Ministri danez ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes brenda 24 majit


Shqipëria ka bërë hapa përpara në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian, por ka ende shumë për tu bërë. Kështu është shprehur ministri i Çështjeve Evropiane të Mbretërisë së Danimarkës, Nikolai Wammen, gjatë konferencës të përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm Edmond Haxhinasto. Sipas diplomatit danez, Shqipëria ka ende punë për sa i përket reformave dhe duhet të zbatojë marrëveshjen e nëntorit përpara 24 majit, datë kur nisin edhe procedurat për zgjedhjen e presidentit.


“Danimarka është e angazhuar që ta bëjë Ballkanin pjesë të Europës. Ne duam ta shohim Shqipërinë të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së. Kemi përcaktuar 12 kriteret që Shqipëria të bëjë përparim të vërtetë dhe të bëjë reforma. Dëshiroj ta theksoj që Shqipëria duhet ti përmbush këto jo për të kënaqur Brukselin, por në radhë të parë për vendin e vet dhe për të kënaqur popullin e vet. Shqipëria do të gjykohet në sajë të meritave të saj. 24 maji do të jetë prova e parë e këtij zhvillimi. Me rëndësi është të arrihet një marrëveshje për çështjen kryesore dhe më pas do të vijojë puna për përmbushjen e 12 kritereve. Ne mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE por punën e vështirë duhet të bëjë vetë ajo”,- theksoi Wammen.


Ndërsa i është referuar reformës zgjedhore, Wammen ka theksuar se realizimi i kësaj reforme do të jetë edhe testi i parë për ecurinë e Shqipërisë, por edhe për zgjedhjet e ardhshme. “Këto zgjedhje do të ndiqen me vëmendje jo vetën në Shqipëri, por edhe në Bashkimin Europian. Pra reforma elektorale dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë çështje të rëndësishme që duhet të jenë në qendër të vëmendjes. Dhe po kështu edhe lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar. Një provë mjaft e rëndësishme do të jetë mënyra se si ajo i trajton këto çështje. Ka shumë rëndësi që të keni një gjyqësor që të funksionoj në parim të vlerave dhe standarteve europiane”,- theksoi Wammen.


16 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)