku punonte, të gjithë bien dakord për një gjë pse nuk veproi ligji dhe policia. V. Qyrfyçi