Krimi në Durrës
Policia tha se ka prova për të arrestuarin Hyska, por familjarët mohojnë krimin
Familja e Ardit Hyskës shprehet se në momentin e vrasjes, 28-vjeçari po vizitonte të atin në spital
Vali Qyrfyçi
Një konflikt i momentit dyshohet se i ka marrë jetën një 27-vjeçari në Durrës, ndërkohë që vetëm pak kohë më vonë, policia ka arrestuar të dyshuarin për këtë krim. Megjithatë, i dyshuari ka mohuar të ketë kryer një vrasje të tillë, ndërsa alibinë e ngritur e kanë mbështetur edhe familjarët e tij, të cilët shprehen se në momentin e krimit, ai ndodhej në spital, duke vizituar babanë e shtruar. Por, policia shprehet se ka prova të pakundërshtueshme, që lidhin autorin me armën dhe mjetin e krimit.
Vrasja
Sipas policisë, 27-vjeçari Refik Lila është vrarë me pistoletë paraditen e djeshme, mbrapa stadiumit “Niko Dovana” të qytetit, në lulishten para një blloku pallatesh në këtë zonë. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes bëjnë të ditur se viktima është konfliktuar me një person me kapele, pasi ka zbritur nga automjeti “Ford Focus” me targa të huaja. Në konflikt e sipër, debutuesi ka qëlluar mbi të dhe është larguar më pas me një automjet që, sipas dëshmitarëve, ka qenë i tipit “Mercedes Benz”. Shërbimet e policisë, me të mbërritur në vendin e ngjarjes, janë vënë në lëvizje për të kapur autorin e krimit. Lila, me origjinë nga Dibra, është dërguar në spitalin rajonal, por sipas burimeve nga ky spital, ai ka mbërritur i vdekur dhe trupi i tij është dërguar në morg. Shërbimet policore kanë siguruar dhe administruar vendin e ngjarjes, në funksion të grumbullimit të provave për hetimin, ndërkohë që strukturat për hetimin e krimit në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, kanë vijuar punën për identifikimin e autorit. Sa i përket motivit të krimit, policia tha se ende nuk është i qartë, por po hetohet për ndonjë konflikt të çastit, ose për sherr të vjetër mes autorit dhe viktimës.
Arrestimi
Pak orë pas vrasjes, Policia e Durrësit deklaroi se një person me precedentë penalë është autori i dyshuar i vrasjes së 27-vjeçarit Refik Lila. Policia lokale thotë se ka mundur të grumbullojë prova të mjaftueshme që dokumentojnë autorësinë e të dyshuarit të vrasjes së ndodhur në lagjen nr. 18 të qytetit. Sipas Policisë së Durrësit, nga tërësia e veprimeve procedurale dhe provave shkencore të administruara në vendin e ngjarjes, u identifikua 28-vjeçari Ardit Hyska, lindur në Tiranë e banues në lagjen nr. 3 të Durrësit. Kapja e Hyskës është bërë kur gjendej në Spitalin Rajonal të Durrësit, në të cilin ndodhet i shtruar babai i tij. Sipas policisë, Hyska është shtetas me precedentë të mëparshëm për vepra penale kundër personit e pronës, konkretisht plagosje me dashje dhe vjedhje. Sipas policisë, fillimisht është gjetur e sekuestruar arma e krimit, pistoletë e markës “Beretta”, e cila u gjet pak metra larg vendngjarjes. Më pas, pranë spitalit u gjet automjeti “Benz”, me targa AA 307 AB, që rezulton se i përket të arrestuarit. Sipas dëshmitarëve, me këtë mjet është larguar autori i krimit. Më pas, policia ka gjetur kapelën dhe bluzën e përdorur në vrasje. Grupi hetimor tha se në objektet e sekuestruara, ka përputhshmëri me shenjat e gishtave të autorit dhe në këto kushte është kryer arrestimi i tij.
Mohimi
Megjithatë, i arrestuari nuk ka pranuar krimin. Madje, familjarët e tij deklarojnë se ai ka qenë në spital pranë babait në momentin e krimit, pavarësisht se policia deklaron se ka prova shkencore të mjaftueshme ndaj tij. Gruaja e të arrestuarit, me lot në sy, u shpreh se Hyska është arrestuar nga policia në ambientet e Spitalit të Durrësit, ku ai dhe familjarë të tjerë ndodheshin, pasi është i shtruar i ati. Hyska me të shoqen jetojnë në një shtëpi me qira në lagjen nr. 3 të qytetit bregdetar. Sipas familjarëve, Hyska është dënuar me 2 vjet burg për plagosjen e një personi në Durrës, por më pas është shpallur i pafajshëm. Ata deklarojnë se ai nuk ka si të jetë autor i vrasjes së Lilës dhe se pamjet e kamerave të sigurisë së spitalit duhet të shihen dhe të merren parasysh. Familjarët pretendojnë pafajësinë e tij, si dhe mungesën e njohjes së tij me viktimën.