Vajushi – Kujtim Vajushi, 46 vjeç, ka qenë duke ecur i vetëm në trotuar, te rruga e tregut, kur janë afruar dy persona me motor dhe skafandra, të cilët e kanë qëlluar me tre plumba pistolete
Koçia – Edmir Koçia, 38 vjeç, është qëlluar me breshëri automatike në afërsi të shtëpisë së tij rreth orës 20:30 të datës 29 nëntor 2012 në mes të Shkodrës
Përplasja – Më 26 prill 2002, Koçia dhe Vajushi u përplasën me armë në Shkodër. Si pasojë u plagos 13-vjeçarja Jetmira Molla, e cila ndërroi jetë në spital
Hakmarrja
Kujtim Vajushi u ekzekutua me tre plumba dje në mëngjes në Shkodër. Koçia u vra në nëntor
Rikthehen vrasjet mafioze dhe për hakmarrje në qytetin e Shkodrës. Dje në mëngjes, dy persona të maskuar me skafandra kanë ekzekutuar Kujtim Vajushin, dikur i njohur si i forti i Shkodrës dhe rival i të fortit tjetër Mir Koçia, i cili tashmë kishte krijuar familje dhe i ishte përkushtuar një lokali. Vrasja e tij vjen dy muaj pas ekzekutimit të Mir Koçisë, i cili u vra në derën e shtëpisë, krim që mbetet i pazbardhur, ashtu si vrasja e djeshme. Krimi i djeshëm ka ndodhur në një zonë të populluar pranë tregut të Zdrales, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, në dy pista. Konkretisht, policia tha se po hetohet për hakmarrje dhe për biznesin e tij.
Ngjarja
Ka qenë ora 09:30 e mëngjesit, kur Kujtim Vajushi, 46 vjeç, ka qenë duke ecur i vetëm në trotuar, te rruga e tregut, duke shkuar tek automjeti i tij, i parkuar pak metra larg vendit të ngjarjes. Në këtë moment janë afruar dy persona me motor dhe skafandra, të cilët e kanë qëlluar me tre plumba pistolete. Autorët kanë mundur të largohen me shpejtësi, pa rënë në dorë të policisë, duke përfituar edhe nga zona, e cila ka shumë lëvizje dhe rrugë dytësore. Ndërkaq, 46-vjeçari ka gjetur vdekjen në vend brenda pak sekondash. Tregtarë të zonës janë munduar të japin ndihmën e parë, por gjithçka ka qenë e kotë, pasi Kujtim Vajushi ka ndërruar jetë pa mundur të nxjerrë asnjë fjalë. Më pas, policia është lajmëruar nga qytetarët e shumtë që ndodheshin në vendngjarje. Ngjarja në fjalë, e ndodhur në një zonë të populluar, ka shkaktuar terror e panik te qytetarët. Kalimtarët kanë dëgjuar tri krisma, por gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe sapo kanë parë viktimën të rrëzohet përtokë, ata janë tmerruar. Sapo kanë dëgjuar krismat, njerëzit kanë filluar të vrapojnë dhe të bërtasin, pasi nga zhurma është krijuar shumë panik.
Hetimet
Policia ka nisur hetimet në dy pistat e lartpërmendura, por ende nuk ka arritur për momentin identifikimin e autorëve të ngjarjes. Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar tri gëzhoja pistolete. Gjithashtu, grupi hetimor ka marrë në pyetje disa tregtarë që shisnin aty pranë dhe kalimtarë të rastit, por nuk është arritur të merret ndonjë informacion i rëndësishëm, vetëm fakti që autorët kanë qenë me motor dhe skafandra. Sipas policisë, viktima ka qenë i përfshirë në një ngjarje të vjetër, në vitin 2002, ku ka mbetur e vrarë një vajzë 13 vjeçe gjatë një atentati ndaj Mir Koçisë. “Kujtim Vajushi është arrestuar disa vite më parë, pasi në vitin e lartpërmendur, gjatë një konflikti me një tjetër person pati mbetur e plagosur aksidentalisht një vajzë 13 vjeçe, e cila disa ditë më vonë ndërroi jetë në spital. Për këtë ngjarje, Vajushi kreu 5 vite burg dhe sipas të dhënave të besueshme, palët e përfshira në këtë konflikt, ashtu dhe familja e dëmtuar, e kanë mbyllur këtë ngjarje, duke falur njëri-tjetrin”, deklaroi Policia Rajonale e Shkodrës. Megjithatë, krimi i djeshëm ka bërë që grupi hetimor të rishikojë këtë dosje. Sipas të dhënave, pikërisht më 26 prill të vitit 2002, rreth orës 19:45 ka pasur një përplasje me armë pranë Radio Shkodrës. Kujtim Vajushi dhe Mir (Edmir) Koçia shkëmbyen të shtëna me armë zjarri mes njëri-tjetrit. Sipas të dhënave, pak muaj para kësaj përplasjeje, Koçia dyshohet se kishte plagosur Vajushin. Në përplasjen e fundit, pra në prill të vitit 2002, mbeti e plagosur vajza 13-vjeçare Jetmira Molla, e cila ishte në praninë e familjes, duke shkuar në shtëpi. Ajo ndërroi jetë në spital, ndërkohë që autori i dyshuar, Vajushi, u arrestua nga policia. Kjo dosje tashmë po rishikohet nga policia, duke marrë shkas edhe nga vrasja e Mir Koçisë, e cila ndodhi para dy muajsh, po në Shkodër. Ndërkaq, policia nuk ka lënë mënjanë edhe ndonjë konflikt të viktimës së djeshme për çështjet e lokalit të tij. Ndërkohë, gjatë hetimeve janë shoqëruar disa persona, të cilët po merren në pyetje, por ngjarja vazhdon të mbetet enigmë për Policinë e Shkodrës. Fqinjët tregojnë për Vajushin se ishte njeri që nuk provokonte konflikte. Njihej si njeri që merrej me punët e tij dhe kishte një lokal në lagjen “Kiras”, ku edhe jetonte.
Red. Akt.
Nëntor 2012
Vrasja e Mir Koçisë në derë të shtëpisë
Edmir Koçia, 38 vjeç, është qëlluar me breshëri automatike në afërsi të shtëpisë së tij rreth orës 20:30 të datës 29 nëntor 2012 në mes të Shkodrës, ndërkohë që autorët kanë ikur në drejtim të paditur. I njohur me emrin Mir Koçia, 38-vjeçari ka marrë katër plumba në trup, ndërkohë që mendohet se pas krismave të armës vrasëse, dëshmitarët kanë dëgjuar edhe dy krisma pistolete, ku edhe është ngritur dyshimi se Koçia është vrarë për hakmarrje. Disa orë më vonë, 38-vjeçari ka humbur jetën në spitalin e Shkodrës, ndërsa policia ka nisur jo vetëm hetimet, por edhe shoqërimet për të gjithë personat që kanë pasur dijeni për momentin e ekzekutimit. Ishin me dhjetëra të shoqëruar, por policia nuk arriti të identifikojë, apo të provojë vrasjen për ndonjë nga të dyshuarit. Edhe në atë kohë, policia kishte informacion se Mir Koçia dhe rivali i tij ishin pajtuar, por që vrasjet e njëpasnjëshme të tyre kanë sjellë dyshime të reja për grupin hetimor.