Bylykbashi: Nuk tërhiqemi. Manjani: Do të ndalojmë banditizmin


BE – Eksperti i Komisionit Europian, Nikolai Vullcanov, pritet që të mbërrijë sa më parë në Shqipëri për të vlerësuar çështjen e KQZ-së


Mimoza Haxhialiu


Eugen Wollfarth“Anëtari i LSI-së në KQZ mund të vijojë punën.” Deklarata vjen nga kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth. Pavarësisht se Komisioni i Ligjeve miratoi lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, ambasadori Wollfarth nga qyteti i Beratit ka vlerësuar se ende jemi në procesin e sqarimit të bazës ligjore mbi të cilën është ngritur kërkesa e PD-së, ndërkohë që ditën e hënë Kuvendi do të shqyrtojë çështjen. Wollfarth ka rikujtuar edhe një herë që KQZ-ja duhet të jetë një institucion apolitik. “Nga njëra anë kemi vendimin e Komisionit që propozoi shkarkimin e anëtarit të LSI-së nga KQZ. Interpretimet janë të ndryshme, ky anëtar mund të vazhdojë punën e tij në KQZ. Jemi në procesin e sqarimit të bazës ligjore. Të hënën Kuvendi do të rishqyrtojë çështjen. Nuk duhet harruar që KQZ-ja është një komision apolitik dhe teknik”, theksoi ambasadori Wollfarth.


Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, ishte gjatë ditës së djeshme në qytetin e Beratit, ku zhvilloi takime me krerët vendorë, u njoh nga afër me situatën vendore parazgjedhore, ndërkohë që nuk munguan edhe deklaratat në lidhje me situatën politike në Shqipëri. Kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri zhvilloi fillimisht një takim me kryetarin e Bashkisë së Beratit,


Fadil Nasufi, ku u njoh me situatën parazgjedhore, procesin e listave të zgjedhësve, përcaktimin e qendrave të votimit etj. Më pas, gjatë një kontakti me mediat, ambasadori i OSBE-së u shpreh në lidhje me takimet që ai po ndërmerr në bashki të ndryshme të vendit, për t’u njohur me situatën parazgjedhore. “Me sa shoh është një progres i mirë, i arritur në bashki, sidomos kjo u pa gjatë vizitës që ne patëm në Bashkinë e Beratit. Shoh që përgatitjet parazgjedhore kanë shkuar mirë. Me sa kuptova tashmë janë krijuar KZAZ-të, janë gjetur vende për qendrat e votimit dhe për komisione të tjera të nevojshme. Nuk u vura në dijeni për ndonjë mosmarrëveshje apo për ndonjë problem që mund të kenë hasur. Me sa kuptoj është bërë një punë e mirë me listat e zgjedhësve, të cilat janë shumë më të sakta sesa kanë qenë në të kaluarën. Duke i bërë thirrje kasës politike shqiptare, por dhe qytetarëve para procesit zgjedhor, ambasadori u shpreh se duhet të jetë një dialog i hapur mes politikanëve dhe qytetarëve”, tha kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë. Dy ditë më parë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe Bashkimi Europian, kanë përshëndetur tërheqjen e mazhorancës dhe kanë kërkuar respektimin e mandatit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.


LSI dhe PS


Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, deklaroi dje se nuk do të ketë asnjë ankesë ligjore dhe nuk do të lejohet në asnjë mënyrë që PD-ja të arrijë të ndryshojë KQZ-në. “Veprimeve banditeske do t’i përgjigjemi në mënyrë tjetër, dhe asnjë mënyrë me kërkesë në Gjykatën Kushtetuese. Ne do t’i referohemi gjithmonë ligjit”, deklaroi Manjani dje për “Vizion Plus”. Nënkryetari i LSI-së deklaroi se kjo forcë politike është e hapur që të diskutojë për balancimin e komisioneve zonale dhe komisioneve të numërimit të votave, nëse kjo do të kërkohet dhe do të vendoset nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ndërkaq, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Oert Bylykbashi, i komenton ndryshe qëndrimet e ndërkombëtarëve, duke theksuar se ata kërkojnë të negociohet. Në një intervistë për “Top Channel”, Bylykbashi theksoi se “ndërkombëtarët thonë diskutoni, por zoti Rama e injoron totalisht këtë pjesë dhe vazhdon me fantazinë e tij të sëmurë për të gjetur daljen nga kjo situatë që ka. Zoti Rama nuk po bën gjë tjetër, veçse po përzgjedh fraza të deklaratës dhe i shtrembëron ato për të çuar më tej idenë e tij, të marrë mazhorancën e KQZ-së dhe të të gjithë administratës, në mënyrë që t’i marrë zgjedhjet, jo t’i fitojë ato”.


 


1


SHBA – Ambasada e SHBA-së, në një qëndrim të saj, theksoi se “anëtarët e KQZ-së janë betuar dhe janë të detyruar që të kryejnë detyrat e tyre”


2


BE – Zëdhënësi i komisionerit Fule deklaroi se “anëtarët e zgjedhur të KQZ-së tashmë janë betuar të jenë si jo të njëanshëm dhe të pavarur”


3


OSBE – Ambasadori i OSBE-së, Wollfarth, deklaroi se duhet shikuar baza ligjore dhe deri sa të bëhet kjo, Muho të vazhdojë detyrën


4


PD – Përfaqësuesi i PD-së, Oert Bylykbashi, deklaroi se PD-ja nuk do të tërhiqet dhe të hënën do të votojë në Kuvend ndryshimin e KQZ-së