Moisiu: Krimi ka arritur shifra të frikshme. Qeveria të lëvizë
Fatjona Mejdini
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, theksoi se Shqipëria duhet të japë prova të qarta të zbatimit të ligjit dhe të ndëshkueshmërisë, në mënyrë që krimi dhe korrupsioni në vend të ulin ritmin e tyre. Këtë deklaratë, ambasadori Wollfarth e bëri gjatë pjesëmarrjes së tij në një tryezë të zhvilluar nga Forumi Civil, i cili nën drejtimin e dy ish-presidentëve të vendit, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, u diskutua për situatën alarmante të kriminalitetit në vend. Për Wollfarth krimi lidhet ngushtë me korrupsionin dhe lufta kundër këtyre fenomeneve duhet të ishte e përkthyer në një bilanc të mirë. Të të njëjtit qëndrim u shprehën dje edhe dy ish-presidentët e vendit, por theksuan faktin se rritja e kriminalitetit në vend kërkon bashkëpunimin e forcave politike dhe po kështu angazhimin e shoqërisë civile. Forumi miratoi dje një deklaratë, në të cilën mes të tjerash kërkohej që qeveria të heqë dorë nga idetë e vjetra për vendosjen e dënimeve fikse me burgim të përjetshëm dhe të ashpërsohen politikat penale për ndëshkimin e autorëve të krimeve të rënda, të mos aplikohen masa të tilla, si: gjykimi i shkurtuar, falja, amnistia etj.
Wollfarth
Ambasadori i OSBE-së deklaroi dje, se trazirat e vitit 1997 lejuan që një numër i madh armësh të bien në duart e kriminelëve. Pas kësaj periudhe, Wollfarth theksoi se reforma e sektorit të sigurisë eci me hap të ngadaltë. Ai e konsideroi mbrojtjen e jetës së qytetarëve një parim kushtetues dhe po kështu një detyrim ndërkombëtar që Shqipëria duhet ta përmbushë. Ai i bëri thirrje Policisë së Shtetit që të rrisë profesionalizimin dhe e lidhi krimin me korrupsionin. Ambasadori i OSBE-së kërkoi që të ndërmerren masa për të krijuar një arkiv të besueshëm vendimesh dhe dënimesh për rastet e krimit dhe korrupsionit. “Ka ende shumë për të bërë, policia duhet të rrisë profesionalizimin. Korrupsioni mbetet kërcënim i madh ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike në Shqipëri. Pandëshkueshmëria nuk mund të pranohet kur shkelet ligji. Duhet një bilanc bindës vendimesh dhe dënimesh apo gjoba të rrepta e të përshtatshme në të gjitha rastet e korrupsionit”, deklaroi ambasadori i OSBE-së.
Presidentët
Ish-presidenti i vendit, Alfred Moisiu, deklaroi dje, se demokracia në vend po lëndon së tepërmi dhe kërkon ndërhyrje për ta shpëtuar dhe konsoliduar.
“Çdo ditë lajmet e mediave tona hapen me kronika të zeza, veçanërisht kohët e fundit ato janë bërë të përditshme. Krimi nuk po ka më frikë as nga ligji, dhe as nga shteti, ai nuk i trembet asgjëje. Ai po e ndien veten të patrazuar kudo dhe në çdo qoshe. Krimi po merr revansh të rrezikshëm”, deklaroi Moisiu, duke theksuar se shteti është strukur në llogoren e tij dhe po shikon interesat e tij, të shkëputura nga interesat e qytetarëve. Nga ana tjetër, ish-presidenti Rexhep Meidani deklaroi se krimi ka dëmtuar edhe kohezionin social, për shkak se, sipas tij, shteti nuk funksionon. Ai u bëri thirrje partive politike të bashkëpunojnë në këtë situatë të tillë.