Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç u takua mbasditen e sotme me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.


Ai ndodhet në Mynih të Gjermanisë, ashtu si edhe kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti, si edhe presidenti Hashim Thaçi, ku po organizohet Konferenca për Siguri.


Presidenti serb përshëndet qëndrimin e SHBA-së për të hequr taksën, në mënyrë që dialogu të vazhdojë.


“Kemi pasur një bisedë të hapur dhe të sinqertë. Është e rëndësisë më të madhe që amerikanët insistojnë për largimin e tarifës. E falënderoj Richard Grenellin, Mike Pompeon dhe presidentin Trump për këmbënguljen që taksa të hiqet urgjentisht, në mënyrë që negociatat tona me Prishtinën të vazhdojnë”, shkroi ai në Twitter.


Ditën e nesërme pritet që të ketë një takim Kurti-Vuçiç, ku do të flitet për rifillimin e bisedimeve mes të dyja shteteve.