Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, i ka bërë sërish apel partive politike të bashkëpunojnë për integrimin e vendit. Nga qyteti i Poliçanit ku ka vizituar uzinën ushtarake, Wollfarth ka dhënë mesazhe bashkëpunimi, sidomos gjatë vitit 2013, që është vit zgjedhor.
“Procesi i reformës është një punë e madhe që duhet bërë dhe ka nevojë për kontributin e të gjithëve dhe ka nevojë për bashkëpunimin e të gjithëve, pra ne këtë e quajmë bashkëpunim. Ky lloj bashkëpunimi duhet të vazhdojë dhe në vitin 2013 që është një vit zgjedhor. Procesi i zgjedhjeve të vitit 2013 duhet të jetë i ndershëm dhe me standard europiane”,- ka thënë Wollfarth.
Wollfarth ishte sot në uzinën e Poliçanit, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e dhurimit nga zyra e OSBE-së i disa pajisjeve ndihmëse për linjat e demontimit të municioneve. Në këtë vizitë ka marrë pjesë edhe ambasadorja gjermane në Shqipëri, Carola Muller-Holtkemper, Zëvendës Ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahiu, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Xhemal Gjunkshi si dhe pushtetarë lokalë.
5 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)